Kërko

 Urbi et Orbi Urbi et Orbi 

Urimi i Papës për Krishtlindje: vëllazërim ndërmjet kombeve e feve të ndryshme!

Në mesazhin e Krishtlindjes “Urbi et Orbi”. Papa Françesku kujtoi vendet e ndryshme të botës, që kanë nevojë për paqe e pajtim. Një mendim i posaçëm, për të krishterët që e kremtojnë Krishtlindjen në rrethana armiqësore, duke uruar që të gjitha pakicave t’u njihet liria fetare.

R. SH. - Vatikan

Uroi vëllazërim për mbarë botën Papa, duke i drejtuar sot Mesazhin tradicional të Krishtlindjes, në përfundim të të cilit dha Bekimin Apostolik:

“Ju, besimtarë të Romës, ju shtegtarë e ju të gjithëve, që jeni lidhur sot me Romën, nga të katër anët e botës, ju kujtoj rishtas kumtimin gazmor të Betlehemit: “Lumni Hyjit në më të lartin qiell/ e përmbi tokë paqe njerëzve , që ai i ka për zemër” (Lk, 2,14).

Ashtu si barinjtë rendën të parët tek Shpella, rrimë të mahnitur para shenjës që na dha Zoti: “Një ferishte e lidhur në fasha, e vendosur mbi një grazhd” (Lk 2,12). Në heshtje, gjunjëzohemi dhe  e adhurojmë.

E ç’na thotë ky Fëmijë, që lindi për ne nga Virgjëra Mari? Cili është mesazhi universal i Krishtlindjes? Na thotë se Zoti është Atë i mirë e ne jemi të gjithë vëllezër.

Kjo e vërtetë është në bazë të vizionit të krishterë të njerëzimit. Pa vëllazërinë, që na e dhuroi Jezu Krishti, përpjekjet tona për një botë më të drejtë janë frymëshkurtëra. E edhe projektet më të mira rrezikohen  të katandisen në struktura pa shpirt.

Prandaj urimi im i Krishtlindjes, është urim vëllazërimi.

Vëllazërim ndërmjet njerëzve të çdo kombi e kulture!

Vëllazërim ndërmjet njerëzve me ide të ndryshme, por të aftë  ta respektojnë e ta dëgjojnë tjetrin!

Vëllazërim ndërmjet njerëzve me besime të ndryshme! Jezusi  erdhi t’ua dëftojë fytyrën e Zotit të gjithë atyre, që e kërkojnë.

E fytyra e Zotit u duk në një fytyrë njerëzore konkrete. Nuk u duk në një engjëll, por në një njeri, lindur në një kohë e në një vend të caktuar. E kështu, me mishërimin e Tij, Biri i Zotit na tregon se shëlbimi kalon  përmes dashurisë, mikpritjes, respektit për këtë natyrën tonë të varfër njerëzore, të përbashkët, me një mori etnishë, gjuhësh, kulturash… por të gjithë vëllezër, sepse njerëz!

Atëhere ndryshimet tona nuk janë dëm, as të rrezik, janë pasuri. Si puna e artistit, që dëshiron të bëjë një mozaik: është më mirë të ketë gurë me shumë ngjyra, sesa me pak!

Na e mëson këtë përvoja e familjes: vëllezërit e motrat ndryshojnë nga njëri-tjetra e jo gjithnjë merren vesh, por  kanë një lidhje të pazgjidhshme që i bashkon e dashuria e prindërve i ndihmon ta duan njëri-tjetrin. E njëjta gjë vlen për familjen njerëzore. Veçse këtu “prindi” është Zoti, themeli dhe forca e vëllazërimit tonë.

Kjo Krishtlindje premtoftë t’i zbulojmë lidhjet vëllazërore, që na bashkojnë si njerëz e i lidhin mbarë popujt. Izraelitëve e palestinezëve u ndihmoftë të rifillojnë dialogun dhe udhën e paqes, që i jep fund konfliktit i cili prej 70 vjetësh e copëton Tokën e zgjedhur nga Zoti, për t’i treguar botës fytyrën e tij të dashurisë.

Krishti fëmijë premtoftë që Siria e dashur të rigjejë vëllazërimin, pas gjithë këtyre viteve lufte. Bashkësia Ndërkombëtare bëftë përpjekje të vendosura për një rrugëzgjidhje politike, e cila i lë mënjanë interesat e palëve, që kështu populli sirian, posaçërisht ata, që u detyruan të largohen nga tokat e  tyre e të kërkojnë strehë gjetiu, të mund të rikthehen e të jetojnë në paqe, në atdheun e tyre.

Mendoj për Jemenin, duke shpresuar se armëpushimi i arritur me ndërmjetësinë ndërkombëtare do të mundë, më në fund, t’u sjellë lehtësim fëmijëve të shumtë e popullsive të  raskapitura  nga lufta dhe zija e bukës.

Mendoj, pastaj, për Afrikën, plot me refugjatë e të shpërngulur, që kanë nevojë për ndihmë humanitare e sigurim ushqimor. Krishti Fëmijë, Mbret i Paqes, premtoftë të heshtin armët e të lindë një agim i ri vëllazërimi në mbarë Kontinentin, duke bekuar përpjekjet e të gjithë atyre, që përpiqen të hapin shtigje të reja pajtimi, në nivel politik e shoqëror.

Krishtlindja i forcoftë lidhjet vëllazërore, që bashkojnë Gadishullin Korean, ndihmoftë të vijojë udha e nisur e afrimit e të gjinden rrugëzgjidhje të pranueshme për të dyja palët, që u sigurojnë të gjithëve zhvillim e mirëqenie”.

Në këtë kohë bekimesh, e ndihmoftë Venezuelën të rigjejë harmoninë ndërmjet gjithë pjesëtarëve të shoqërisë, që të punojnë vëllazërisht për zhvillimin e vendit dhe për mbrojtjen e shtresave më të ligshta të popullsisë.

Zoti i lindur, e ngushëlloftë Ukrainën e dashur, në pritje të ankthshme për  rifitimin e paqes së qëndrueshme, e cila po vonon të vijë. Vetëm me paqen, që respekton të drejtat e çdo kombi, vendi mund të marrë frymë lirisht, pas vuajtjeve të mëdha të pësuara e të rikrijojë kushte dinjitoze jete për qytetarët e vet. Jam pranë bashkësive të krishtera të këtij Rajoni e lutem  që të mund të krijojnë lidhje vëllazërimi e miqësie.

Përballë Krishtit Fëmijë, i rizbulofshin lidhjet vëllazërore banorët e Nikaraguas së dashur, që të mos kenë epërsi  përçarjet e  mospërkimet, por të gjithë të përpiqen për pajtim e për ta ndërtuar së bashku ardhmërinë e vendit.

Dëshiroj të kujtoj popujt, që pësojnë kolonizime ideologjike, kulturore dhe ekonomike, duke parë si nëpërkëmbet liria dhe dinjiteti i tyre e si vuajnë  nga uria dhe mungesa e shërbimeve edukative dhe shëndetësore.

Një mendim i posaçëm shkon tek vëllezërit dhe motrat, që e kremtojnë Lindjen e Zotit në rrethana të vështira, për të mos thënë armiqësore, posaçërisht atje, ku bashkësia e krishterë është pakicë, nganjëherë e ligshtë dhe e papërfillur. Zoti u dhashtë atyre dhe të gjitha pakicave, hirin të jetojnë në paqe  e t’u njihen të drejtat, posaçërisht, liria fetare.

Krishti Fëmijë, që dridhet nga e ftohta, të cilin e kundrojmë sot në grazhd, i mbrojtët të gjithë fëmijët e tokës e çdo njeri të ligshtë, të pambrojtur, të flakur rrugëve nga shoqëria. U dhashtë të gjithëve paqen dhe ngushëllimin, që vjen nga Shëlbuesi e, duke e ndjerë se duhen nga i vetmi Atë qiellor, të takohen e të jetojnë si vëllezër.

25 dhjetor 2018, 12:50