Kërko

Vatican News
Abu Dabi, Emiratet e Bashkuara Arabe Abu Dabi, Emiratet e Bashkuara Arabe 

Papa shkon në Emiratet Arabe bashkë me imamin e al Azharit, kundër ekstremizmave

Këtë të diel, Papa Françesku do të shkojë në Abu Dabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, me rastin e Takimit ndërfetar ndërkombëtar mbi “Vëllazërimin njerëzor”. Vizita, nga 3 deri më 5 shkurt, përkon me atë të Imamit të madh të al Azharit, Ahmad al Tayeb, në vend, për të njëjtin qëllim me Atin e Shenjtë.

R.SH. - Vatikan

Kur u dha njoftimi në Abu Dabi, drejtori i përgjithshëm i Këshillit Kombëtar të Mediave, Mansour al Mansouri, e quajti historike vizitën e Atit të Shenjtë – papa i parë, që shkel në këtë vend. Prania e Françeskut në Emiratet e Bashkuara Arabe, nënvizoi ai, do ta bëjë vendin “kryeqytetin e tolerancës, do të jetë rast për të çimentuar lidhjet e miqësisë e të bashkëpunimit, që kanë karakterizuar marrëdhëniet e Emirateve me Vatikanin, për të mirën e njerëzimit dhe në shërbim të paqes”.

Këshilli Mysliman i Pleqve: mesha e Papës, “historike”

         Edhe Sekretari i përgjithshëm i Këshillit Mysliman të Pleqve, Sultan al Rumaithi, shpjegoi se Papa do të kremtojë meshën e parë, “historike” për vendin, në praninë e 135 mijë besimtarëve katolikë. Gjithashtu, do të takohet privatisht me vetë Këshillin e Pleqve e, natyrisht, do të marrë pjesë në Takimin kushtuar vëllazërimit njerëzor. Në të, sqaroi al Rumaithi, do të jenë të pranishme 76 kisha nga traditat e ndryshme fetare në vend, si edhe do të vijnë 700 figura fetare, politike dhe shoqërore nga e gjithë bota, “duke vënë kështu në dukje përpjekjet dhe impenjimin e Emirateve për të kontribuar në krijimin e një bashkësie, që jeton me frymën e tolerancës”.

Ky, programi i plotë i vizitës së Papës Françesku:

         Ati i Shenjtë do të niset nga aeroporti i Fiumiçinos, të diel, në orën 13 e do të mbërrijë në Abu Dabi, në orën 22. Të hënën, në orën 12, ceremonia e mirëseardhjes në Pallatin Presidencial e, menjëherë pas saj, vizita zyrtare tek princi trashëgimtar. Në orën 17, Papa do të takohet privatisht me anëtarët e Këshillit Mysliman të Pleqve, në Xhaminë e Madhe të Shehut Zayed. E, në orën 18.10, do të marrë pjesë në Takimin Ndërfetar mbi “Vëllazërimin njerëzor” në Memorialin e Themeluesve, ku do të mbajë edhe një fjalim.

         Të martën, në orën 9.15, vizita private në katedralen e Abu Dabit. Në orën 10.30, për herë të parë, mesha në Zayed Sports City, ku Papa do të mbajë homelinë. Pas saj, Papa Françesku do të shkojë në aeroportin presidencial të qytetit, ku pas ceremonisë zyrtare të lamtumirës, do të niset me avion për në Romë. Mbërritja në aeroportin e Çampinos, parashikohet në orën 17.

29 janar 2019, 17:11