Kërko

Papa Françesku flet për shenjtërinë në TV2000

Takim i ri sonte, në orën 21.05, me “Ave Maria”, në TV2000. Papa Françesku, i intervistuar nga don Marco Pozza, teolog e kapelan i burgut të Padovës, reflekton për shenjtërinë. E shpjegon: “Eshtë Zoti, ai që bën gjithçka, sepse Zoti vjen gjithnjë i pari”.

R. SH. - Vatikan

“Shenjtëri do të thotë ta lësh Zotin të veprojë”. E pohon Papa Françesku gjatë pjesës së pestë të programit “Ave Maria”, realizuar falë bashkëpunimit të Dikasterit për Komunikimin, që do të mund të ndiqet sonte në TV2000, në orën 21.05. Duke iu përgjigjur pyetjeve të don Marco Pozza-s, Papa shton: “Nuk duhet të harrojmë se një nga armiqtë e shenjtërisë është fryma pelagjiane. ‘Dua ta bëj unë, unë, unë, unë!’. Po nuk jam unë, që bëj gjithçka, është Zoti, sepse Ai vjen gjithnjë i pari”.

Maria dhe shenjtëria

“Shenjtëria e Marisë - vijon Papa - është e lehtë të thuhet, por aspak e lehtë të kuptohet. Sa mirë do të qe, po të ishte kaq e lehtë”. “Është fjala për plotninë e Shpirtit Shenjt në shpirtin tënd”- shpjegon - “Maria është ajo që është - vijon Françesku - pikërisht sepse përplot me Shpirtin Shenjt. Me këtë rast, Papa flet edhe për konceptin e “klasës së mesme të shenjtërisë”. Nuk është ideja ime - kujton - ia rrëmbeva një shkrimtari francez, Joseph Malégue, atij, që guxoi të thotë; “Shkandulli dhe vështirësia nuk është të kuptosh se Zoti ekziston, por të kuptosh se Zoti u bë Krishti”. Ky, shkandulli. E Zoja e Bekuar është në qendër të këtij shkandulli!

Të ftuarit

Të ftuar në këtë pjesë,  Carlo Mocellin, bashkëshort i Maria Cristina Cella, Shërbëtore e Zotit, vdekur në moshën 26 vjeçare, pasi nuk pranoi të bënte kemioterapi, për të shpëtuar shtatzaninë e saj të tretë, dhe dy rregulltare nga Trieshte: motër Viviana Terragni dhe motër Chiara Cabrini, të dyja,  të Institutit të të Ngjiturit Marisë në Qiell.

Nga programi, bazuar mbi bisedën  e don Markos dhe Papës Françesku për lutjen më të njohur në botë, u realizua edhe një libër, titulluar “Ave Maria”, botuar nga Rizzoli dhe Shtëpia Botuese e Vatikanit.

13 nëntor 2018, 12:00