Versioni Beta

Cerca

Vatican News

Videomesazhi Papës në pragun e udhëtimit apostolik në Lituani, Letoni e Estoni

“Vizita ime – vëren Papa në videomesazhin për popullsitë e Vendeve Balltike – përkon me 100-vjetorin e pavarësisë së kombeve tuaja e natyrisht, do të nderojë të gjithë ata, që, në të kaluarën, kanë bërë sakrifica, të cilat kanë mundësuar liritë aktuale".

R.SH. - Vatikan

15 fjalime: 7 në Lituani, 4 në Letoni e 4 në Estoni, të gjitha në italisht. Këto janë “shifrat” e udhëtimit të 25-të ndërkombëtar, që Papa Françesku do të bëjë në Lituani, Letoni dhe Estoni, nga 22 deri më 25 shtator. Sot, Ati i Shenjtë iu drejtua popullsive të Vendeve Balltike me një videomesazh, për t’u thënë banorëve të atyre tokave “një fjalë të përzemërt”, siç nënvizon që në fillim:

“Megjithëse vij si bari i Kishës Katolike – u thotë Papa, duke vënë në pah kështu përbërjen shumëfetare e shumëkulturore të zonës – dua t’ju përqafoj të gjithëve e t’u jap një mesazh paqeje, vullneti të mirë e shprese për të ardhmen”.

Arsyeja e vizitës: kujtimi i sakrificave, që sollën lirinë

Menjëherë më pas, arsyeja e kësaj vizite apostolike, me të cilën Ati i Shenjtë prek kuotën 39 vende, ku ka shkelur gjatë papnisë.

 “Vizita ime – vëren Papa në videomesazh – përkon me 100-vjetorin e pavarësisë së kombeve tuaja e natyrisht, do të nderojë të gjithë ata, që, në të kaluarën, kanë bërë sakrifica, të cilat kanë mundësuar liritë aktuale. Siç e dimë, liria është thesar, që duhet ruajtur e transmetuar vazhdimisht si trashëgimi e çmuar për brezat e rinj. Në kohën e territ, të dhunës e të persekutimit, flaka e lirisë nuk shuhet, por frymëzon shpresën për një të ardhme, në të cilën, dinjiteti që Zoti i jep secilit, të respektohet e të gjithë të ndjehemi të thirrur të bashkëpunojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e më vëllazërore.

Vizita e Papës, inkurajim për të ardhmen

 Sot – vijon Papa, duke aktualizuar mesazhin – ajo ndjenjë solidariteti dhe shërbimi për të mirën e përbashkët është e nevojshme më shumë se kurrë. Uroj që vizita ime të jetë burim inkurajimi për gjithë ata njerëz vullnetmirë, të cilët, frymëzuar nga vlerat më të thella shpirtërore e kulturore, trashëguar nga e kaluara, po punojnë paqësisht për të lehtësuar vuajtjet e vëllezërve dhe të motrave tona nevojtare, si edhe për të promovuar bashkimin e harmoninë në shoqëri, në çdo nivel.

 E di se shumë prej jush po punojnë intensivisht për të përgatitur vizitën time e i falenderoj me gjithë zemër – thotë Papa në përfundim të videomesazhit. – Të gjithëve ju siguroj afërsinë time në lutje dhe ju bekoj. E ju kërkoj një favor, lutuni për mua. Zoti ju bekoftë!”

20 shtator 2018, 19:30