Kërko

Papa lutet për viktimat në Indonezi

Papa bën thirrje që të mos u mungojë ndihma e Bashkësisë Ndërkombëtare popullisve të goditura nga tcunami, në Indonezi. Ndërkaq bilanci, ende i përkohshëm, arrin në 220 viktima e 800 të plagosur.

R. SH. - Vatikan

“Mendimi im shkon, në këtë çast, tek popullsitë e Indonezisë, të dëmtuara rëndë nga një fatkeqësi e madhe e natyrës, që shkaktoi humbje të rënda  jetësh njerëzore, shumë të zhdukur e edhe më shumë të pastrehë si dhe dëme të jashtzakonshme materiale”. Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi, kështu, viktimat e Tcunamit të tmerrshëm, që i shkretoi brigjet e Indonezisë rreth ngushticës së Sondës, ndërmjet ishujve Java e Sumatra, duke shkaktuar më se 220 të vdekur, 800 të plagosur e rreth 30 të humbur.

Françesku: ndihmë për popullsitë e Indonezisë

Françesku i ftoi të gjithë të bashkohen me të në lutje për viktimat dhe të dashurit e tyre, duke u shprehur afërsinë e tij të shpërngulurve dhe të gjithë njerëzvet të vënë në këtë provë të rëndë e duke e lutur Zotin t’ua lehtësojë vuajtjen. “Bëj thirrje - theksoi -  që këtyre vëllezërve e motrave  të mos u mungojë solidariteti ynë dhe mbështetja e Bashkësisë Ndërkombëtare”.

23 dhjetor 2018, 15:58