Versioni Beta

Cerca

Vatican News

Papa përshëndet popujt e Amazonës

Dje paradite, gjatë audiencës me ipeshkvin e Obidos, imzot Bernardo Bahlmann, Papës iu paraqit projekti i një “barke spital”, që do të lundrojë përgjatë lumenjve të shtetit Para. Me atë rast, Françesku përshëndeti popujt e Amazonës.

R.SH. - Vatikan

Dje paradite, Papa Françesku priti në audiencë ipeshkvin e Obidos, nga shteti brazilian Para, imzot Bernardo Bahlmann, i cili i paraqiti projektin “Barka spital Papa Françesku”, duke i treguar një video të shkurtër dhe një maket për anijen. Është projekt “i guximshëm”, siç e quajti ipeshkvi, që do të mbulojë rreth njëmijë kilometra përgjatë lumenjve, duke u dhënë asistencë shëndetësore bashkësive, që jetojnë në brigje, si edhe 12 komunave, gjithsej, 700 mijë vetë. Në përfundim të audiencës, Papa regjistroi një video për të përshëndetur popujt e Amazonës.

         Përshëndetje të përzemërt për gjithë banorët, për gjithë popujt e Amazonës – tha Ati i Shenjtë. - Ndiej dashuri të madhe për ju, që shqetësoheni për tokën, e doni tokën, e doni natyrën dhe Zotin. Ecni përpara! Përshëndetje edhe atyre, që do të punojnë në barkën-spital, e cila, gjatë njëmijë kilometrave të udhës, do t’u bëjë aq mirë, kaq shumë popujve. Lutem për ju e ju lutuni për mua. Zoti ju bekoftë.

06 nëntor 2018, 14:25