Kërko

Në një video, falenderimi i të rinjve të Irakut për Papën Françesku

Mirënjohje e gëzim: janë këto, ndjenjat e shprehura nga të rinjtë e të rejat e Irakut, si përgjigje për fjalët e për dashurinë e Papës, që iu komunikua atyre nga një i ri dëgjues në Sinodin e ipeshkvijve.

R.SH. - Vatikan

Më 13 tetor, në Shtëpinë e Shën Martës, në një atmosferë veçanërisht dashamirëse, Papa Françesku takoi një të ri irakian, Safa Al Abbia, dëgjues në Sinodin e ipeshkvijve. Menjëherë pastaj, ky i ri do të kthehej në vendin e vet, për t’i qëndruar pranë së ëmës të sëmurë rëndë, prandaj, pati shprehur dëshirën të përshëndeste Atin e Shenjtë para nisjes.

Bekimi i Papës për gjithë të rinjtë e Irakut

         Papa Françesku pranoi menjëherë e në fund të bisedës, duke i uruar udhë të mbarë, i dha një rruzare që t’ia çonte nënës. Gjithashtu, i tha fjalë inkurajimi për gjithë të rinjtë e Irakut, duke i këshilluar të ecin përpara me guxim, duke e parë me besim të ardhmen e duke e lënë veten në dorën e Zotit. Pas premtimit se do të lutej për ta, Papa dha bekimin për gjithë djemtë e vajzat e Irakut.

Mirënjohja e të rinjve

         Këto fjalë plot dashuri të Papës Françesku, Safa Al Abbia ua njoftoi menjëherë të rinjve katolikë të Irakut, me idenë që të rinjtë të përgjigjeshin. Lindi kështu video i përgjigjeve, në gjuhë të ndryshme, ku të rinjtë dhe ipeshkvi ndihmës i Bagdadit, imzot Shlemon Warduni, falenderojnë Atin e Shenjtë dhe impenjohen të luten për të, duke i siguruar bashkimin e tyre me gjithë Kishën.

22 tetor 2018, 15:36