Kërko

Papa: thashethemet vrasin, të krishterët ta dëshmojnë Zotin me vërtetësi e dashuri

Në audiencën e përgjithshme, Françesku vijoi katekizmin kushtuar Dhjetë Urdhërimeve të Tënzot, duke u ndaluar sot tek Urdhërimi VIII: “Mos bëj dëshmi të rreme!”.

Të jetojmë “si bij të Zotit”, duke u përpjekur të dalë në pah çdo çast e vërteta e madhe: “Hyji është Atë e mund të besohet plotësisht në Të”. Kjo, porosia e Papës në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, duke komentuar Ungjillin e Mateut e duke reflektuar mbi Urdhërimin VIII: “Mos bëj  dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd!”.

“Të jetosh duke thënë fjalë të pavërteta, është gjë shumë e rëndë, sepse i pengon marrëdhëniet ndërmjet njerëzve e, prej këndej, edhe dashurinë. Ku është gënjeshtra, aty nuk mund të jetë dashuria. E kur flasim për komunikim ndërmjet njerëzve, nuk kemi parasysh vetëm fjalët, por edhe gjestet, sjelljet, madje deri heshtjet e mungesat. Njeriu flet me gjithçka është, me gjithçka bën. Të gjithë jemi në komunikim, çast për çast. Jetojmë duke komunikuar, përherë pezull ndërmjet së vërtetës e gënjeshtrës”.

Thashethemet e shkatërrojnë bashkimin

Nuk mjafton të jesh i sinqertë e të thuash të vërtetën - shpjegoi Papa -  sepse mund të jesh “sinqerisht në gabim”, ose i saktë në hollësira, por jo në  kuptimin e së tërës. E akoma: mund ta absolutizosh “pikëpamjen tënde”, ose të zbulosh fakte “personale”, fjalë që s’duhen nxjerrë në shesh:

“Sa përgojime e rrënojnë bashkimin, pse thuhen vend e pa vend e, sidomos, pa pikë delikatese! E kështu vrasin, siç na e kujton Shën Jaku Apostull në Letrën e tij. Llafazani, llafazania, janë njerëz që vrasin: e vrasin tjetrin, sepse gjuha kocka s’ka, por kocka thyen. Gjuha ther, si të ishte thikë! Kujdes! Shpërralluesi a shpërralluesja janë terroristë, sepse me gjuhën e tyre flakin bomba e ikin e shkojnë e bomba, që flakin, rrënon famën e tjetrit. Mos harroni: të përgojosh do të thotë të vrasësh!”.

Shpirti i së vërtetës

Duke u frymëzuar nga mësimet e Ungjillit, Françesku kujtoi çastin kur Jezusi i tha Pilatit se kish ardhur në botë që të jepte dëshmi për të vërtetën, me mundimet e me vdekjen e vet.

Duke vdekur kështu, Jezusi i shpreh Atit dashurinë e tij përdëllyese e besnike. E vërteta realizohet plotësisht në Vetjen e Jezusit, në mënyrën si jeton e si vdes, fryt i lidhjes së Tij të ngushtë me Atin. Këtë jetë, të jetuar si Bir i Zotit, Ai, i ngjallur, na e dhruon edhe ne, duke dërguar Shpirtin Shenjt, që është Shpirt i së vërtetës e që i dëshmon zemrës sonë se Zoti është Atë.

E vërteta është mënyrë jetese

Në çdo gjë që bëjnë - vijoi Papa - njerëzit  e pohojnë ose e mohojnë këtë të vërtetë, duke nisur nga punët e vogla e të përditshme - kujtoi - e deri tek më të mëdhatë e më të rëndësishmet”:

“Por logjika është e njëjtë, gjithnjë: ajo, që na e mësojnë prindërit e gjyshërit, kur na porosisin të mos themi gënjeshtra. E njëjta logjikë! Nga vegjëlia, në pjekurinë e moshës. Ta pyesim veten: cilat të vërteta  dëshmojnë veprat e ne, të krishterëve, fjalët tona, veprimet tona? Secili nesh mund e duhet t’i bëjë vetes pyetjen: “Po unë, a jam dëshmitar i së vërtetës, apo jam rrenacak i veshur tebdil si dëshmitar i së vërtetës?  Secili ta pyesë veten! Ne, të krishterët, nuk jemi burra e gra  të jashtëzakonshme. Por jemi bij të Atit qiellor, i cili është i mirë, nuk të zhgënjen e vë në zemrat tona dashurinë për vëllezërit.  Kjo e vërtetë nuk shprehet aq me fjalë, sesa me vepra, sepse është mënyrë të jetuari e duket në çdo sjellje tonën. Thuhet prandaj: ky është burrë i vërtetë - kjo, gura e vërtetë, duket! Po si duket, kur nuk e ka hapur aspak gojën? S’është nevoja ta hapë. Shihet në mënyrën si sillet! Sillet si njeri i vërtetë. Thotë të vërtetën. Vepron vërtetësisht. Mënyrë e bukur e të jetuarit, kjo!”.

Zbulesa e mrekullueshme e Zotit

E vërteta, është, pra, “zbulesa e mrekullueshme e Zotit, e fytyrës së Tij prej Ati, është dashuria e Tij pa cak:

“Kjo e vërtetë përkon me arsyen njerëzore, duke ia kaluar pambarimisht. Sepse është dhuratë e zbritur mbi tokë, e mishëruar në Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur”.

E vërteta lind nga besimi në Zotin

E vërteta e madhe është besimi ynë në Zotin: “Nga besimi ynë në Zotitn, që është Atë e më do, na do, lind e vërteta ime, e vërteta jonë. Besimi në Të na bën dëshmitarë të së vërtetës e jo gënjeshtarë!”.

Përshëndetjet në përfundim të audiencës

Në përshëndetjet përfundimtare në gjuhë të ndryshme, Papa kujtoi, ndërmjet tjerësh, anëtarët e Kongresit francez të Drejtorëve të Shtegtimeve, shoqëruar nga ipeshkvi i Rouen, imzot Lebrun; drejtorët edhe bashkëpunëtorët e Missio Austria dhe vullnetarët e projektit Verona Minor Hierusalem.

14 nëntor 2018, 13:12