Kërko

 Aksident hekurudhor në Indi Aksident hekurudhor në Indi 

Ngushëllimi i Papës për aksidentin hekurudhor në Indi

Të paktën 60 vetë gjetën vdekjen gjatë një aksidenti hekurudhuror në Shtetin indian të Penxhabit, gjatë një feste fetare hinduiste. Papa siguron se lutet për të vdekurit. Autoritet vendase kanë nisur hetimet.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku shpreh dhimbjen e tij për aksidentin hekurudhor të së premtes së kaluar, pranë Amritsar, në Shtetin indian të Penxhabit, si pasojë e të cilit vdiqën 60 vetë, ndërsa me dhjetra të tjerë u plagosën. Në një mesazh ngushëllimi, nënshkruar nga sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, drejtuar autoriteteve kishtare e civile vendase, Papa u shpreh “solidaritetin e sinqertë  të gjithë atyre, që u prekën nga kjo tragjedi”, duke siguruar se lutet për të vdekurit e për të afërmit, prekur thellë nga kjo humbje. Papa i lutet Zotit t’u japë bekimin hyjnor, forcën e paqen të plagosurve e të dashurve të tyre, ashtu si edhe autoriteteve  civile e atyre që po japin ndihmën e shpejtë”.

Aksidenti ndodhi ndërsa po kremtohej një festë fetare hinduiste: shumë njerëz ishin mbi binarë gjatë shpërthimit të fishkzjarreve festive, kur dy trena, në drejtim të kundërt, kaluan njëkohësisht mbi turmën. Autoritetet indiane nisën hetimet për të sqaruar shkaqet e kësaj fatkeqësie të rëndë.

Ipeshkvijtë katolikë - përmes një komunikate - shprehin pikëllimin për këtë tragjedi, që goditi - pohojnë - shumë nga vëllezërit e motrat tona, të cilët vdiqën para kohe, ndërsa po kremtonin  festën e  tyre fetare. Zoti u dhashtë pushimin e pasosur. Kjo tragjedi - vijojnë ipeshkvijtë -  tregon edhe një herë se është e nevojshme të përmirësohet siguria  hekurudhore e rrugore si dhe të zbatohen  normat e sigurimit në organizimin e kremtimeve, sepse jeta është e çmuar e duhet mbrojtur me të gjitha mënyrat.

21 tetor 2018, 16:38