Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Shkrimi Shenjt Shkrimi Shenjt 

Françesku: Fjala i prish skemat tona e na ridrejton kah Zoti

Sot paradite Papa priti në audiencë, në Sallën Pali VI, Delegacionin e Shoqërisë Biblike Amerikane, i pranishëm në Romë për ushtrimet vjetore shpirtërore. Tema e takimit: “Pushteti i Fjalës së Zotit”. Fjala “bën të vërtetën në shpirtin tonë”- kujtoi Françesku

R. SH. - Vatikan

“Ta shndërrosh jetën e njerëzve, përmes Fjalës së Zotit”. Ky, angazhimi, në qendër të veprimtarisë së Shoqërisë Biblike Amerikane, ashtu siç shprehet në “Statut” e që Françesku e inkurajoi të vijojë, duke iu drejtuar, sot paradite, anëtarëve të Këshillit të administratës, rreth 40 vetë. Papa pohoi:

“Vërtet Fjala e Zotit ka pushtet ta shndërrojë jetën, sepse është e gjallë dhe e frytshme e pret më shumë se çdo shpatë me dy teha; ajo i sheh ndjenjat e mendimet e zemrës”. Me këtë fragment nga Letra drejtuar Hebrenjve, dëshiroj t’ju shpreh urimet e mia ju, që erdhët në Romë për ushtrimet tuaja shpirtërore vjetore, përqendruar tek pushteti i Fjalës hyjnore”.

Fjala nuk mbetet pa  fryt

Fjala e Zotit, “është e gjallë dhe e frytshme”. Përmes saj Zoti krijoi botën e, me Fjalën e Jezusit, u dha jetë zemrave të shuara. E, duke cituar Izainë Profet, Papa nënvizoi: “Ajo nuk mbetet kurrë pa fryt, pa e kryer atë, për të cilën na e dhuroi Zoti”.

Ju uroj ta pranoni gjithnjë Biblën në unicitein e saj të çmuar: si Fjalë e cila, e frymëzuar nga Shpirti Shenjt jetëdhënës, na jep Jezusin, që është jetë,  e kështu i bën të frytshme edhe jetët tona. Asnjë libër tjetër nuk e ka këtë forcë!

Fjala e Zotit gërmon deri në fund të shpirtit

Fjala e Zotit është e mprehtë! E Françesku shpjegoi se, ndonëse sjell ngushëllimin e Zotit, ajo, duke depërtuar në thellësi, është edhe shpatë, që  të ther miqësisht në zemër.

Për një çast dy tehat e kësaj shpate mund të shkaktojnë dhembje,  por në të vërtetë  të shpëtojnë, sepse presin gjithçka të largon nga Zoti.

Fjala i thyen skemat

Fjala e Zotit, pastaj “dallon mendime e ndjenja”, duke sjellë të vërtetën, duke davaritur falsitetet e qëndrimet me dy faqe e duke e riorientuar vazhdimisht “rrotën e jetës drejt Zotit”.

Fjala e Zotit sjell gjithnjë risi, është e pakapshme, i ikën parashikimeve tona e shpesh i thyen skemat tona.

“Ta lëmë veten të lexohemi nga Fjala - përfundoi Papa - do të thotë të shndërrohemi edhe ne vetë në ‘libra të hapur’, ‘dëshmitarë të Jezusit e kumtarë të risisë së Tij’”.

31 tetor 2018, 14:19