Cerca

Vatican News
  Në fotografi: familja Ulma Në fotografi: familja Ulma 

Papa kujton familjen Ulma, shfarosur nga nazistët, sepse ndihmoi hebrenjtë

Familja polake Ulma, prindërit Józef e Wiktoria me gjashtë fëmijë, në pritje të një të shtati, u shfaros nga nazistët, pse strehoi tetë hebrenj. Papa e kujtoi në audiencën e përgjithshme.

R. SH. - Vatikan

Në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, Papa, duke përshëndetur shtegtarët polakë, kujtoi se pranë Universitetit Papnor Urbanian, u hap një ekspozitë, kushtuar familjes polake Ulma, shfarosur nga nazistët gjermanë gjatë Luftës II Botërore, sepse fshehu e ndihmoi hebrenj: “Uroj që kjo familje e madhe e Shërbëtorëve të Zotit, në pritje të  lumnimit - vijoi Françesku - të jetë për të gjithë shembull besnikërie ndaj Zotit e urdhërimeve të Tij të dashurisë për të afërmin e respektit për dinjitetin njerëzor”.

Martirë të heshtimit

Është histori, që flet për martirizimin e heshtur të shumë të krishterëve, gjatë dhunës së konfliktit II botëror. Papës Françesku ia treguan gjatë vizitës së tij prekëse në kampin nazist të shfarosjes të Birkenaut, në korrik 2016.

Familja Ulma

Józef Ulma dhe gruaja e tij, Wiktoria Niemczak banonin në fshatin shumë katolik Markowa, në Poloni. Kishin gjashtë fëmijë: Stanislawa 8 vjeçe, Barbara 6, Wladyslaw-i 5, Antoni 3, Maria, një viti e gjysëm. Gruaja ishte përsëri shtatzënë. Priste fëmijën e saj të shtatë. Jozefi ishte frutikultor e apikultor, shumë aktiv në rrethet e rinisë katolike.

Masakra naziste

Kur nisën persekutimet antisemite, shumë njerëz u përpoqën t’i ndihmonin hebrenjtë, duke e ditur fare mirë se kështu vinin në rrezik jetën e vet. Józefi e Wiktoria nuk deshën t’ia dinin e strehuan në shtëpi tetë hebrenj. Një spiun i paditi e nazistët iu sulën sakaq shtëpisë së vogël, mikpritëse deri në flijimin e jetës. Hebrenjtë i mbytën aty për aty, me një plumb në zverk. Józefin e Wiktorian i vranë në prag të shtëpisë, para fëmijëve e  banorëve të fshatit Markowa, që i detyruan ta asistonin këtë mizori, si paralajmërim. Si mbytën prindërit, nazistët nisën të qëllojnë mbi fëmijët, duke i mbytur pa u luajtur as qerpiku, në sa vocrrakët lebetiteshin e këlthisnin të tmerruar nga gjaku, që skuqi atë ditë pragun e asaj shtëpie të vogël fshati.

Të Drejtët e Kombeve, drejt nderimit të altarit

Më 1995 familja Ulma u shkrua në listën e “të Drejtëve të Kombeve” nga Yad Vashem, memoriali i Olokaustit në Izrael, së bashku me 6 mijë polakë. Në vitin 2003 Kisha hapi procesin e lumnimit.

Monumenti në Markowa

Në Markowa lartohet tani monumenti në kujtim të familjes Ulma dhe të gjithë atyre polakëve, që flijuan jetën, për të shpëtuar jetë hebrenjsh, Mbi mermerin e tij shkruhet: “Flijimi i tyre qoftë thirrje për respektin dhe dashurinë, që u përket të gjithëve. Ishin bij të kësaj toke e mbeten në zemrat tona!”.

28 nëntor 2018, 16:00