Cerca

Vatican News
 Jeta: shtatzëna Jeta: shtatzëna 

Tweet i ri i Papës kushtuar jetës: është e çmuar, e shenjtë, e pacënueshme

Papa Françesku thekson, në një tweet, vlerën e jetës, në të gjitha fazat e saj: “Para syve të Zotit jeta njerëzore është tejet e çmuar, e shenjtë, e pacënueshme! Askush nuk mund ta përbuzë jetën e tjetrit, e as të vetën”.

R. SH. - Vatikan

Në shumë raste Papa Françesku është ndaluar tek tema e jetës. Në mënyrë të posaçme, në Fjalimin e 30 majit 2015, drejtuar pjesëmarrësve në takimin e organizuar nga Shoqata “Shkenca dhe Jeta”, ku vuri theksin përmbi kriterin e veçantë për vlerësimin e një shoqërie: “Shkalla e progresit të një qytetërimi matet me aftësinë për ta ruajtur jetën, sidomos në fazat e saj më të brishta, shumë më tepër sesa me përhapjen e mjeteve teknologjike. Kur flasim për njeriun, nuk duhen harruar kurrë të gjitha atentatet  kundër shenjtërisë së jetës njerëzore”.

Atentatet kundër jetës

“Është atentat kundër jetës - theksoi Papa me këtë rast - plaga e abortit. Atentat kundër jetës, t’i lësh të vdesin vëllezërit tanë mbi barka në kanalin e Sicilisë! Atentat kundër jetës, vdekja në punë, sepse nuk respektohen as kushtet më të domosdoshme të sigurisë. Atentat, vdekja nga uria! Atentat kundër jetës, terrorizmi, lufta, dhuna! Por atentat kundër jetës është edhe eutanazia!”.

Për Papën, këtyre sulmeve kundër jetës, mund t’u gjegjemi vetëm e vetëm duke e dashur fort jetën, tonën e të tjetrit. Duke u kujdesur për vete e për të afërmin. Duke i dashur të mirën njeriut e njerëzimit. Duke kultivuar e duke respektuar dinjitetin transhendent!

22 nëntor 2018, 17:12