Kërko

 Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Papa në Engjëllin e Tënzot: Maria, model feje për një Krishtlindje të jetuar bashkërisht

Duke uruar Krishtlindjen, Papa kujtoi të gjithë ata, që do ta kremtojnë në gjirin e familjes, pa harruar as vetmitarët: “Nëse jeni të krishterë - nënvizoi - ju uroj ta gjeni në Kishë familjen e vërtetë. Portat e bashkësisë së krishterë janë të hapura. Jezusi lind për të gjithë e ua dhuron të gjithëve dashurinë e Zotit!”.

R. SH- Vatikan

Ta shikojmë Marinë, model feje e dashurie: vizita e saj tek kushërira e motuar, Elizabeta, na përgatit ta jetojmë mirë Krishtlindjen, një Festë plot mirësi, në qendër të së cilës nuk është “uni” ynë, por Jezusi, e janë edhe vëllezërit, posaçërisht ata, që kanë nevojë  për një dorë të shtrirë. Papa Françesku, para Lutjes së Engjëllit të Tënzot, rilexoi Ungjillin e Vizitës së Marise tek Elizabeta, propozuar nga liturgjia e së Dielës IV të Kohës së Ardhjes dhe shpjegoi se Shpirti Shenjt i jep Virgjërës  gjallërinë e fesë e të dashurisë, që e nxit të ngarendë tek kushërira e motuar.

Takimi i dy grave, në pritje

Papa përshkroi takimin e dy nënave, në pritje. Elizabeta brohoret e para për fenë e Marisë: “Lum ajo, që besoi në Fjalët e Zotit!”:

“Duket qartë kontrasti ndërmjet Marisë, që pati fe, e Zakarisë, burrit të Elizabetës,  që dyshoi e nuk i besoi premtimit të Engjëllit e, prandaj edhe  mbeti memec derisa lindi Gjoni”.

Takimi me Zotin është fryt i fesë

Ky episode - vijoi Françesku - na ndihmon ta lexojmë nën një dritë të re, krejt të veçantë, misterin e takimit të njeriut me Zotin:

“Takim, i cili nuk kryhet nën shenjën e mrekullive, që të lënë pa mend, por nën shenjën e fesë e të dashurisë. Maria është e lume sepse besoi: takimi me Zotin, është fryt i fesë. Ndërsa Zakaria, që dyshoi e nuk besoi, mbeti shurdhmemec. Pse? Për t’u rritur në fe, i zhytur në heshtjen e gjatë”.

Pa fe, atij që vuan, i mungon forca e fjalës

Papa nënvizoi se, ashtu si Zakaria, pa fe njeriu mbetet shurdh për zërin ngushëllues të Zotit e i paaftë për të shqiptuar fjalë ngushëllimi e shprese për vëllezërit:

“E ne e shikojmë këtë ditë për ditë: njerëzit, që nuk kanë fe, ose kanë fe fort të paktë, nuk kanë as forcë të flasin. Kur duhet t’i afrohen njeriut që vuan, i thonë fjalë të përgjithshme, por nuk arrijnë kurrë në zemër të tjetrit, sepse nuk kanë forcë. E nuk kanë forcë, sepse nuk kanë fe. E po të mos kesh fe, nuk të vijnë në gojë fjalët,  që i depërtojnë tjetrit në zemër”.

Fe, që ushqen dashurinë e krishterë

Feja - vijoi Papa Françesku - ushqehet me dashuri. Ungjilltari tregon se Maria u ngrit e shkoi me nxitim - me nxitim, jo me ankth - kujtoi Papa - me një gjest plot kujdes e dashuri:

“Mund të kishte ndenjur edhe në shtëpi, që të përgatitej për lindjen e foshnjës së vet, po ajo nuk mund ta bënte këtë. Maria shqetësohet më parë  për të tjerët, sesa për vetveten, duke treguar se është dishepulle e atij Zoti, që e mbart në kraharor. Kështu nisi ngjarja e lindjes së Jezusit, me një gjest dashurie të krishterë, duke na kujtuar se dashuria e vërtetë është gjithnjë fryt i dashurisë së Zotit”.

Në qendër, jo “uni”, por vëllezërit nevojtarë

Ungjilli i kësaj së dieleje - përfundoi Françesku - na përgatit ta jetojmë mirë Krishtlindjen, duke na mbushur me gjallërinë e fesë e të dashurisë së krishterë. Gjallëri, e cila është vepra e Shpirtit Shenjt: Shpirtit të dashurisë, që fekondoi kraharorin virgjëror të Marisë dhe e nxiti të vrapojë në shërbim të së kushërirës së moshuar. Gjallëri plot gëzim shikojmë në takimin e dy nënave - komentoi akoma Papa - Është himni i ngazëllimit në Zotin, që kryen punë të mëdha me të vegjlit, të cilët e mbëshestin gjithë besimin në Të”:

“Virgjëra Mari na nxjerrtë hirin të jetojmë një Krishtlindje për e ndërmjet tjerëve. Një festë, që të mos ketë në qendër “unin” tonë, por “Ti”-në e Jezusit e të vëllezërve, posaçërisht atyre, që kanë nevojë për një dorë mike. Atëhere, t’i bëjmë vend Dashurisë, që edhe sot dëshiron të mishërohet e të vijë të banojë ndër ne”.

Mendimi i Papës për ata, që e kremtojnë Krishtlindjen larg familjes

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi Krishtlindjen, tashmë tek portat. Mendimi im - shtoi - shkon posaçërisht tek familjet, që këto ditë  kremtojnë së bashku: edhe kush jeton larg prindërve, niset e kthehet në shtëpi: vëllezërit ndjejnë dëshirë të jenë bashkë…Është gjë e bukur të jesh bashkë për Krishtlindje. Të gëzohesh në familje. Por - nënvizoi akoma Françesku - shumë njerëz nuk e kanë këtë mundësi:

“Të dashur vëllezër e motra, Ati ynë qiellor nuk ju harron as nuk ju braktis. Nëse jeni të krishterë, ju uroj ta gjeni familjen e vërtetë në Kishë, ku të shijoni ngrohtësinë e dashurisë vëllazërore. E të gjithë atyre, që janë larg nga familjet, të krishterë e jo të krishterë, u them: portat e bashkësisë së krishterë janë të hapura. Jezusi lind për të gjithë e ua dhuron të gjithëve dashurinë e Zotit!”.

23 dhjetor 2018, 14:24