Cerca

Vatican News

Papa: ekumenizmi është udhë e pakthyeshme, jo opcion

Papa Françesku, në audiencën tradicionale me delegacionin ekumenik finlandez, me rastin e Javës së lutjes për unitetin e të krishterëve, kujtoi se ekumenizmi “është kërkesë themelore” e fesë sonë. Jetojmë në një botë të përçarë, prandaj nuk mund ta shtyjmë “lutjen dhe angazhimin e përbashkët për më shumë drejtësi”. Është “udhë pa kthim, drejt bashkimit të plotë!”.

R. SH. - Vatikan

“Udha ekumenike e të gjitha Kishave të krishtera, ende të ndara, ‘është kërkesë themelore' e fesë sonë, sepse jemi të gjithë dishepuj të Krishtit. Prej këndej, nuk është udhë e mundshme, por udhë  e domosdoshme, pa kthim mbrapa! Kështu u shpreh Papa Françesku në takimin me delegacionin ekumenik të Finlandës, pritur në audiencë me rastin e shtegtimit tradicional në Romë, për festën e Shën Enrikut. Grupin e kryesonte ipeshkvi luteran i Kuopio-s, Jari Jolkkonen i cili, në fillim të takimit, e përshëndeti Papën me fjalët:

“Impenjimi i përbashkët në favor të ekumenizmit është kërkesë themelore  e fesë në të cilën besojmë, kërkesë, që lind nga fakti se të gjithë jemi dishepuj të Krishtit. E, si dishepuj, ndërsa besojmë në të njëjtin Zot, e kuptojmë gjithnjë më mirë se ekumenizmi është ecje, është udhë që duhet bërë, e nënvizuar nga të gjithë Papët, duke nisur nga Koncili II i Vatikanit e edhe më pas. E është udhë pa kthim, drejt bashkimit të plotë!”.

Uniteti rritet gjatë kësaj udhe

“Uniteti ndërmjet nesh -  iu përgjigj Papa -  rritet gjatë ecjes, e shtegtimi juaj i përvitshëm është shenjë që e tregon këtë e që na fton të ecim krah për krah në rrugën e nisur, për ta takuar së bashku Krishtin, si bij të dashur nga Ati e, prej këndej, si vëllezër e motra”.

Bamirësi e dëshmi  e përbashkët

Papa e falënderoi ipeshkvin Jolkkonen për  theksimin e pikave të takimit ndërmjet të krishterëve, që kanë të njëjtën dashuri, bëjnë të njëjtën bamirësi, kryejnë të njëjtin shërbim, bazuar mbi Pagëzimin, mbi faktin se të gjithë janë të krishterë!

Dialogu teologjik: të  sqarohen keqkuptimet e paragjykimet

“Jemi të thirrur - i kujtoi Papa miqve finlandezë -  e po të jemi të epshëm, Shpirti Shenjt do të na prijë në një mënyrë, që nuk mundemi as ta përfytyrojmë”. Ndërkaq jemi të thirrur edhe të bëjmë gjithçka mundemi, për t’u dhënë fund sa më shpejt, me frymën e dashurisë së krishterë, armiqësive e paragjykimeve, që i prishën për shekuj marrëdhëniet tona. Për dialogun teologjik - kujtoi Papa - ndihmoi shumë Deklarata e Komisionit të dialogut luterano-katolik të Finlandës mbi Kishën, Eukaristinë e Ministerin, titulluar “Communion in Growth”:

Dialogu duhet të vijojë, duke e çuar edhe më tej, atë që tashmë e kemi arritur! Me bindjen se tradita e përbashkët e Shpirtit të Krishtit na pasuron”.

Nuk mund të ecet më vetëm

Papa nënvizoi se nuk mund të punosh më për drejtësinë vetëm për vetëm: drejtësia për të gjithë kërkohet së bashku:

“Në një botë të copëzuar nga luftërat, mllefet, nacionalizmat, përçarjet, lutja dhe angazhimi i përbashkët për më shumë drejtësi, nuk mund të shtyhen për më vonë. Të veprosh kështu, do të thotë të mos e kryesh detyrën. E këtë nuk mund t’ia lejojmë vetes”.

Bashkëpunim ndërmjet luteranëve, ortodoksëve e katolikëve në Finlandë

Papa i përshëndeti miqtë, duke shprehur besimin e plotë se dëshmia  e përbashkët e lutjes dhe e fesë do të sjellë fryte; e edhe vizita e sotme do ta thellojë më tej bashkëpunimin, tashmë të fortë, ndërmjet luteranëve, ortodoksëve e katolikëve në Finlandë.

19 janar 2019, 14:52