Cerca

Vatican News
Vizita e Papës për të Premtet e Mëshirës Vizita e Papës për të Premtet e Mëshirës 

Papa viziton dy struktura terapeutike në jug të Romës

Dalje e re e Papës Françesku nga Vatikani për “të Premtet e Mëshirës”. Ati i Shenjtë viziton, pa lajmëruar, dy struktura terapeutike në jug të Romës.

R.SH. - Vatikan

Sot pasdite, Papa Françesku deshi të vijojë traditën e “të Premteve të Mëshirës”, duke shkuar, pa lajmëruar, në dy struktura terapeutike në Romë. Doli nga Shtëpia e Shën Martës, në orën 15.30, i shoqëruar nga kreu i dikasterit për Ungjillëzimin e Ri, imzot Rino Fisichella.

Vizita në strukturën për të sëmurët me vështirësi ekonomike

         Fillimisht, shkoi në zonën e Trigories, në jug të kryeqytetit italian, në strukturën e administruar nga “CasAmica onlus”, ku strehohen të sëmurë, që kanë nevojë për kurim të vazhdueshëm, por nuk kanë mundësi ekonomike të shkojnë në hotel apo diku tjetër me pagesë. Ata qëndrojnë këtu, së bashku me familjarët. Janë shumica italianë, ardhur nga rajonet e jugut, por disa familje vijnë edhe nga Afrika e Veriut dhe nga Evropa Lindore. Strukturat spitalore, që i kurojnë, janë Campus Biomedico, Instituti Kombëtar i Tumoreve “Regina Elena” dhe Spitali Pediatrik i Krishtit Fëmijë.

Papa i ra ziles

         Papa i ra ziles dhe u prit nga personeli i habitur për vizitën e papritur. Disa nga personat, që banojnë në strukturë, ndodheshin në kuzhinë, ndërsa disa fëmijë, në sallën e lojrave. Ati i Shenjtë u ndal për të luajtur e për të bërë shaka me ta, pastaj foli me prindërit, që e përshëndetën me dashuri të madhe. Papa Françesku dëgjoi me vëmendje historinë e Akilit dhe të Andreit, dy fëmijë 13 dhe 11 vjeç, me një sëmundje onkologjike të rëndë; pastaj, atë të Sandrës dhe të Plamen, ardhur nga Bullgaria e atë të Aruas, nga Maroku, fëmijë nga 3 deri në 5 vjeç me sëmundje hematologjike; së fundi, foli me Oracion nga Montaldo di Castro, Jozefin nga Kozenca dhe Jozinën nga Açireale, shoqëruar nga bashkëshortët. Para se të largohej, Ati i Shenjtë la një pergamenë, në kujtim të vizitës, dhe disa dhurata për familjet.

Vizita në bashkësinë e rehabilitimit “Ura dhe Pema”

         Më pas, Papa shkoi për të vizituar bashkësinë terapeutike rehabilitative “Ura dhe Pema”, në lagjen Laurentino 38, një nga zonat më të vështira në periferinë jugore të Romës. Aty banojnë 12 të rinj me probleme mendore e me kushte familjare, që nuk u japin asnjë mundësi për përmirësim. Në këmbë, Papa u ngjit në shkallën e strukturës dhe i gjeti të rinjtë në mesin e veprimtarive të tyre.

Të rinjtë i kishin shkruar

U plotësoi kështu dëshirën, që ata vetë i kishin shprehur me një letër, dërguar Françeskut muaj më parë. I tregonin për vështirësitë e përditshme dhe për përpjekjet e tyre për të dalë nga gjendja aktuale, me ndihmën e mjekëve dhe të infermierëve. E patën ftuar për vizitë e sot, Papa u ul me ta, i dëgjoi dhe i inkurajoi, duke iu përgjigjur pyetjeve. Ndërkaq, erdhën edhe disa prindër, që e përqafuan dhe e falenderuan Atin e Shenjtë për vëmendjen e treguar. Papa la një panetone prej 10 kg, për të festuar Krishtlindjen. Në përfundim të vizitës, u kthye në Vatikan.

07 dhjetor 2018, 19:24