Kërko

Murgeshat e klauzurës në Vatikan Murgeshat e klauzurës në Vatikan 

Françesku, murgeshave të klauzurës: Kisha dhe bota nuk mund të bëjnë pa ju

Mesazh i Papës për bashkësitë kundruese, që sot kremtojnë Ditën Pro Orantibus, me një kuvend në Universitetin Papnor Lateranens.

R.SH. - Vatikan

“Ҫ’do të ishte Kisha pa jetën kundruese?”. Të gjitha rregulltareve dhe rregulltarëve të klauzurës, që sot kremtojnë Ditën Pro Orantibus me një takim në Romë, organizuar nga Kongregata për Jetën Rregulltare dhe nga Sekretariati për Ndihmën e Murgeshave, Papa Françesku u rinovon, në emër të Kishës, vlerësimin “për formën e tyre të jetesës”.

Papa i quan kundruesit “fanarë, pishtarë dhe roje”

         Në një mesazh për pjesëmarrësit e kuvendit, që u mbajt në Universitetin Papnor Lateranens, Bergoglio i quan kundruesit “fanarë, pishtarë dhe roje” të Kishës e të botës. Si të bëjmë pa to, pyet Papa, i cili u dha lejen e veçantë 320 rregulltareve të klauzurës nga e gjithë bota për të marrë pjesë në takimin e sotëm. “Ҫ’do të ndodhte me gjymtyrët më të brishta të Kishës, që gjejnë tek ju mbështetje për të vijuar udhën? – shkruan Françesku. – Ҫ’do të bëhej me Kishën e me botën pa fanarët, që u sinjalizojnë portin të humburve në detin me dallgë; pa pishtarët, që shndrisin natën e errët që po kalojmë; pa rojet, që lajmërojnë ditën e re, kur është akoma natë?”

Rëndësia e formimit

         Papa i falenderon bashkësitë e klauzurës për shenjtërinë, mëshirën e hirin, që përhapin në Kishë e në botë; i fton ta marrin seriozisht sfidën e formimit, duke e kuptuar se ai është proces i ngadalshëm, që zgjat gjithë jetën, prandaj, nuk duhet pasur ngut. Mos u shqetësoni për numrat e për sasinë e murgeshave, nënvizon Ati i Shenjtë, por për cilësinë e formimit të tyre. Papa thekson rëndësinë e shoshitjes e të shoqërimit shpirtëror të kandidateve, si edhe të formimit të mësueseve të tyre.

         “Që jeta juaj kundruese të jetë domethënëse për Kishën e për botën e sotme, është e nevojshme t’i jepet rëndësi formimit të përshtatshëm për kërkesat e çastit aktual: formim i gjithanshëm, i personalizuar dhe i shoqëruar si duhet”, shkruan Papa Françesku. Një formim i tillë “do ta ushqejë e do ta ruajë besnikërinë tuaj krijuese ndaj karizmës, si të secilës prej motrave, ashtu edhe të krejt bashkësisë”.

21 nëntor 2018, 16:17