Cerca

Vatican News
Mbledhja e Këshillit të Kardinajve (Foto arkivore) Mbledhja e Këshillit të Kardinajve (Foto arkivore) 

Papa merr pjesë në mbledhjen e Këshillit të Kardinajve

Është fjala për takimin e 27-të të Këshillit të Kardinajve, themeluar nga Papa më 2013, me qëllim që ta ndihmojë në qeverisjen e Kishës universale. Aktualisht ka për detyrë të studiojë një plan për Kushtetutën e re Apostolike mbi Kurien Romake.

R.SH. - Vatikan

Sot paradite, në praninë e Papës Françesku, filloi Takimi i 27-të i Këshillit të Kardinajve. Punimet do të vijojnë deri të mërkurën, 12 dhjetor.

         Në mbledhjen e fundit, në shtator, punimet iu kushtuan bocës së Kushtetutës së re Apostolike të Kuries Romake, që përkohësisht titullohet “Praedicate evangelium” (Predikoni Ungjillin). Këshilli ia pati dorëzuar Papës tekstin e përkohshëm, i cili duhej rishikuar nga pikpamja e stilit dhe e ligjeve kanonike. Në atë rast, u njoftua edhe takimi i Papës në Vatikan, nga 21 deri më 24 shkurtin e vitit të ardhshëm, me të gjithë krerët e Konferencave Ipeshkvnore, “për të folur mbi parandalimin e abuzimeve me të miturit dhe me të rriturit e brishtë”.

         Papa Françesku e formoi Këshillin e Kardinajve me Kirografin e 28 shtatorit 2013, duke i kërkuar ndihmë në mbarështimin e Kishës universale. Këshilli ka për detyrë të studiojë një plan për Kushtetutën e re Apostolike mbi Kurien Romake. Mbledhja e parë e tij u mbajt më 3 tetor 2013.

10 dhjetor 2018, 16:10