Kërko

Dëmtime nga uragani në Meksikë Dëmtime nga uragani në Meksikë 

Papa: trajtojeni tokën me butësi

“Kthejeni tryezën në një vend takimi dhe vëllazërie e jo vetëm një hapësirë për t’u dukur, për të shkapërderdhur e për të kënaqur tekat”: thirrja e Papës në një mesazh për pjesëmarrësit në simpoziumin e organizuar nga Politeknikumi i Madridit me temën “Uji, bujqësia dhe ushqimi: të ndërtojmë të ardhmen”.

R.SH. - Vatikan

“Sfidat e sotme për njerëzimin janë aq të ndërlikuara sa kërkojnë shumën e ideve, bashkimin e përpjekjeve, plotësueshmërinë e perspektivave dhe njëkohësisht dorëheqjen nga egoizmi ekskluziv dhe protagonizmi i dëmshëm”: kështu u shkruan Papa Françesku, pjesëmarrësve të ditës së organizuar në kryeqytetin spanjoll, nga institucione të ndryshme akademike, shoqërore dhe kishtare, me pjesëmarrjen e FAO-s (Organizatës Botërore për Ushqimin dhe Bujqësinë).

Mos bini në kurthin e meskinitetit

Duke iu referuar temës së simpoziumit, që merret me ujin, bujqësinë dhe ushqimin, Papa theksoi se urtia biblike e paraqet prej kohësh lidhjen e ngushtë ndërmjet “shiut, të korrave dhe ushqimit”, në këndvështrimin e “mirënjohjes ndaj Zotit e jo në atë të pangopësisë e të shfrytëzimit”. Që këtej, thirrja për përgjegjësi për “të mos mbetur të bllokuar në llogari meskine, që na pengojnë të ndihmojmë më të pafavorizuarit”, të privuar nga pasuritë themelore.

Mos e lini veten në dorën e interesave të disave

Papa Françesku e vlerësoi perspektivën e simpoziumit në ndërtimin e së ardhmes. Ajo përmban “një ndjenjë pozitiviteti, kontributin për të mirën e përbashkët, hapjen ndaj tjetrit, reciprocitetin dhe bashkëpunimin” - çelësa themelorë për “bashkëpunim besnik, solidar dhe bujar”, në “një shoqëri që duhet të vendosë në qendër njeriun dhe të drejtat e tij themelore, pa u zvarritur pas interesave të dyshimta, që pasurojnë vetëm disa, fatkeqësisht, gjithnjë po ata”. Kjo do t’u japë mundësinë edhe brezave të ardhshëm të kenë “burimet e nevojshme për të shijuar një jetë të denjë dhe të plotë”.

Kultivojeni tokën pa shkaktuar dëme

Papa Françesku bën thirrje që të merren vendime të shëndosha dhe të hidhen bazat për “një shoqëri të drejtë dhe gjithëpërfshirëse”, e cila të dijë të çrrënjosë urinë e një pjesë shumë të madhe të njerëzimit. Toka, nënvizon Ati i Shenjtë, ka pasuri të mjaftueshme për të gjithë, në sasi dhe cilësi. Duhet mbrojtur ambienti, vijon Papa, “duke ruajtur bukurinë e tij dhe shumëllojshmërinë e ekosistemeve, duke kultivuar fushat me kujdes, pa lakmi, pa shkaktuar dëme të pakthyeshme”.

Një grumbull të këqiash dhe mjerimi

“Toka duhet të trajtohet me butësi”, jo siç ndodh në shumë rajone të planetit, paralajmëroi Papa, “ku uji është i ndotur, plehrat grumbullohen, shpyllëzimi përparon, ajri është i ndenjur dhe toka shkretohet. E gjithë kjo sjell akumulimin e dëmshëm të të këqijave dhe të mjerimeve “.

Dija vlerën ushqimit

Nën akuzë, edhe shpërdorimi i ushqimit, prandaj, është thelbësore - këshillon Françesku - “të edukohen fëmijët dhe të rinjtë të hanë në mënyrë të shëndetshme e jo vetëm të mbushin barkun. Kjo – shpjegon Papa - kërkon njohjen e vlerës së ushqimit, çlirimin nga konsumizmi frenetik dhe i pandërgjegjshëm dhe kthimin e tryezës së bukës në vend takimi dhe vëllazërie e jo vetëm në hapësirë për t’u dukur, për të shpërdoruar e për të kënaqur tekat”.

Një shtëpi që mirëpret të gjithë

Së fundi, Papa uron që kjo ditë ta përtërijë vullnetin “për ta bërë Tokën, shtëpinë e përbashkët që na mirëpret të gjithëve, një shtëpi me dyer të hapura, një vend bashkimi dhe bashkëjetese të dobishme”.

13 dhjetor 2018, 17:14