Kërko

Papa në Kaunas: Kishë “në dalje”, që kujdeset për të vegjlit

Në meshën e parë të udhëtimit të tij në Lituani e në Vendet e tjera Balltike, në parkun Santakos, Papa Françesku kërkon “ta shërojmë kujtesën e historisë”, për të ndërtuar të tashmen. Para 100 mijë besimtarëve, kujton Siberinë, pushtimet dhe getot e Vilniusit e të Kaunasit.

R.SH. - Vatikan

Nga toka martire e Lituanisë, që ka njohur persekutimet, getot dhe internimet në Siberi gjatë viteve të totalitarizmit, Papa Françesku, në ditën e dytë të shtegtimit të 25-të apostolik ndërkombëtar, kujton të kaluarën e Evropës, duke këshilluar udhën ungjillore: mos ndiqni pushtet e lavdi, por shërbejuni të varfërve, të vegjëlve e të harruarve.

Dhimbja e pushtimeve dhe e internimeve

Një qiell pa re e një ditë plot diell në Kaunas, fshat i lashtë i fortifikuar e sot, qyteti i dytë i Lituanisë, dëshmitar i luftrave, pushtimeve, plaçkitjeve, gjatë shekujve. Nga viti 1920 deri më 1939, pati qenë kryeqyteti i vendit. Në parkun e madh Santakos, Papa Françesku kremton meshën para rreth 100 mijë të pranishmëve. Gjatë homelisë, duke medituar mbi Ungjillin sipas Markut e duke kujtuar se Jezusi ua përmend shpesh dishepujve ç’e pret, duke përvijuar kështu Mundimet e Tij, Ati i Shenjtë kujton të kaluarën e hidhur të kohës së nazizmit e më pas, të komunizmit:

         Jeta e krishterë kalon gjithmonë përmes çasteve të kryqit, që, nganjëherë, duken pa fund. Brezat e kaluar e kanë të vulosur me zjarr kohën e pushtimit, akthin e të internuarve, pasigurinë e atyre, që nuk ktheheshin, turpin e kallëzimeve, të tradhtisë.

Feja cënohej në Siberi e në geto

         Në Librin e urtisë flitet për “të drejtin e persekutuar”, që pëson fyerje e mundime, vetëm për faktin se është i mirë. Sa prej jush, u drejtohet Papa mijëra të pranishmëve, mund të tregojnë histori të ngjashme për familjarët apo për kushërinjtë.

         Sa prej jush janë lëkundur në fe, sepse Zoti nuk u duk për t’ju mbrojtur; sepse fakti, që i qëndruat besnikë, nuk mjaftoi që Hyji të ndërhynte në historinë tuaj. Kaunas e njeh këtë realitet; mbarë Lituania mund të dëshmojë me drithma sapo përmendet Siberia, ose getot e Vilniusit e të Kaunasit, ndër të tjera.

E dishepujt diskutojnë kush është më i madh

         E Papa citon shën Jakun apostull, që në Letrën e tij tregon për ata, që vrasin e presin, që kanë zili e bëjnë luftë. Por dishepujt, vijon Papa, nuk dëshirojnë që Jezusi t’u flasë për kryq e mundime, nuk duan sprova e ankthe, ndërsa, nga ana tjetër, diskutonin kush ishte më i madh ndër ta.

         Vëllezër – ngre zërin Ati i Shenjtë – dëshira për pushtet e lavdi është mënyra e zakonshme e sjelljes së atyre, që nuk arrijnë ta shërojnë kujtesën e historisë së tyre e, ndoshta, pikërisht për këtë, nuk pranojnë as të impenjohen në të tashmen. E atëherë, diskutohet se kush shkëlqen më shumë, kush ka qenë më i pastër në të kaluarën, kush ka më tepër të drejta të ketë privilegje në krahasim me të tjerët.

Mos e mohoni historinë, por punoni për të tashmen

         E kështu, vijon Papa Françesku, e mohojmë historinë, e cila duhet të na mësojë të përveshim mëngët e të impenjohemi në të tashmen, pa mbetur pre e ekspertëve, që s’thonë tjetër, veçse si duhen bërë gjërat, por nuk bëjnë. Ndërsa Jezusi këshillon t’u shërbejmë më të vegjëlve.

         Kush janë më të vegjlit, më të varfërit ndër ne, që duhet t’i mirëpresim, 100 vjet pas shpalljes së pavarësisë? – pyet Papa lituanët. – Kush nuk ka asgjë për të na dhënë, për të treguar mirënjohje përpara përpjekjeve dhe sakrificave tona? Ndoshta, janë pakicat etnike të qytetit, ose të papunët, të detyruar të emigrojnë. Ndoshta janë pleqtë e vetmuar, ose të rinjtë, që nuk i gjejnë kuptimin jetës, sepse i kanë humbur rrënjët.

Kishë, që s’ka frikë të dalë në det të hapur

         Nëse i vendosim këta njerëz në qendër, të gjithë mund t’i shohin, vëren Ati i Shenjtë, askush s’mund të thotë se janë përgjegjësi e të tjerëve. E t’i ndihmojmë pa protagonizma, pa pritur duartrokitje, ose shpërblime të tjera, nënvizon Papa.

         Kjo është çështja: të jemi një Kishë “në dalje”, të mos kemi frikë të dalim e të shërbejmë, edhe kur duket sikur po shuhemi; ta humbim jetën pas të vegjëlve, të harruarve, atyre, që jetojnë në periferitë ekzistenciale. Duke e ditur se të dalësh, nganjëherë do të thotë edhe ta ndalësh hapin, të vësh mënjanë ankthet dhe urgjencat, për të parë në sy, për të dëgjuar e për të shoqëruar ata, që kanë mbetur në anë të udhës.

23 shtator 2018, 12:13