Kërko

 Lutja e Engjëllit të Tënzot Lutja e Engjëllit të Tënzot 

Papa në Engjëllin e Tënzot: gëzimi i Betlehemit dhe vdekja e Shtjefnit nuk janë në kontrast

Shën Shtjefni, shpjegoi Papa, qe i pari që eci mbi gjurmët e Mësuesit Hyjnor: vdiq si Jezusi, duke ia besuar jetën e tij Zotit e duke i falur persektuesit.

R. SH. - Vatikan

Nuk është e çuditshme ta kujtosh Shën Shtjefnin pranë e pranë me ditëlindjen e Jezusit. E Papa Françesku e vuri qartë në dukje, në lutjen e   Engjëllit të Tënzot të 26 dhjetorit, kur kremtohet martiri i parë i Kishës në fasha. “Shën Shtjefni - kujtoi Papa - qe i pari që ndoqi gjurmët e Mësuesit Hyjnor. Si Krishti i përfundoi ditët me martirizim. E vdiq duke ia besuar jetën Zotit e duke i falur salvuesit.

Ftesë, për ne

Sjellja e Shtjefnit - nënvizoi akoma Papa - është ftesë. I drejtohet secilit prej nesh, që ta pranojmë me fe nga duart e Zotit gjithçka të mirë a të vështirë që na bie për short.

Besimi në Zotin na ndihmon t’i pranojmë edhe çastet e vështira e t’i jetojmë si rast për t’u rritur në fe e për të krijuar lidhje të reja me vëllezërit.  Ta lëshojmë, pra, vetveten në dorë të Zotit, që e dimë se është Atë plot me mirësi për gjithë bijtë  e vet.

Dy sjelljet e Shën Shtjefnit

 Djaloshi i parë martir në historinë e Kishës, përveçse ia besoi jetën e tij Zotit, si Jezusi, i fali, si Krishti, edhe persekutuesit e madje edhe u lut për ta. Kjo sjellje - vijoi Françesku - na kujton se duhet të mësohemi të falim, gjithnjë: falja e zgjeron zemrën, aq sa të mund ta zërë edhe armikun. Falja krijon atmosferë paqeje. Falja sjell prehjen e shpirtit:

“Shtjefni Protomartir na tregon udhën, që duhet të përshkojmë në marrëdhëniet ndërpersonale: në familje, në shkollë, në punë, në famulli e në bashkësitë e ndryshme. Logjika e faljes dhe e mëshirës fiton gjithnjë  e hap horizonte të pamasa shprese. Por falja kultivohet duke u lutur. Falja arrihet duke i mbajtur sytë të ngulur mbi Jezusin!”.

Forca e lutjes

Shtjefni - vuri në dukje Papa Françesku - ia doli mbanë të falë, në sajë të forcës, që i buronte nga lutja, forcë, e cila e ndihmoi ta përballojë martirizmin. Forcë, që mund t’i shërojë edhe ligështitë tona:

“Duhet ta lusim me ngulm Shpirtin Shenjt të dikojë mbi ne dhuratën e qëndresës, e cila e mposht frikën tonë, ligështinë tonë, vogëlsinë tonë”.

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa përshëndeti shtegtarët e pranishëm, duke përsëritur urimin që kundrimi i Krishtit Fëmijë, me Marinë e Jozefin pranë, të na ngjallë në shpirt frymën e vëllazërimit e dëshirën e ndarjes së përbashkët të të mirave e të të vështirave në familje e në bashkësi. Falënderoi, më pas, të gjithë ata, që i dërguan mesazhe urimi:

“Në këto ditë mora shumë mesazhe urimi nga Roma dhe nga të katër anët e botës. Nuk kam mundësi t’u përgjigjem të tërëve. Prandaj ju shpreh sot ju dhe të gjithëve, falënderimin tim të sinqertë, posaçërisht për dhuratën e lutjes”.

26 dhjetor 2018, 13:14