Kërko

 Papa kremton Meshën në Shën Martë Papa kremton Meshën në Shën Martë 

Papa Françesku në Shën Martë: jo, listës së çmimeve për Sakramentet

Gjatë Meshës kremtuar në Shën Martë, Papa komentoi episodin ungjillor të “pastrimit të tempullit” dhe i ftoi të gjithë të reflektojnë për zellin dhe respektin, që duhet të kemi sot “për kishat tona”.

R. SH. - Vatikan

“Kishat duhet të jenë ‘shtëpia e Zotit’ e jo ‘tregje’ a sallone shoqërore, ku sundojnë mendimi e sjelljet e botës”. Ky, reflektimi i Papës Françesku gjatë  Meshës, kremtuar në kapelën e Shën Martës. Duke u nisur nga fragmenti i sotëm i Ungjillit sipas Gjonit (Gjn 2,13-22), Papa shpjegoi shkaqet që e ndezën zemërimin e Jezusit deri në atë masë, sa të merrte kamxhikun e t’i dëbonte tregtarët nga tempulli. I Biri i Zotit shtyhet kështu nga dashuria, nga zelli për shtëpinë e Zotit,  shndërruar në treg nga tregtarët”.

Duke hyrë, ku shiteshin “qe, dele e pëllumba”, në praninë e “sarafëve”, Jezusi e kuptoi menjëherë se ky vend  kishte rënë në dorë të idhujtarëve, njerëz të gatshëm për t’i shërbyer “parasë”, por jo Zotit. Pas parasë fshihet gjithnjë idhulli - vërejti Papa Bergoglio gjatë homelisë - e idhujt janë gjithnjë prej ari! E gjithnjë të bëjnë skllav.

Kjo na tërheq vëmendjen e na bën ta pyesim veten: “Si i trajtojmë ne tempujt tanë, kishat tona: janë vërtet shtëpi e Zotit e strehë e lutjes, e takimit me Zotin? A e krijojnë meshtarët këtë atmosferë! Janë kështu kishat? Apo shndërrohen në tregje. E di… nganjëherë kam parë - jo këtu, në Romë, po dikund tjetër - kam parë lista çmimesh. “Po si kështu? U paguakan edhe sakramentet?”. “Jo. Është thjesht një ofertë!”. Po nëse besimtarët duan të japin një ofertë - që dëshirojnë ta japin - ta vënë në kasën e lëmoshëve, fshehurazi, që askush të mos i shikojë sa dhanë! Edhe sot ekziston ky rrezik! “Epo, duhet të mbajmë Kishën”. Po, po, ashtu është. Duhet! Ta mbajnë, pra, besimtarët, por në kasën e lëmoshëve, jo me lista çmimesh!

Kishat nuk duhen shndërruar në tregje

Papa tërhoqi vëmendjen edhe për t’u ruajtur nga tundimi, që na shtyn të mendojmë me mendjen e  botës:

“Të mendojmë për disa kremtime të ndonjë sakramenti a të ndonjë përkujtimi, ku ti shkon e shikon e nuk e merr vesh fare je në një vend kulti, apo në ndonjë sallon shoqëror. Disa kremtime shkasin e bëhen mondane. Është e vërtetë se kremtimet duhet të jenë të bukura - të bukura - por jo mondane, sepse mondane i bën gjithnjë zoti para. Atëhere kremtimi shndërrohet në idhujtari të pastërt. E kjo të shtyn përsëri të pyesësh vetveten: “Ku është këtu zelli ynë për kishat tona? Respekti, që duhet të kemi, kur shkelim në pragjet e tyre?”.

Tempulli i zemrës

Papa Françesku vijoi, më pas, reflektimin mbi Letrën e Shën Palit drejtuar Korintianëve, duke sqaruar se edhe zemra e secilit prej nesh përfaqëson “tempullin” - “Tempullin e Zotit”. Ndonëse të vetëdijshëm që jemi të gjithë mëkatarë, secili duhet ta pyesë zemrën e vet, për të vërtetuar nëse është “mondan a idhujtar”.

Unë nuk të pyes cili është mëkati yt, mëkati im - vijoi Papa - Të pyes a ke ndonjë idhull në shpirt, a e ke aty zotin para? Sepse është mëkati, është edhe Zoti i mëshirshëm, që të fal e ti mund të shkosh tek Ai. Por është edhe një zot tjetër - zoti ‘para’ e ti je idhujtar, domethënë, i korruptuar, i prishur: nuk je, pra, mëkatar, por i korruptuar! E bërthama e korrupsionit është pikërisht idhujtaria. Kjo do të thotë se ti ia ke shitur shpirtin zotit para, zotit pushtet. Domethënë, je idhujtar!

09 nëntor 2018, 12:48