Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Papa Françesku dhe punëtorët Papa Françesku dhe punëtorët  (Vatican Media)

Papa: ndërmarrja të bëhet “familje” në shërbim të së mirës së përbashkët

Mesazh i Papës Françesku për pjesëmarrësit e Kongresit të 26-të Botëror të Uniapac – Bashkimi Ndërkombëtar i Shoqatave të Drejtuesve Katolikë – që përfundoi në Lisbonë. Ati i Shenjtë i fton ndërmarrjet të ndërtojnë një shoqëri më njerëzore e më vëllazërore.

R.SH. - Vatikan

Uniapac është themeluar në vitin 1931 e ka ndryshuar disa herë në vite, derisa u bë shoqatë ekumenike në vitin 1962, duke përfshirë federata ndërmarrjesh katolike nga Evropa dhe nga Amerika Latine. Emri aktual është “International Christian Union of Business Executives” (Bashkimi Ndërkombëtar i Shoqatave të Drejtuesve Katolikë), pavarësisht se e ruan akronimin e 1949-ës nga emri i atëhershëm në frëngjisht “Union Internationale des Associations Patronales Catholiques”.

Uniapac vë në zbatim parimet e Doktrinës shoqërore të Kishës

         “Që nga zanafilla, 80 vjet më parë – shkruan Papa në Mesazh – federata juaj është përpjekur të kthejë në terma ekonomike dhe financiare, parimet dhe linjat udhërrëfyese të Doktrinës shoqërore të krishterë, në dritën e kohëve, që ndryshojnë. Konteksti aktual i globalizimit të veprimtarive dhe të shkëmbimeve ekonomike ka ndikuar thellësisht në perspektivat, objektivat dhe në mënyrën e administrimit. Vendimi juaj për të reflektuar mbi thirrjen dhe misionin e krerëve ekonomikë e të drejtuesve të ndërmarrjeve është më i nevojshëm se kurrë. Me të vërtetë, me intensifikimin e ritmeve të jetës e të punës… objektivat e këtij ndryshimi të shpejtë e të vazhdueshëm jo gjithnjë orientohen drejt së mirës së përbashkët dhe zhvillimit njerëzor, të qëndrueshëm e të gjithanshëm e, madje, bëhen shqetësuese kur dëmtojnë botën dhe cilësinë e jetës për pjesën më të madhe të njerëzimit”.

Njeriu në qendër të administrimit të bizneseve

         “Në jetën profesionale – vëren Papa në Mesazh – hasen shpesh gjendje tensioni, në të cilat është e nevojshme të merren vendime të rëndësishme praktike për investimin dhe administrimin”. Për t’i ndihmuar drejtuesit katolikë, Ati i Shenjtë kujton tri parime ungjillore. Së pari, njerëzit, marrë veç e veç, duhet të jenë në qendër të ndërmarrjes, së bashku me aftësitë, aspiratat, problemet dhe vështirësitë e tyre. “Kur ndërmarrja bëhet “familje”, në të cilën administruesit shqetësohen që kushtet e punës të jenë gjithnjë në shërbim të bashkësisë, punëtorët kthehen në ‘burim pasurie’ e i përdorin talentet e aftësitë e tyre, në shërbim të së mirës së përbashkët, duke e ditur se dinjiteti dhe jeta e tyre respektohen e jo thjesht, shfrytëzohen”, shkruan Ati i Shenjtë. Së dyti, Papa vë theksin mbi parimin e së mirës së përbashkët dhe këshillon të ndiqet edhe parimi i tretë ungjillor mbi vlerën morale dhe ekonomike të punës, “që është mënyra jonë për të bashkëpunuar me Zotin në atë ‘krijim të vazhdueshëm’, me të cilin përshpejtohet ardhja e Mbretërisë së Hyjit, duke promovuar drejtësi dhe bamirësi shoqërore e duke respektuar përmasën individuale dhe shoqërore të njeriut”.

28 nëntor 2018, 15:09