Cerca

Vatican News
 Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot  (Vatican Media)

Papa Françesku: familja është thesar, duhet mbrojtur

Para lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot, Papa reflektoi për festën e sotme të Familjes Shenjte të Nazaretit, duke kujtuar përvojën e Marisë, të Jozefit e të Jezusit, të bashkuar nga një dashuri e thellë e të frymëzuar nga besimi i patundur në Zotin

R. SH. - Vatikan

Mahnitje e ankth: mbi këto dy gjendje shpirtërore Françesku u tërhoqi vëmendjen besimtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për lutjen e Engjëllit të Tënzot. Papa komentoi fragmentin ungjillor të shtegtimit të Familjes së Nazaretit drejt Jeruzalemit për festën e Pashkëve (Lc 2,41-52), për t’u ndaluar tek shqetësimi i familjes nga zhdukja e Jezusit, në kthim. Gjë që thekson se Biri i Zotit ishte në qendër të vëmendjes në Familjen Shenjte, festën e së cilës e kremton sot Kisha.

Jetë pa Jezusin  

Gjatë kthimit nga Jeruzalemi, Maria e Jozefi u kujtuan se djali i tyre 12 vjeçar nuk po shtegtonte me karvanin. Nisën, atëhere, kërkimet. Tri ditë. Të pushtuar nga  frika e ankthi. Derisa e gjetën  në Tempull, ulur në mes të doktorëve të ligjit, duke diskutuar me ta. Papa e vuri fort theksin mbi ankthin që provuan Virgjëra Nënë e  fati i saj, Jozefi për këtë bir, të cilin  e ruanin si sytë e ballit, e shikonin si lëshonte shtat e rritej në moshë, urti e hir, në gjirin e tyre. Prani, që rritej e rritej sidomos në zemrat e prindërve:

“Ky ankth, që provuan prindërit gjatë tri ditëve të zhdukjes së Jezusit, duhet të ishte edhe ankthi ynë, kur jemi larg Tij. Duhet ta ndjejmë thellë ankthin, kur e harrojmë Jezusin për më shumë se tri ditë, pa u lutur, pa lexuar asnjë rresht nga Ungjilli, pa e ndjerë nevojën e pranisë e të miqësisë së Tij ngushëlluese. E nganjëherë kalojnë ditë e ditë pa e kujtuar fare Jezusin: ç’gjë e keqe, kjo! Tepër e keqe! Duhet të na pushtojë ankthi nga një mungesë e tillë në shpirtin tonë”.

Por, të rikthehemi tek Maria e Jozefi, që e kërkonin e që, më në fund, e gjetën në Tempull ndërmjet dijetarëve duke i pyetur e duke iu përgjigjur atyre. U jepte mësim! Kështu mund ta takojmë të gjithë Jezusin e ta pranojmë lajmin e  tij të shëlbimit.

Në kremtimin eukaristik - ngulmoi Papa - takohemi me Krishtin e gjallë. Ai na flet! Ai na fal Fjalën e vet, që shndrit udhën tonë, na dhuron Korpin e vet, nga i cili marrim forcë për t’i përballuar vështirësitë e përditshme.

Mahnitja i hap zemrat për botën

Të gjitha atyre familjeve që, për arsye të ndryshme, u mungon paqja e harmonia, Papa u  flet për shembullin dhe mbrojtjen e Familjes Shenjte të Nazaretit, në të cilën nuk mungoi kurrë mahnitja, as në çastet dramatike të humbjes së Jezusit. Çudia e mrekullimi ta mbushin shpirtin plot e nuk të lejojnë  t’i shpjegosh sipas qejfit tënd realitetin dhe ngjarjet e historisë:

“Të çuditesh e t’ia hapësh zemrën tjetrit, t’i kuptosh arsyet e tjerëve, është shumë e rëndësishme për t’i rikrijuar lidhjet e këputura ndërmjet njerëzve. E domosdoshme, edhe për t’i shëruar plagët e hapura në mjediset familjare”.

Kur ngulmojmë se kemi  të drejtë - theksoi akoma Papa - ua mbyllim portat të tjerëve. Prandaj ka shumë rëndësi të mahnitemi nga gjithçka është e mirë tek tjetri, gjë që ndikon edhe në mbrojtjen e unitetit familjar.

Përshëndetjet e Papës drejtuar të pranishëmve

Pas lutjes mariane, Papa përshëndeti rregulltarët mercedarë, ardhur së bashku me ministrantët nga të katër anët e Italisë, si dhe besimtarët e Legnaros e Gragnanos, pa harruar edhe disa  skaut e  famulli  të dioqezës së Bergamos.

30 dhjetor 2018, 13:52