Versioni Beta

Cerca

Vatican News

Papa në Engjëllin e Tënzot: o shenjtëri o asgjë! Të zgjedhim udhën e Lumturive

Në festën e Gjithë Shenjtorëve Papa ftoi të ecim në gjurmët e atyre, që luten për ne nga qielli, domethënë, në udhën e përvujtërisë, të butësisë, të mëshirës e të pastrisë, që na çon në Parajsë.

R. SH. - Vatikan

Ta pyesim veten me kë jemi: me qiellin - apo me tokën? Jetojmë për Zotin, apo për vetveten? Për lumturinë e amshuar, apor për atë të çastit? Ta pyesim, pra, veten, a e duam me të vërtetë shenjtërinë? Apo mjaftohemi të jemi të krishterë pa turp e pa lavdërime, që besojnë në Zotin e nderojnë të afërmin, por pa e tepruar?”. Ky, meditimi i Papës para lutjes së Engjëllit të Tënzot, në festën e Gjithë Shenjtorëve.

Zoti na kërkon gjithçka e na jep lumturinë

Zoti na kërkon gjithçka  - vijoi Françesku - duke u frymëzuar nga Leximi I, shkëputur prej Librit të Zbulesës  - e ajo që na jep, është jeta e vërtetë. Na jep, pra, gjithçka, na jep lumturinë për të cilën u krijuam. Prandaj: “O shenjtëri, o hiç!”. Shenjtorët që këtu mbi tokë nuk u kënaqen me pak, bëjnë tifo për ne, me besim se do të zgjedhim udhën e Lumnive, e cila na çon në qiell çdo ditë, do të zgjedhim Zotin, përvujtërinë, butësinë, mëshirën, pastrinë, do të apasionohemi për qiellin e jo për tokën. Ungjilli thotë lum të varfërit, bota, lum të pasurit. Ungjilli thotë lum të butët, bota, lum prepotentët. Ungjilli thotë lum ata, që kanë shpirt të pastër; bota, lum dinakët e qejflinjtë. Të duket se udha e lumnive të çon në disfatë të plotë!

Fituan shenjtorët

Por - vijoi Papa - siç na e kujton Libri i Zbulesës, në fund nuk fituan dinakët, as dëfrimtarët, fituan shenjtorët, që mbajnë në duar rrema palme, simbol i fitores. Fitoi qielli, jo bota - nënvizoi Papa, - për të kujtuar, më pas se shenjtorët na ftojnë të zgjedhim udhën e tyre, udhën drejt Zotit. Kënga e tyre, që vjen nga qielli, është si himni “Shenjt, Shenjt, Shenjt”, që e këndojmë në Meshë. Në këtë çast, jemi të bashkuar më shumë se kurrë me ta. Me të gjithë shenjtorët, jo vetëm me më të njohurit, por edhe me familjarët e  dashamirët tanë, që tani bëjnë pjesë në turmën e pafundme, të cilën e kundrojmë sot me sytë e shpirtit.

Sot është edhe “Festa e familjes"

Atëhere mund të themi se sot është edhe “Festa e familjes" – kujtoi Papa - Shenjtorët janë pranë nesh, madje janë vëllezërit e motrat tona të vërteta. Na kuptojnë, na duan fort, e dinë cila është e mira jonë, na ndihmojnë e na presin. Janë të lum e  duan të na shikojnë edhe ne të lum, me ta, në Parajsë.

Prandaj na ftojnë – kujtoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot - në atë udhë, që na e tregoi Ungjilli i sotëm, në udhën e Lumturive.

Sot, përfundoi Françesku, shenjtorët na kërkojnë ta jetojmë këtë Ungjill të bukur e të ecim pa ngurrim në rrugën e Lumturive. Atyre, që ndjekin këtë rrugë, Zoti u thotë: “Gëzojuni e galdoni, sepse i madh është shpërblimi juaj në qiell!”.

“Maria, Mbretëresha e shenjtorëve - u lut në përfundim Papa - na ndihmoftë të ecim me vendosmëri në udhën e Shenjtërisë. Ajo, që është porta e qiellit, u priftë të dashurve tanë të shuar drejt familjes qiellore!”.

01 nëntor 2018, 15:26