Kërko

Papa: në takimin përfundimtar me Jezusin, do të çojmë vetëm çka dhuruam

Sot, në Engjëllin e Tënzot, Papa kujtoi se ekzistenca personale e edhe ajo e njerëzimit, e ka një cak për ta arritur: atë të takimit përfundimtar me Jezusin. Prej këndej, nxiti t’i kushtohet vëmendje asaj, që realizuam në këtë jetë, duke besuar në Fjalën e Zotit. Pa harruar kurrë se me vete do të marrim vetëm atë, që dhuruam. Dinakëria, as paraja, nuk do të na shpëtojnë dot atë ditë!

R: SH. - Vatikan

Në Ungjillin e sotëm “Jezusi na kujton se historia e popujve edhe ajo e njerëzve e kanë një fund e një cak për ta arritur: takimin përfundimtar me Zotin”. E nënvizoi, sot në mesditë, Papa Françesku, në lutjen e Engjëllit të Tënzot. “Historia e njerëzimit, ashtu si dhe historia personale e secilit nesh, nuk mund të kuptohet si vazhdimësi fjalësh e faktesh, që nuk kanë kurrfarë kuptimi, e as të interpretohet në dritën e një vizioni fatalistik, si të ishte gjithçka e paracaktuar, duke na penguar, kështu, të zgjedhim rrugën tonë të jetës".

Takimi me Fytyrën rrezëlluese të dashurisë së Zotit

Reflektimi i Françeskut u nis pikërisht nga fragmenti i Ungjillit të sotëm (Mk13, 24-32) që - nënvizoi - nuk është në radhë të parë fjalim kushtuar fundit të botës, por më shumë ftesë për ta jetuar mirë të sotmen, gjithnjë gati për çastin, kur do të na duhet të japim llogari për jetën tonë. Flitet për atë ditë kur “dielli do të terratiset e hëna nuk do të lëshojë më dritë”. Drita, që do të shkëlqejë atë ditë të fundme, do të jetë ajo e Zotit Jezus, që do të vijë në lavdi - kujtoi Papa - e në këtë takim, do ta shikojmë, më në fund, Fytyrën e Tij, “fytyrë që lëshon rreze dashurie, përballë së cilës do të duket me vërtetësi të plotë edhe çdo qenie njerëzore”.

Qielli e toka do të kalojnë

Nuk dihet as koha, as mënyra kur e si do të vijë, por dihet parimi themelor, me të cilin do të ballafaqohemi; qielli e toka do të kalojnë, por Fjalët  e Zotit nuk do të kalojnë kurrë. Pika kryesore është kjo: “Atë ditë secili prej nesh do të duhet ta kuptojë nëse jetën e tij e shndriti Fjala e Birit të Zotit, apo i pëlqeu t’ia kthejë shpinën e të besojë më shumë në fjalët e veta”.

Nuk do të hyjnë më në punë dinakëria, as paraja: do të marrim me vete, vetëm çka dhuruam

Do të jetë, pra, më shumë se kurrë, çasti për ta lëshuar plotësisht veten  në gjirin e dashurisë së Atit - nënvizoi Papa:

“Askush nuk mund të ikë nga ky çast, asnjë prej nesh. Dinakëria, që e përdorim aq shpesh në sjelljet tona, për t’u dukur ashtu si dëshirojmë, nuk do të na vlejë më; as pushteti, as paraja, as mjetet ekonomike, me të cilat kujtojmë se mund të blihet e të shitet gjithkush e gjithçka, nuk do të na hyjnë më në punë. Me vete nuk kemi tjetër, atë ditë, veç çka realizuam në jetë, duke i besuar Fjalës së Tij. Me vete do të kemi vetëm çka dhuruam, çka dhamë!”.

Së fundi Papa nxiti t’i lutemi Virgjërës Mari, që mendimi se jemi të përkohshëm mbi këtë tokë, të mos na mbushë me ankth, por të na kujtojë përgjegjësinë  ndaj vetvetes, ndaj të afërmit e ndaj botës mbarë.

Dita e të varfërve: nxitje për t’u bërë mjete të mëshirës

Në përfundim të lutjes mariane, Françesku kujtoi edhe Ditën e sotme botërore të të varfërve, me rastin e së cilës - para Engjëllit të Tënzot - kremtoi Meshën në Bazilikën e Vatikanit si dhe drekën me një grup të madh të varfërish, në Sallën e Palit VI. Në këtë ditë, afrimi i bashkësisë së krishterë me të varfërit, në të cilën morën pjesë shumë famulli, shoqata e lëvizje kushtare - shpjegoi Papa -  “synon të jetë nxitje për t’u bërë mjete të mëshirës në indin shoqëror”.

Afrika Qendrore dhe SHBA-të, në lutjen e Papës

Papa, pastaj, bëri thirrje për Republikën Qndrafrikane ku, dy ditë më parë, u masakruan shumë njerëz në një kamp të shpërngulurish. Ndërmjet tyre, edhe dy meshtarë.

“Këtij populli, të shumëdashur për mua, ku hapa të parën Portë të Shenjtë në Vitin e Mëshirës, i shpreh gjithë afërsinë dhe dashurinë time – kujtoi - duke thënë menjëherë pas, një Falemi Mari 'për të vdekurit e të plagosurit e që t’i jepet fund çdo dhune në këtë vend të dashur, i cili ka aq shumë nevojë për paqen'. Papa u lut edhe për ata, që u dëmtuan rëndë nga zjarret në Kaliforni si dhe për viktimat e ngricave, në bregun lindor të SHBA-ve”.

18 nëntor 2018, 15:16