Cerca

Vatican News
 Lumnimi i Martirëve Lumnimi i Martirëve 

Papa: Martirët e lumnuar në Algjeri, simbol vëllazërimi!

Për herë të parë në një vend mysliman, Lumnimi i 19 martirëve të krishterë. Mesazhi i Papës: një çast, në të cilin të gjithë popujt duan t’u realizohen dëshirat e tyre për të jetuar në paqe.

R. SH. - Vatikan

I vranë, sepse e urrenin fenë e tyre, sepse dëshmuan dashurinë për Krishtin  e vendosën të rrinë në Algjeri, ndërmjet algjerianëve, në vitet e errëta të terrorizmit. Ky fat i bashkon 19 rregulltarët, që u lumnuan në Shenjtëroren e Zojës së Shën Krygjës, në Oran të Algjerisë, në praninë e shumë myslimanëve të cilët, siç deklaroi imzot Desfarges, kryeipeshkëv i Algjerit, duan “të nënvizojnë se ata nuk i vrau Islami, “por një ideologji, e cila e shpërfytyron këtë fe”.

Besimtarë, përkrah besimtarëve

Ndërmjet viteve 1994 e 1996, humbën jetën edhe nëntëdhjetë e nëntë hoxhë, e me ta, edhe shumë gazetarë, shkrimtarë e intelektualë, që nuk pranuan ta justifikojnë dhunën, në emër të Zotit. Është hera e parë që martirët e krishterë lumnohen në një vend mysliman, sinjal i rëndësishëm - shpjegon akoma kryeipeshkvi: “Përmes tij, autoritetet e kuptuan që me këtë kremtim, duam të dëshmojmë se mund të jetohet së bashku, se mund të ecim besimtarë përkrah besimtarëve”.

Mesazhi i Françeskut, drejtuar katolikëve të Algjerisë me rastin e kremtimit, që filloi në orën 13.00, u lexua nga kardinali Angelo Becciu, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve dhe i dërguar i veçantë i Papës. Ishte inkurajim vëllazëror që “ky kremtim të mund të ndihmojë për t’i shëruar plagët e së kaluarës e për të krijuar dinamikën e takimit dhe të bashkëjetesës, si rezultat i flijimit të të Lumëve”. Në mesazhin, tashmë të botuar, Françesku u shpreh mirënjohjen e tij të gjithë bijve e bijave të Algjerisë që, ndonëse viktima të së njëjtës dhunë, i jetuan me besnikëri e respekt për tjetrin, detyrat e tyre si qytetarë, në këtë tokë të bekuar.

Të vijojë puna për dialogun

Për Papën, me Lumnimin e këtyre vëllezërve e motrave “Kisha dëshiron të dëshmojë vullnetin e saj për vijimin e dialogut, harmonisë e miqësisë”, me bindjen e patundur se kjo ngjarje, e pashembullt në historinë e Algjerisë, “do të jetë shenjë e madhe vëllazërie në qiellin algjerian, për mbarë botën”:

“Kisha katolike në Algjeri e di se është trashëgimtare, së bashku me gjithë kombin algjerian, e mesazhit të madh të dashurisë së ofruar prej njërit nga mjeshtrat e mëdhenj shpirtëror të kësaj toke, Shën Agostinit të Iponës. Dëshiron t’i shërbejë po këtij mesazhi, në një çast kur gjithë popujt kërkojnë të shkojë përpara dëshira e tyre për të jetuar së bashku në paqe”.

Edhe pas Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa foli për figurat e të Lumëve të rinj, të cilët i quajti “ndërtues të paqes e dëshmitarë heroikë të dashurisë së krishterë”.

08 dhjetor 2018, 17:34