Cerca

Vatican News
Papa Françesku në Lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa Françesku në Lutjen e Engjëllit të Tënzot  (AFP or licensors)

Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot: hapjani zemrën tjetrit

Në Engjëllin e djeshëm të Tënzot, Papa Françesku nxit të mësojmë nga Krishti: “Ai na bën thirrje të mos mendojmë sipas kategorive ‘mik/armik’, ‘ne/ata’, ‘brenda/jashtë’, por të shkojmë përtej tyre”.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku bën thirrje të mos gjykojmë sipas kategorive e paragjykimeve, por t’ua hapim zemrën të tjerëve. Në Engjëllin e djeshëm të Tënzot, Ati i Shenjtë komentoi Ungjillin, i cili na paraqet dishepujt të zemëruar, sepse panë dikë që dëbonte demonët, pavarësisht se nuk ishte ndjekës i Jezu Krishtit. Përgjigjja e Krishtit i befason, pasi jo vetëm i nxit ta lënë të qetë, por i mëson edhe se kush vepron në emër të Tij, nuk mund të flasë keq më pas për Të. Papa nënvizoi se, ashtu si Jezusi, duhet të mësojmë ta kuptojmë kur e mira është e sinqertë, e vërtetë dhe e mirëfilltë, pavarësisht se kush e bën.

Autoreferencialiteti është rrënjë e prozelitizmit

         Megjithëse sjellja e dishepujve është e kuptueshme, vërejti Papa Françesku, bashkësitë e krishtera të të gjitha kohrave nuk duhet të kenë frikë nga kjo lloj “konkurrence”. Duke i konsideruar të tjerët si persona, që nuk bëjnë pjesë në rrethin tonë, nuk janë tanët, biem në vetëreferim, që është rrënja e prozelitizmit. “Kisha, thoshte Papa Benedikti, nuk rritet për shkak të prozelitizmit, por nga dëshmia e vet për të tjerët, me forcën e Shpirtit Shenjt”, citoi Françesku Papën e nderit.

Nevojitet shqyrtimi i ndërgjegjes

         Kur mbetemi të mbërthyer në kurthin e asaj që dimë, ose të asaj që na përket, ka rrezik t’i gjykojmë të tjerët. Ndërsa, shpjegoi Papa, duhet “të shqyrtojmë vetveten e ‘ta presim [me gërshërë]’, pa kompromis, gjithçka, që mund të shkandullojë më të brishtët në fe”. Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë iu lut shën Marisë – “model i pranimit plot butësi të të papriturave të Zotit” – që të “na mësojë ta duam bashkësinë tonë pa xhelozi e mbyllje, gjithnjë të hapur drejt horizontit të gjerë të veprimit të Shpirtit Shenjt”.

01 tetor 2018, 12:06