Kërko

LITHUANIA-RELIGION-POPE LITHUANIA-RELIGION-POPE 

Papa nё shtetet Baltike, Lituania etapa parё e udhëtimit apostolik

Filloi sot udhëtimi 25-tё apostolik i Papёs Françesku nё Shtetet Baltike, vizita parё nё Lituani, ku tha: mësoni me vuajtjet tuaja botën dhe Bashkimin Evropian se siguria nuk garantohet duke përjashtuar kulturat tjera.

Papa Françesku mbërrini në Lituani, në etapën e parë të udhëtimit të tij apostolik katër ditor në Republikat Balltike. Në aeroportin ndërkombëtar të kryeqytetit Vilnius, Papa Françesku u prit nga Presidentja e Lituanisë, Dalia Gribauskaite, me të cilёn, pas ceremonisë përshëndetëse tё mirëseardhjes, pati një takim në Pallatin Presidencial, ku u takua edhe me autoritetet e vendit.

Shtetet si Lituania dhe vuajtjet që ka pësuar në të kaluarën mund t’ kujtojnë botës e në veçanti Bashkimit Evropian se siguria nuk kalon e nuk arrihet përmes imponimit tё një modeli të vetëm dhe as me përjashtimin e kulturave tjera të ndryshme. Dhe se nuk duhet të përdoren pasiguria dhe konfliktet si mjete pёr tё arritur synime tё caktuara. Papa Françesku e mbajti fjalimin e tij të parë në tokën lituaneze, në Pallatin Presidencial të Vilniusit, përpara autoriteteve politike dhe diplomatike të vendit, duke i ftuar t’i "harmonizojnё dallimet".

Jorge Mario Bergoglio është Papa i dytë qё shkon nё vendet baltike, pas vizitës historike të Gjon Palit II në vitin 1993. Në atë kohë vizita papnore u realizua pak kohё pas rënies sё komunizmit, dhe shtegtimi i Papës sllav ishte një festë e rezistencës dhe heroizmit kundër totalitarizmit . Sot Papa Françesku gjen një realitet shumë të ndryshёm: pas rënies së komunizmit dhe rifitimit të lirisë fetare që pasoi, nuk rilindi thjesht vetёm besimi, por popuj e kёtyre viseve u detyruan tё përballen me konsumizmin dhe kapitalizmin e shfrenuar.

Nga këtu, nga një qytet kufitar, ku për disa shekuj kanë bashkëjetuar kombësi, fe dhe komunitete tё ndryshme, i quajtur nga hebrenjtë " Jeruzalemi i Veriut", në sheshin e madh përball  pallatit tё bukur presidencial në stilin neoklasik, Papa Françesku e filloi shtegtimin e tij katër-ditor në Republikat baltike: pas dy ditësh në Lituani, të hënën mё 24 shtator do të jetë në Estoni dhe të martën mё 25 shtator do ta përfundojë udhëtimin e tij apostolik në Letoni.

Presidentja e Lituanisë Dalia Grybauskaite, e cila pak më parë e kishte pritur Papën në aeroport, në përshëndetjen drejtuar Atit Shenjtё Bergoglio tha: "Në vitet e sprovave më të vështira - në mërgim, në kampe, në burgje, nё bunkerët e partizanëve - njerëzit e kёtij vendi shpëtuan falë thellësisë së fesё (besimit) së vet. Për shtatëmbëdhjetë vjet besimtarët e patrembur kanë botuar dhe përhapur në mënyrë klandestine revistën "Kronika e Kishës Katolike". Asnjë represion i KGB-së nuk ka arritur ta shtypë as ta shuajё besimin e popullit nё Zotin. Dhe kjo na ka mbështetur shpirtërisht".

Presidentja shpjegoi se lituanezët janë "gati të pranojnё ftesën e tij për t'i bashkuar tё gjitha përpjekjet tona për një botë më njerëzore. Për një botë nё tё cilёn ka më pak varfëri, më pak dhimbje dhe më shumë mirëkuptim e dhembshuri ". Dhe kujtoi se nesër, e diel 23 shtator, me rastin e Ditës së pёrkujtimit tё genocidit të hebrenjve lituanianё, “do tё pёrkujtojmё edhe mësimin e mëshirës së bashkatdhetarëve tanë. Në vendin ku u përleshën krimet e nazizmit dhe tё stalinizmit, shumë njerëz i shpëtuan hebrenjtë, sepse njerëzimi ishte gjëja më e rëndësishme për ta".

Duke folur në italisht, Papa Bergoglio kujtoi përkufizimin që Karol Wojtila i pati dhёnё Lituanisё , “dëshmitare e heshtur e një dashurie tё pasionuar për lirinë fetare”. E pikërisht këtë vit kremtohet njëqindvjetori i pavarësisë së vendit, një shekull, kujtoi Papa Françesku, “karakterizuar prej shumë sprovave dhe vuajtjeve që keni duruar (burgosjet, depërtimet, dëbimet, madje edhe martirizimin)”.

"Çdo brez - vijoi Papa - është i thirrur për t’i përvetësuar luftërat dhe arritjet e kaluara pёr tё nderuar në të sotmen kujtimin e etërve. Nuk e dimë se si do të jetë e nesërmja; ajo që dimë është se çdo epokë e ka përgjegjësinë për të ruajtur shpirtin që e ka ndërtuar dhe që ndihmon për të shndërruar çdo situatë tё dhimbjes dhe tё padrejtësisë në njё mundësi, dhe duke e ruajtur të gjallё e aktive rrënjën që ka prodhuar frytet e sotme».

Pikërisht për të treguar se cili ёshtё shpirti i vërtetë i Lituanisë, Papa përmendi se vendi "në rrjedhën e historisë së vet diti tё mirëpres, t’i pranojë popujt e etnive dhe feve të ndryshme. Të gjithë ata gjetën në këtë tokё një vend për të jetuar: lituanezë, tatarë, polakë, rusë, bjellorusë, ukrainas, armenë, gjermanë ...; katolikë, ortodoksë, protestantë, katolikë-tё-vjetër, myslimanë, hebrenjtë ...; tё gjithё kanë jetuar së bashku në paqe deri në ardhjen e ideologjive totalitare që e thyen (kёputen) kapacitetin e mikpritjes dhe harmonizimin e dallimeve duke mbjell dhunë dhe mosbesim". Pёr kёtё arsye "toleranca, mikpritja, respekti dhe solidariteti" janë mësim që duhet tё bëhet gjithnjë e më aktual. 

22 shtator 2018, 17:09