Versioni Beta

Cerca

Vatican News

Papa Françesku: jo kulturës së trukut dhe kujdesit për t’u dukur

Në Meshën për shpirt të kardinajve dhe ipeshkvijve të vdekur gjatë vitit, Papa kujtoi rëndësinë e përgatitjes për takimin e fundit me Jezusin.

R. SH. - Vatikan

Kuptimi i fundit të jetës është “të dalësh”, “të shkosh drejt dhëndrit”, si dhjetë virgjërat e shëmbëlltyrës së Ungjillit të Mateut. Drejt Dhëndrit, Jezusit, “që e deshi Kishën e dha jetën për të”. Me këto fjalë i kujtoi Papa 9 kardinajtë dhe 154 ipeshkvijtë e vdekur gjatë këtij viti në Meshën për shpirtin e tyre, kremtuar sot në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Kuptimi i fjalës “të dalësh”

Dalja është thirrje për të gjithë. Dalim! Nga prehëri i nënës, nga shtëpia ku lindëm, nga fëmijëria në rini e nga rinia, në moshën e pjekur. Dalim. Gjithnjë. Deri në daljen e fundme nga kjo botë! Gjë që, për Shërbyesit e Ungjillit, do të thotë “të dalësh nga shtëpia e familjes, për të shkuar në atë, ku të dërgon Kisha, nga një shërbim, në tjetrin”. Kalim i përhershëm, deri në kalimin përfundimtar.

Ja qëllimi, për të cilin duhet jetuar: për atë kumtim të Ungjillit, që jehon në terrin e natës e që mund ta pranojmë plotësisht vetëm në çastin e vdekjes!

Përgatitja për dasmën me Jezusin

Të jetosh - vijoi Papa - do të thotë të përgatitesh çdo ditë për dasmën, për takimin e fundit me Jezusin.

Është fund, që ndriçon çka paraprin. E ashtu si fara gjykohet nga korrja, kështu edhe udha e jetës përcakohet nga caku i mbramë.

Pritja e dhëndrit “është caku i fundmë", është filli, që thur gjithë shërbesën. Qendra nuk mund të jetë tjetër, veçse një zemër, që e do Zotin. Vetëm kështu korpi i dukshëm i shërbyesit tonë, do të mbështetet nga një shpirt i padukshëm. E themelore është ta dëgjosh zërin e Dhëndrit. Ai na fton ta shikojmë ditë për ditë Zotin, i cili vjen ta shndërrojë çdo veprimtari, nësa përgatitemi për dasmën me Të.

Jo, kulturës së trukut

Ndërsa për nusen - siç na e kujton Ungjilli - themelor nuk është petku, as llambat. Është vaji, i ruajtur në vazo të vogla. Vaj, që nuk ndriçon, por pa të cilin nuk mund të ketë dritë.

Para Zotit nuk vlen fare dukja. Çka vlen është zemra. Çka kërkon e për të cilën mburret bota - nderimet, pushteti, dukja, lavdia - kalon shpejt. Heqja dorë nga dukjet e botës është e domosdoshme në përgatitjen për qiell. I duhet thënë “jo”, kulturës së trukut, që na mëson të kujdesemi veç për dukjen.  Çka duhet pastruar, është e padukshmja! Zemra, shpirti i njeriut. Sepse pikërisht shpirti është i çmuar para syve të Zotit; jo pamja, që  zhduket  duke lënë pas një grusht me hi!

Shërbyesi jeton për të shërbyer…

 Shërbyesi jeton për të shërbyer. E vaji, për  t’u konsumuar. Vetëm duke u djegur, ndrin. Kështu edhe jeta: përhap dritë, vetëm nëse shkrihet duke shërbyer. Sekreti i jetës është të jetosh për të shërbyer. Shërbimi është bileta, që duhet ta paraqesim në hyrje të dasmës së amshuar. Çka mbetet nga jeta para pragut të amshimit, nuk është çka fituam, por çka dhuruam.

Të shërbesh kushton shumë, sepse do të thotë të shkrihesh, të konsumohesh - pohoi Papa. – “Por në shërbesën tonë nuk vlen ai, që shërben për të jetuar, por ai, që jeton për të shërbyer. Kush e ruan tepër jetën e vet, e humbet”.

Të investojmë në dashuri

Karakteristika e tretë e vajit, është përgatitja, sepse dashuria vërtetë është e vetvetishme “por nuk improvizohet”. E tundimi i madh, të kënaqesh me një jetë pa dashuri. Jetë, që është si vazo boshe e si llambë e shuar. Nëse nuk investon në dashuri, jeta shuhet. Të grishurit në dasmën me Zotin, nuk mund të kënaqen me një jetë sedentare, jetë pa jetë, që jetohet pa hove, duke kërkuar kënaqësi të vogla e duke dëshiruar nderime  kalimtare. Një jetë  e shërbetosur. E rëndomtë. Por një jetë, që kënaqet duke kryer vetëm detyrat e veta, pa u dhuruar, nuk mund të jetë e denjë për Dhëndrin.

Shembulli i dëshmitarëve

Në lutjen për kardinajtë dhe ipeshkvijtë e vdekur, Françesku kërkoi “ndërmjetësimin e atyre, që jetuan pa synuar të duken, që i shërbyen zemrës, që u përgatitën ditë për ditë për takimin e madh me Dhëndrin”. Dëshmitarë që, faleminderës Zotit, janë të shumtë e që, me shembullin e tyre, na mësojnë të mos kënaqemi me një shikim të shkurtër mbi të sotmen. Ndërsa dëshirojnë një shikim, që shkon shumë më  përtej. Drejt dasmës, që na pret. Jeta  e përshkuar nga dëshira për Zotin dhe e stërvitur për dashuri, do të jetë e gatshme të hyjë në banesën qiellore të Dhëndrit, përjetësisht!

03 nëntor 2018, 16:05