Papa Françesku: bukuria e amshimit është shpresa që na mban
R.SH. - Vatikan
U mbajt dje, mbledhja XXIII publike e Akademive Papnore, përqendruar mbi temën “Amshimi, faqja tjetër e jetës”. Në një mesazh për pjesëmarrësit, Papa Françesku vë në dukje se reflektimi për këtë argument të rëndësishëm, “bërthamë themelore e fesë së krishterë”, nuk ka hapësirën dhe kujdesin, që meriton, “në katekizëm e në kremtimet kishtare”. Nganjëherë, shton Ati i Shenjtë, të krijohet përshtypja se tema e jetës së amshuar “harrohet, ose lihet mënjanë qëllimisht, sepse duket e largët, e huaj për jetën e përditshme dhe për ndjeshmërinë bashkëkohore”.
E ardhmja, përtej vdekjes, duket e padeshifrueshme
Kjo, vëren më tej Papa, mund të varet nga shumë faktorë. “Një nga fenomenet, që karakterizon kulturën aktuale – shpjegon Françesku – është pikërisht largimi nga horizontet transhendentale, mbyllja në vetvete, kapja pas së tashmes, duke harruar, ose duke i çensuruar përmasat e së kaluarës e sidomos, të së ardhmes, që nga të rinjtë shihet si e errët e plot pasiguri. Në këtë kuadër, e ardhmja përtej vdekjes, pashmangshmërisht, duket edhe më e largët, e padeshifrueshme, ose krejtësisht e paqenë”.
Duhet ndryshuar gjuha
Faktori tjetër, që përmend Ati i Shenjtë, ka të bëjë me “gjuhën tradicionale, që përdoret në predikime, ose në katekizëm, për ta kumtuar këtë të vërtetë feje”. Sot, nënvizon Papa, kjo gjuhë “mund të duket gati e pakuptueshme e nganjëherë, transmeton një imazh pak pozitiv e aspak tërheqës të Jetës së amshuar”.
Bukuria e amshimit
Reflektimi i Etërve të Kishës dhe i teologëve të mëdhenj, përfundon Françesku, duhet të na ndihmojë e të na inkurajojë ta proprozojmë me pasion e me një gjuhë të përshtatshme për kohën e sotme atë, që është thelbi i fesë sonë, shpresa që na mban gjallë e na jep forcë në dëshminë e përditshme të krishterë para botës: bukurinë e amshimit.
Ҫmimi i Akademive Papnore
Pasditja e djeshme qe edhe rasti për të dhënë Ҫmimin e Akademive Papnore. Këtë vit ai iu dha “ex aequo”, dy studiuesve të rinj: Stefano Abbate-s, për tezën e doktoraturës me titull “Shekullarizimi i shpresës së krishterë përmes gnosis dhe ebionizmit. Studim mbi mesianizmin modern”, si edhe Francisco Javier Pueyo Velasco-s, për veprën “Plotësia tokësore e Mbretërisë së Zotit në historinë e teologjisë”. Ҫmimin e dorëzoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Gjithashtu, iu dha Medalja e Papnisë, Guillermo Contìn Aylòn për tezën “Po shkoj tek Ati. Ngjitja e Krishtit në qiell në Komentarin e Shën Gjonit, të shën Tomës së Akuinit”.