Kërko

Vatican News
Carmel Catholic Hight School në Mundelein, Illinois (USA) Carmel Catholic Hight School në Mundelein, Illinois (USA)  (AFP or licensors)

Editoriali: Papa tregon rrugëdaljen

Një letër drejtuar ipeshkvijve amerikanë, që përvijon udhën për gjithë Kishën. Kështu shkruan në editorialin e tij, drejtori ynë, Andrea Tornielli: thelbi i letrës duhet kërkuar në përgjigjen e sugjeruar nga Papa Françesku.

Letra që Papa Françesku, në shenjë të afërsisë së tij personale, u dërgoi ipeshkvijve amerikanë mbledhur për ushtrime shpirtërore në Çikago, ofron një çelës interpretimi për të kuptuar këndvështrimin e tij mbi krizën e abuzimeve, duke pasur parasysh takimin e shkurtit në Vatikan. Në fjalën për Kurien romake, më 21 dhjetorin e kaluar, Ati i Shenjtë u shpreh qartas, me vendosmëri dhe fuqimisht mbi këtë temë. Tani, në mesazhin për ipeshkvijtë e Shteteve të Bashkuara, nuk zgjatet në shqyrtimin e fenomenit të abuzimeve me pushtetin, ndërgjegjen dhe seksin, në dëm të fëmijëve dhe të rriturve të brishtë, por shkon në rrënjët e problemit, duke përvijuar një rrugëdalje.

"Besueshmëria e Kishës – pranon sërish Papa - është vënë jashtëzakonisht në diskutim dhe është dobësuar nga këto mëkate dhe krime, por sidomos, nga vullneti për t’i mbuluar e fshehur ato". Gjithsesi, thelbi i letrës duhet kërkuar në përgjigjen e sugjeruar. Me të vërtetë, Françesku paralajmëron se nuk duhet pasur shumë besim në veprimet që duken "të dobishme, të mira dhe të domosdoshme" e, madje, "të drejta", por që nuk e kanë "shijen e Ungjillit" nëse priren ta reduktojnë përgjigjen ndaj së keqes vetëm në një problem organizativ.

Nuk e ka gjithmonë "shijen e Ungjillit" një Kishë, që shndërrohet në "agjenci të burimeve njerëzore", e cila u beson vetëm strategjive, tabelave organizative, praktikave më të mira të korporatave, në vend që të besojë, para së gjithash, në praninë e Atij, i cili, prej dymijë vjetësh, e udhëheq me fuqinë shpëtuese të hirit, me punën e heshtur dhe të përditshme të Shpirtit Shenjt.

Besueshmëria nuk krijohet me strategji marketingu. Mund të jetë vetëm fryt i një Kishe, që di të kapërcejë ndarjet dhe kontrastet e brendshme. I një Kishe, veprimi i së cilës buron nga pasqyrimi i një drite, që nuk është e saj, por që i dhurohet vazhdimisht. I një Kishe, që nuk shpall vetveten dhe zotësinë e saj, që përbëhet nga barinj e besimtarë, të cilët, siç pohon Papa, e dinë se janë mëkatarë dhe ftojnë për t'u kthyer në udhën e Zotit, sepse e kanë provuar dhe e provojnë mbi vete faljen dhe mëshirën.

Andrea Tornielli

04 janar 2019, 15:06