Cerca

Vatican News
Papa Françesku në drekë me të varfërit Papa Françesku në drekë me të varfërit 

Në Ditën Botërore të të varfërve, mesazhi i Papës Françesku, thirrje për impenjim

Në Mesazh, Papa Françesku u jep të krishterëve një vit për të vënë në jetë fjalët e Psalmit. Veprat në favor të të varfërve, këshillon Ati i Shenjtë, mund të bëhen jo vetëm në bashkëpunim me njerëzit e fesë, por edhe me të gjithë ata, që besojnë në solidaritetin njerëzor.

R.SH. - Vatikan

Sot, në të Dielën e 33-të të vitit liturgjik, u kremtua Dita e dytë Botërore e të varfërve, themeluar nga Papa Françesku, me Letrën apostolike “Misericordia et misera”, botuar më 21 nëntor 2016, në përfundim të Jubileut të jashtëzakonshëm të Mëshirës. Shumë të varfër, shoqëruar nga veprimtarët e shoqatave e të grupeve famullitare, morën pjesë sot paradite në meshën e kremtuar me këtë rast nga Papa Françesku, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, si edhe në lutjen e Engjëllit të Tënzot, në mesditë. Në orën 13.00, Papa Bergoglio drekoi me rreth 3000 të varfër, në Sallën Pali VI. Dreka u ofrua nga “Rome Cavalieri-Hilton Italia” në bashkëpunim me Entin Moral “Tabor”. Njëkohësisht me drekën e Papës, në shumë famulli, në qendrat e vullnetarëve, në kolegje e shkolla, iu shtrua një drekë të varfërve të Romës, për të festuar së bashku këtë ditë.

Tema e Ditës

Një fill i kuq bashkon Ditën e parë dhe atë të dytë Botërore të të Varfërve, e cila, me dëshirën e Papës Françesku, kremtohet çdo vit, në të Dielën e 33-të të vitit litugjik. Nëse tema e së parës ishte “Të mos duam me fjalë, por me fakte”, Dita e dytë e ripohon këtë synim, por e zgjeron edhe më tej kuptimin e tij. Vërtet, tema e sivjetme është marrë nga Psalmi 34 (7): “Ky skamnor e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi”.

Cili është qëndrimi, që mbajmë ndaj të varfërve?

Në Mesazhin e tij për këtë Ditë, botuar sot në formën e një librushke nga Shtëpia Botuese e Vatikanit, Papa Françesku komenton temën: “Fjalët e psalmistit bëhen tonat në çastin kur jemi të thirrur për të prekur nga afër kushtet e ndryshme të vuajtjes dhe mënjanimit, në të cilat jetojnë aq shumë vëllezër e motra, të cilët jemi mësuar t’i përcaktojmë me termin ‘të varfër’”.

Reflektimi i Atit të Shenjtë përfshin gjithë shoqërinë civile: cili është qëndrimi, që mbajmë ndaj të varfërve? A jemi në gjendje ta kuptojmë se pas etiketës “i varfër”, qëndron njeriu me dinjitetin, shpresat dhe vështirësitë e tij? Ja pra, që “gjendja e varfërisë nuk shterron me një fjalë, bëhet britmë, që përshkon qiellin e arrin tek Hyu. Po çfarë shpreh britma e të varfërit, nëse nuk shpreh vuajtjet e vetminë e tij, zhgënjimin dhe shpresën? Mund të pyesim veten: pse kjo britmë, që ngjitet deri tek Hyu, përse nuk mund të arrijë në veshët tanë dhe pse na lë indiferentë dhe pasivë? Në një Ditë si kjo, jemi të thirrur për një analizë serioze të ndërgjegjes, për të kuptuar nëse jemi vërtet të aftë të dëgjojmë të varfrit”.

Tri fjalë për marrëdhëniet e të varfërit me Zotin

Papa i karakterizon me tri fjalë marrëdhëniet e të varfërit me Zotin. Dy të parat janë “thirrja” dhe “përgjigjja”. “Zoti, thotë Psalmisti,  – thekson Ati i Shenjtë në Mesazhin e tij për këtë Ditë – jo vetëm dëgjon britmën e skamnorit, por përgjigjet. Përgjigja e Tij, siç edhe vërtetohet përgjatë gjithë historisë së shëlbimit, është një pjesëmarrje plot dashuri në gjendjen e skamnorit”. Së fundi, fjala e tretë, ndoshta më e rëndësishmja, është “lirimi”. “Skamnori në Bibël jeton me sigurinë se Zoti ndërhyn në favor të tij për t’i rivendosur dinjitetin – sqaron Papa në Mesazh. - Varfëria nuk kërkohet, por krijohet nga egoizmi, mendjemadhësia, lakmia dhe padrejtësia. Të këqija të vjetra sa njeriu, por gjithnjë mëkate që përfshijnë shumë të pafajshëm, duke çuar në pasoja shoqërore dramatike”.

Këshillat e Papës për të krishterët

 Më tej në Mesazh, Papa Françesku u jep të krishterëve një vit për të vënë në jetë fjalët e Psalmit. Veprat në favor të të varfërve, këshillon Ati i Shenjtë, mund të bëhen jo vetëm në bashkëpunim me njerëzit e fesë, por edhe me të gjithë ata, që besojnë në solidaritetin njerëzor: “Janë të panumërta iniciativat, që ndërmerr çdo ditë bashkësia e krishterë, për të dhënë një shenjë afërsie dhe lehtësimi për format e shumta të varfërisë, që i kemi para syve.

Shpesh, bashkëpunimi me realitete të tjera, të cilat nuk nisen nga besimi, por nga solidariteti njerëzor, arrin të sjellë ndihma, që nuk mund t’i realizojmë të vetëm. Kur pranojmë se në botën e pafund të skamjes, edhe ndërhyrja jonë është e kufizuar, e dobët dhe e pamjaftueshme, nxitemi t’u shtrijmë dorën të tjerëve që bashkëpunimi i ndërsjellë të arrijë qëllimin në mënyrë më të frytshme. …Dialogu ndërmjet përvojave të ndryshme dhe përvujtëria për të ofruar bashkëpunimin tonë, pa asnjë lloj protagonizmi, është përgjigje e përshtatshme dhe plotësisht ungjillore, të cilën mund ta vëmë në jetë”.

18 nëntor 2018, 11:45