Versioni Beta

Cerca

Vatican News

16 tetor 1978, zgjedhja e Gjon Palit II

Papa i parë sllav në historinë e Kishës. Dëshmitar i vërtetë i Ungjillit, shpallur shenjt nga Papa Françesku. Mbrojtës i dialogut ekumenik dhe ndërfetar, themeloi Ditët Botërore të Rinisë dhe i priu Kishës drejt shekullit XXI.

R. SH. - Vatikan

Papa i parë sllav në historinë e Kishës. Dëshmitar i vërtetë i Ungjillit, shpallur shenjt nga Papa Françesku. Mbrojtës i dialogut ekumenik dhe ndërfetar, themeloi Ditët Botërore të Rinisë dhe i priu Kishës drejt shekullit XXI.

Të dashur vëllezër e motra,

Jemi ende të gjithë të hidhëruar pas vdekjes së të shumëdashurit, Papës Gjon Pali I. E ja se Hirësitë e Tyre, kardinajtë, thirrën një ipeshkëv të ri të Romës. E thirrën nga një vend i largët. I largët, por gjithnjë tejet i afërt për bashkimin në fe e në traditën e krishterë. Pata frikë ta pranoja këtë emërim, por e bëra në frymën e bindjes ndaj Zotit tonë, Jezu Krishtit e me besim të plotë në Nënën e Tij, Zojën e Bekuar”.
Këto, fjalët e para  të Gjon Palit II, kardinalit polak Karol Wojtyla, ulur në Fronin e papnisë më 16 tetor 1978, pas vdekjes krejtësisht të papritur të paraardhësit, Gjon Palit I. Mbeti në kujtesën e njerëzimit si Papa “i ardhur nga larg”! Papa, që do të fitonte zemrat e breznive të tëra. Papa, që i priu Kishës drejt mijëvjeçarit të ri të krishterë. Papa, protagonist  i një periudhe historike tejet të rëndësishme e të shqetë.  

Do të shpallej “i Lum” më 21 maj 2011, në një kremtim të kryesuar nga Benedikti XVI - e shenjt - nga Papa Françesku, më 27 shkurt 2014,  të dielën “e katër papëve”.

Protagonist i historisë

I gatshëm për dialog ndërfetar dhe ekumenik, mbrojtës i paqes dhe i dinjitetit të njeriut, luajti rol të dorës së parë për shembjen e komunizmit dhe shtegtoi në të gjitha skajet e dheut, për ta çuar Ungjillin kudo. Më 13 maj 1981 u plagos gjatë një atentati në Sheshin e Shën Pjetrit, por asgjë nuk mundi ta ligështonte fenë e as guximin e tij. Edhe i sëmurë rëndë, vijoi të jepte dëshmi të paharrueshme të Ungjillit, deri në fund të fundit, deri në vdekje, deri në funeralin e tij të paharrueshëm, kur u përcoll nga miliona njerëz, nga mbarë bota, në banesën e fundme… deri tek lumnimi e shenjtërimi…

Kështu e kujton sot bota “Papën e ardhur nga larg”…që u bë i afërt për të gjithë!”.

 

16 tetor 2018, 13:48