Kërko

Papa, në takimin me shoqatën Rondine Papa, në takimin me shoqatën Rondine 

Papa, shoqatës “Rondine”: të zhduket lufta nga historia e njerëzimit

Të punojmë së bashku për ta zhdukur luftën nga historia e njerëzimit e për të krijuar një botë në paqe. Papa Françesku e kërkon këtë në takimin me shoqatën “Rondine – Qyteza e Paqes”.

R.SH. - Vatikan

Të bashkojmë forcat që lufta të zhduket krejtësisht nga planeti e nga historia e njerëzimit: kjo është thirrja e Papës Françesku në takimin e sotëm me anëtarët e shoqatës “Rondine – Qyteza e Paqes”, me rastin e 20-vjetorit të themelimit. Sipas Atit të Shenjtë, paqja është përgjegjësi universale e çdo veprim i njeriut duhet të kontribuojë për shembjen e mureve e për ndërtimin e urave, që të bien kufinjtë e njerëzit t’i kthehen dialogut. Vetëm me dialog, nënvizon Papa, krijohet besim tek të rinjtë - impenjimi kryesor i shoqatës, e cila lëshon shtat mbi dy rrënjë të mëdha shpirtërore: Shën Françesku i Asizit, që mori varrët e Krishtit në La Verna dhe, shën Romualdi, themelues i Camaldoli-t.

Mbështetja e Papës për thirrjen drejtuar OKB-së

         Papa Françesku u kërkon rreth 350 të rinjve të pranishëm të mos e konsiderojnë tjetrin armik, u siguron mbështetjen për thirrjen që vetë ata e kanë shkruar për OKB-në, në 70-vjetorin e Deklaratës së të Drejtave të Njeriut. Në tekstin, që do të paraqitet më 10 dhjetor, në Kombet e Bashkuara, një i ri palestinez e një i ri izraelit u kërkojnë qeverive të bëjnë hapat e domosdoshme për “ta zhvendosur koston e një arme nga bilanci i Ministrisë së Mbrojtjes në atë të Arsimit, për të formuar kështu liderë të paqes”.

         “Është diçka e rrallë – u thotë Papa – është diçka e ndritshme. Si mund të mos jemi dakord? Po ne të rriturit nuk mund të ndalemi në një ‘ju lumtë djema!’. E ndjej për detyrë t’ju jap mbështetjen time, simpatinë, bekimin tim”.

Liderë të aftë ta shndërrojnë armikun në mik

         Paqja, nënvizon më tej Papa, është përgjegjësi e secilit dhe e të gjithëve. Françesku përvijon karakteristikat e një lideri, në gjendje të veprojë që i gjithë njerëzimi të ndihet një familje e vetme dhe Toka, një Shtëpi e vetme, ku të jetohet në miqësi e harmoni. U premton të rinjve se do t’i mbështesë.

         “Zëri juaj – i dobët, por i fortë me shpresën dhe guximin e rinisë – u dëgjoftë më 10 dhjetor në Kombet e Bashkuara. Na duhen liderë me mendësi të re. Nuk janë liderë të paqes ata politikanë, që nuk dinë të dialogojnë e të ballafaqohen: një udhëheqës, që nuk përpiqet ta bëjë për vete ‘armikun’, të ulet në tryezë me të, siç bëni ju, nuk mund ta drejtojë popullin e vet kah paqja. Për këtë duhet përvujtëri e jo arrogancë: shën Françesku ju ndihmoftë ta ndiqni këtë rrugë, me guxim”.

03 dhjetor 2018, 15:10