Versioni Beta

Cerca

Vatican News

Videomesazh i Papës për të rinjtë e Madagaskarit

Papa Françesku u çoi sot një videomesazh të rinjve të Madagaskarit, në përfundim të Ditëve kombëtare të Rinisë, që u mbajtën nga 8 deri më 14 tetor.

R.SH. - Vatikan

“Jam i lumtur t’ju drejtohem dretpërdrejt”, u thotë Ati i Shenjtë në frëngjisht. “Ju jeni në zemrën time e në atë të ipeshkvijve të Sinodit, sepse vëmendja jonë është tek ju, të rinjtë. Jeni mbledhur nga çdo anë e ishullit tuaj të bukur për këtë takim me temë: ‘Mos ki frikë Mari, sepse gjete hir pranë Zotit’”.

         “Kjo fjalë e engjëllit për Marinë është sot për të gjithë, për secilin prej jush – vijon Papa Françesku. – Zoti ua drejton juve. Ashtu si e pa Marinë dhe i dhuroi Hirin e Tij, Zoti ju sheh edhe juve me dashuri, respekt, ëmbëlsi. Ai e njeh frikën e dobësinë tuaj. Me Të, gjithçka është e mundur. Maria vendosi gjithçka në duart e Tij: bëni si ajo, pranojeni këtë dhuratë të Zotit, duke ia hapur zemrën dykanatësh së mirës. Hiri i Tenzot është thesar, të cilin mund edhe ta harrojmë shpejt. Sepse Zoti nuk imponohet kurrë! Na thotë gjithmonë: ‘Nëse dëshiron… Nëse do…” Merrni kohën, që ju nevojitet, për ta dëgjuar ftesën e Tij e për t’iu përgjigjur me gjithë zemër e me bujari! – bën thirrje Ati i Shenjtë. – Ҫ’lumturi, kur i përgjigjesh thirrjes së Krishtit… Shumë meshtarë e rregulltarë mund ta dëshmojnë këtë: Jezusi i jep kuptim krejt jetës.

         Mos rrini vetëm! Kisha është familje e madhe, ku do të gjeni gjithnjë mbështetje e ngushëllim në famullitë e në grupet tuaja, përmes lutjes, sakramenteve, miqësisë, shoqërimit të meshtarëve dhe të të pagëzuarve të tjerë.

         Shkoni e u kumtoni të gjithëve se Jezusi na do e se me Të çdo frikë zhduket! – i fton Papa Françesku të rinjtë e Madagaskarit. – Realizojini ëndrrat  dhe punoni së bashku për të ndërtuar të ardhmen tuaj e të vendit tuaj, duke kërkuar gjithnjë të mirën e njëri-tjetrit. Po ju dërgoj si lajmëtarë të paqes e të shpresës në qytete, në fshatra, aty ku jetoni e punoni.

         Zoti ju bekoftë ju e familjet tuaja! Lutem për ju e ju kërkoj të luteni edhe për mua e për të gjithë ipeshkvijtë tuaj. Mirupafshim”, përfundon videomesazhi i Atit të Shenjtë.

14 tetor 2018, 11:30