Cerca

Vatican News
 Papa Bartolomeut I: uniteti i të krishterëve, shpresë për botën e plagosur nga konfliktet Papa Bartolomeut I: uniteti i të krishterëve, shpresë për botën e plagosur nga konfliktet  (Vatican Media)

Papa Bartolomeut I: uniteti i të krishterëve, shpresë për botën e plagosur nga konfliktet

Me rastin e festës së Shën Andreut, pajtor i Patriarkanës së Kostandinopojës, Papa i dërgoi një mesazh Bartolomeut I, duke nënvizuar rëndësinë që ka për botën bashkimi i të krishterëve,

R: SH. - Vatikan

Në një botë të plagosur nga konfliktet, bashkimi i të krishterëve është shenjë shprese, që duhet të shkëlqejë gjithnjë më dukshëm” - kështu shkruan Papa Françesku në një mesazh drejtuar Partrikut Bartolomeu I, në ditën kur Kisha kujton Shën Andreun Apostull, Pajtor i Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës.

Delegacioni i Selisë së Shenjtë në Stamboll

Mesazhi u lexua sot në mëngjes nga kardinali Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, në përfundim të Liturgjisë Hyjnore, kryesuar nga Bartolomeu, në Kishën patriarkale të Shën Gjergjit, në Fanar. Hirësia e Tij shkoi në Stamboll, në krye të një delegacioni të Selisë së Shenjtë, në kuadrin e shkëmbimit tradicional të vizitave për festat përkatëse të Shenjtorëve pajtorë, më 29 qershor në Romë, për kremtimin e Shenjtorëve Pjetër e Pal e, më 30 nëntor, në Fanar, për kremtimin e  Shën Andreut.

Kapërceni keqkuptimet e së kaluarës

Shkëmbimi i delegacioneve ndërmjet Kishës së Romës e Kishës së Kostandinopojës, me rastin e festave përkatëse - shkruan Papa - është bërë në rrjedhë vitesh zakon i gëzueshëm, shprehës i lidhjes së thellë që bashkon dy Selitë tona. Ndërsa shekuj keqkuptimesh reciproke, ndryshimesh e heshtjesh, mund të duket se e vunë në rrezik këtë lidhje, Shpirti Shenjt, Shpirt i unitetit, na krijoi kushte ta rilidhim dialogun e këputur vëllazëror. Dialog i rifilluar përfundimisht nga Patriarku Atenagora dhe Papa Shën Pali VI, që mundësoi rizbulimin e rrënjëve të bashkimit, të cilat kanë ekzistuar gjithnjë ndërmjet dy bashkësive.

Të punojmë së bashku për paqen ndërmjet popujve

Kishat tona - pohon Françesku - i ruajtën me kujdes të madh Traditën apostolike dhe mësimet e Koncileve të para ekumenike të Etërve të Kishës, pavarësisht nga ndryshimet që bënë në traditat vendase e në formulimet teologjike, të cilat duhen kuptuar e sqaruar më mirë. Njëkohësisht të dyja Kishat, me ndjenjën e përgjegjësisë për botën e pranuan këtë thirrje të ngutshme, që i drejtohet secilit nga të pagëzuarit, për t’ua kumtuar Ungjillin të gjithë burrave e të gjitha grave. Për këtë arsye, sot mund të punojmë së bashku në kërkim të paqes ndërmjet popujve, për zhdukjen e çdo forme të skllavërisë, për respektimin e dinjitetit të çdo njeriu e për kujdesin ndaj gjithësisë. Me ndihmën e Zotit, përmes takimit dhe dialogut në udhën tonë të përbashkët këto pesëdhjetë vjetët e fundit, po e provojmë  shijen e bashkimit, ndonëse nuk është akoma i plotë e i përkryer.

Në kërkim të unitetit të plotë

Papa nënvizon se kërkimi i rikrijimit të bashkimit të plotë është, mbi të gjitha, përgjigje që i jepet vullnetit të Zoti tonë Jezu Krishtit  i cili, në prag të Mundimeve të Tij, u lut që dishepujt “të jenë të gjithë një gjë e vetme”(Gjn 17, 21). Të bashkuar, mund t’u japim një përgjigje më efikase nevojave të shumë burrave e grave të kohës sonë, posaçërisht atyre, që vuajnë nga varfëria, sëmundjet, luftërat – shkruan Papa.

Shqetësimi i përbashkët për të krishterët e Lindjes së Mesme

Françesku i shpreh mirënjohjen e tij të thellë Bartolomeut për praninë e tij në Ditën e lutjes e të reflektimit për paqen në Lindjen e Mesme, mbajtur më 7 korrik, në Bari, në praninë e përfaqësuesve të Kishave të kësaj zone të tronditur thellësisht. "Është burim kënaqësie të ndash bashkë me Shenjtërinë Tuaj të njëjtat shqetësime për situatën tragjike të vëllezërve e motrave tona në këtë zonë”.

Të krishterët të frymëzohen nga dashuria vëllazërore

Së fundi, Papa e siguron Patrikun ekumenik të Kostandinopojës se lutet “që Zoti, burim i pajtimit e i paqes, të na japë ne, të krishterëve, hirin të jemi njëzëri pjesëmarrës në gëzimet e dhembjet e njëri-tjetrit, të frymëzuar nga dashuria vëllazërore”.

30 nëntor 2018, 15:18