Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Papa Françesku takohet me rabinët e Kaukazit të World Congress of Mountain Jews Papa Françesku takohet me rabinët e Kaukazit të World Congress of Mountain Jews 

Papa, rabinëve të Kaukazit: të mbrojmë lirinë fetare, të ndalim antisemitizmin

Papa Françesku takohet me rabinët e Kaukazit të World Congress of Mountain Jews. Të mbajmë gjallë kujtesën, të mbrojmë lirinë fetare nga totalitarizmi, të ndalim antisemitizmin: këto, argumentet e bisedës.

R.SH. - Vatikan

Për herë të parë, Papa Françesku pret në Vatikan delegatët rabinë të Kongresit Botërore të Hebrenjve të Malit, të ashtuquajturit “Juhuro”, grup hebraik i Kaukazit lindor, kryesisht nga Dagestani dhe nga rajonet veriore të Azerbajxhanit.

Të mbajmë gjallë kujtesën

 Ati i Shenjtë tregon për takimin e tij me një bashkësi hebraike në Lituani, më 23 shtator, për të kujtuar Shoah, shfarosjen e hebrenjve nga nazistët, 75 vjet pas shkatërrimit të getos së Vilniusit dhe vrasjes së mijëra çifutëve. Pastaj, ngul këmbë në kujtesën historike.

Përkujtimi i holokaustit është i nevojshëm që nga e kaluara të mbetet memoria e gjallë. Pa këtë kujtesë nuk do të ketë të ardhme, sepse po të mos mësojmë nga faqet më të errta të historisë që të mos biem në të njëjtat gabime, dinjiteti njerëzor do të mbetet letër e vdekur.

Të mbrojmë lirinë fetare

Ngjarje të tjera të dhimbshme, që përmend Papa, janë 75-vjetori i bastisjes në geton e Romës, që u përkujtua më 16 tetor, dhe, 80-vjetori i së ashtuquajturës “nata e kristaleve”, më 9 nëntor, kur do të përkujtohet shkatërrimi i shumë vendeve të kultit hebraik, të cilat, siç nënvizon Papa, u rrafshuan “me qëllimin për të çrrënjosur gjithçka është e padhunueshme në zemrën e njeriut e të popullit: praninë e Krijuesit”. Ati i Shenjtë bën kështu, thirrje për një të drejtë të patjetërsueshme, të drejtën e lirisë fetare.

Kur deshën ta zëvendësonin Zotin e Mirë me idhujtarinë e pushtetit dhe me ideologjinë e urrejtjes, u arrit në marrëzinë e shfarosjes së krijesave. Prandaj, liria fetare është pasuria më e madhe për t’u mbrojtur, është e drejtë njerëzore themelore, barrierë kundër çdo pretendimi totalitarist.

Të zhdukim antisemitizmin

Papa bën thirrje për t’i vënë fre çdo qëndrimi antisemit e thekson se kush është i krishterë nuk mund e nuk duhet ta urrejë vëllain hebre.

 I krishteri nuk mund të jetë antisemit. Rrënjët tona janë të përbashkëta. Do të ishte një kontradiktë e fesë dhe e jetës. Së bashku jemi të thirrur të impenjohemi që antisemitizmi të zhduket nga bashkësia njerëzore.

Miqësia ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve

 Miqësia e katolikëve me hebrenjtë, vijon Papa, bazohet në historinë e shëlbimit dhe konkretizohet në kujdesin për njëri-tjetrin. Duhet të jemi artizanë të paqes, ngul këmbë Ati i Shenjtë. E duke kujtuar takimin ekumenik të dy vjetëve më parë në Azerbajxhan, Françesku tregon udhën, detyrën e përbashkët.

“Të dialogojmë me të tjerët e të lutemi për të gjithë: këto janë mjetet tona për t’i kthyer heshtat në drapërinj (shih Is 2,4), për të zgjuar dashurinë aty ku ka urrejtje e faljen, aty ku ka fyerje, për të mos u lodhur së përgjëruari e së përshkuari udhët e paqes”. Po, sepse sot, “nuk është koha e zgjidhjeve të dhunshme e të shpejtuara, por është ora urgjente për të ndërmarrë me durim procese pajtimi”.

05 nëntor 2018, 13:34