Kërko

Audienca e Papës me shtegtarët nga El Salvador Audienca e Papës me shtegtarët nga El Salvador 

Papa: shën Oscar Romero na kujton se çdo i krishterë duhet të dëshmojë Krishtin

“Shën Oscar Romero diti të mishërojë përsosurisht figurën e Bariut të Mirë, që jep jetën për delet e veta”. Kështu, Papa Françesku, gjatë takimit të paradites me 5 mijë shtegtarët, ardhur nga El Salvadori për kanonizimin e kryeipeshkvit.

R.SH. - Vatikan

Mesazhi i shën Oscar Romeros u drejtohet të gjithëve “pa përjashtim”. Ai theksonte me forcë se “çdo katolik duhet të jetë martir, sepse martir do të thotë dëshmitar” i Lajmit të Mirë të Zotit për njerëzit. Me këto fjalë, sot paradite, Papa Françesku priti në audiencë rreth 5 mijë shtegtarët e ardhur nga El Salvadori për të marrë pjesë në meshën e shenjtërimit të kryeipeshkvit të San Salvadorit, vrarë “in odium fidei”, më 24 mars 1980, ndërsa kremtonte Eukaristinë. Përkujtimi i tij, nënvizoi Ati i Shenjtë, është edhe “rast i veçantë për t’u çuar një mesazh paqeje dhe pajtimi të gjithë popujve të Amerikës Latine”.

Imzot Romero, shembull e nxitje

         Shën Oscar Romero, vijoi komentin e tij Papa, mishëroi figurën e Bariut të Mirë, që jep jetën për delet e tij. Prandaj, është “shembull e nxitje” për ipeshkvijtë e El Salvadorit: “shembull i preferencës për më nevojtarët e mëshirës së Zotit”, e nxitje për të dëshmuar dashurinë e Krishtit e kujdesin për Kishën, duke ditur të koordinojnë veprimtarinë e secilit prej anëtarëve të saj e duke bashkëpunuar me Kishat e tjera të veçanta me zellin e dashurisë kolegjiale. Vetëm kështu, mund të jenë shenjë e unitetit në pluralitet, shenjë, që e pati karakterizuar imzot Romeron sa qe gjallë.

Denoncimi i të këqiave të botës

         Më pas, Papa i nxiti meshtarët dhe rregulltarët të punojnë pa u lodhur “për të përçuar dëshirën e pafundme të Zotit që t’i falë të penduarit për mjerimin ku ka rënë e, për të hapur zemrat e vëllezërve e motrave ndaj ëmbëlsisë së dashurisë së Hyjit, edhe përmes denoncimit profetik të të këqiave të botës”. Shën Oscar Romero, në fakt, e shihte meshtarin mes dy honesh të mëdha: atë të mëshirës pa fund të Zotit e atë të mjerimit pa fund të njerëzve. E pikërisht meshtarëve e ipeshkvijve, Françesku u kërkoi me forcë të kujdesen për “popullin shenjt e besnik të Zotit”, duke mos e shkandulluar atë.

El Salvadori ecën përpara, pavarësisht nga historia e dhunshme

         Së fundi, Papa Françesku iu drejtua me dashuri banorëve të El Salvadorit, që e shprehin fenë e tyre të gjallë në forma të ndryshme të përshpirtërisë popullore. Kujtoi se vendit, fatkeqësisht, nuk i ka munguar përçarja e lufta, dhunë që është ndierë shumë gjatë historisë së afërt, për shkak të së cilës salvadorianët janë detyruar të emigrojnë nga atdheu i tyre. Papa Françesku iu lut Zojës të kujdeset për banorët e El Salvadorit, të cilët e deshën shumë imzot Romeron, pasi, nënvizoi Bergoglio, “populli i Zotit e ndien me hundë shenjtërinë”. Në shenjë falenderimi, Ati i Shenjtë thirri në podium një person të përvuajtur të popullit, Angelita Morales, e cila e pati shoqëruar dhe ndjekur shenjtin e ri deri në fund, duke i qëndruar pranë.

15 tetor 2018, 14:08