Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Rruzarja Shenjte Rruzarja Shenjte  (©kbuntu - stock.adobe.com)

Papa: të themi Rruzaren për ta mbrojtur Kishën nga djalli

Në këto kohë të vështira, në të cilat Kisha sulmohet veçanërisht nga e keqja, Papa u kërkon besimtarëve të gjithë botës të bashkohen me një lutje korale gjatë muajit të tetorit, për të kërkuar mbrojtjen e shën Marisë dhe të shën Mëhillit(Mikelit) Kryeengjëll.

R.SH. - Vatikan

Sot, në festën liturgjike të Zojës Rruzare, përkujtojmë sërish ndjetin e lutjes së Papës Françesku për muajin tetor. Ati i Shenjtë i kërkon gjithë Kishës të thotë përditë Rruzaren, duke përdorur edhe dy lutje të veçanta drejtuar shën Marisë dhe shën Mëhillit apo Mikelit Kryeengjëll, për ta mbrojtur atë nga djalli.

Sub tuum praesídium

Lutja e parë, "Sub tuum praesídium", që daton në shekullin III, është tropari më i lashtë kushtuar nënës së Zotit:

“Nën proje tande po ngasim, o Nana shenjte e Tenzot: mos i përbuz të lutunat, qi t'i bajm nder nevojë t'ona; por na pshto kurdoherë prej rreziqesh, o Virgjin e lume e e bekueme”.

Lutja për Shën Mëhillin Kryeengjëll

Lutja e dytë është ajo tradicionale, drejtuar shën Mëhillit. Është shkruar nga Leoni XIII e na ndihmon të lutemi për mbrojtjen e Kishës:

         “Shën Mëhill kryeengjëll, na mbro në beteja dhe bëhu mburoja jonë kundër ligësive dhe kurtheve të djallit! Po të përgjërohemi që Zoti të ushtrojë pushtetin e vet mbi të. E ti, o Princi i ushtrive qiellore, me pushtetin hyjnor, flake në ferr djallin dhe shpirtrat e këqinj, të cilët sillen nëpër botë për humbjen e shpirtrave të tjerë. Amen”.

Misteri i së keqes

Ka raste kur djalli ka më shumë fuqi për të na sulmuar. Është misteri i së keqes. Siç thotë Shën Augustini, cituar nga Katekizmi i Kishës Katolike(324), “Zoti nuk do ta lejonte të keqen, nëse nga po ajo e keqe nuk do të nxirrte të mirën, përmes rrugëve, që do t’i njohim plotësisht vetëm në jetën e amshuar”. Kjo siguri na ngushëllon, por misteri i së keqes, këtu në tokë, mbetet e na bën keq.

Përvujtëri dhe bindje kundër sulmeve të djallit

Për t'u rezistuar këtyre sulmeve, duhet të ecim në rrugën e përvujtërisë dhe të bindjes, siç thotë Shën Tereza e Krishtit Fëmijë. Është rruga e të vegjëlve, që i besohen Jezusit. Rruga e madhështisë na bën të ndihemi më të rëndësishëm, më të drejtë, më të saktë se të tjerët, madje, edhe se vetë Papa e kështu, e pengojmë dëbimin e djallit, largimin e tij.

Djalli ekziston edhe në shekullin e 21-të

Papa Françesku ka folur shpesh për djallin, pa frikë mos e gjykojnë si “ne e moçme”, sepse - thotë ai – “djalli ekziston edhe në shekullin XXI dhe ne nuk duhet të jemi naivë. Duhet të mësojmë nga Ungjilli si të luftojmë kundër tij ".

Djalli shpesh maskohet si engjëll

Djalli "është më inteligjent se ne" - thotë Papa - me të nuk hyhet në dialog, sepse humbasim, siç i ndodhi Evës: “Besonte se ishte teologe e madhe, por humbi”. Djalli, në fakt, "është joshës", "di të flasë mirë", "e di se çfarë fjalësh të na thotë" e "ne na pëlqen të joshemi", sepse ai "sjell dhurata të bukura, të paketuara mirë", "na josh me paketën, pa na lënë të shohim brenda","propozimet e tij janë të gjitha gënjeshtra", por "ne, budallenjtë, i besojmë". Drita e tij na verbon "si ajo e fishekzjarreve", por më pas, zbehet. Djalli vjen tek ne "i maskuar si engjëll shumë herë dhe në fshehtësi na e thotë një fjalë. Mos e dëgjoni! Të ndjekim Jezusin".

Përndjekja më e madhe kundër Kishës nuk vjen nga jashtë

Shpesh, ndoshta, ne mbyllemi në një kështjellë, sikur sulmet më të rrezikshme të vinin nga jashtë, nga bota, dhe ndihemi të mbrojtur nga kjo lloj ndarjeje. Natyrisht, persekutimet kundër të krishterëve vazhdojnë dhe janë edhe më të fuqishme se në të kaluarën, por - siç thoshte Benedikti XVI - "persekutimi më i madh kundër Kishës nuk vjen nga armiqtë e jashtëm të saj, por lind nga mëkati brenda Kishës." Dhe Papa Françesku kërkon këtë lutje të veçantë, më të fuqishme, pikërisht për ta ruajtur Kishën nga sulmet e të Keqit e “për ta bërë, njëkohësisht, gjithnjë e më të vetëdijshme për fajet, gabimet, abuzimet e kryera në të tashmen dhe në të kaluarën, për ta bërë më të përkushtuar në luftën pa hezitim që e keqja të mos ngadhnjejë”.

07 tetor 2018, 09:19