Kërko

Takimi ekumenik i Papës me të rinjtë në Estoni: “dashuria nuk ka vdekur”

Papa Françesku kujton se “ku është Krishti ka gjithnjë rinovim, ka mundësi për ndryshim, për të lënë pas shpine gjithçka na ndan prej Tij e prej vëllezërve”.

R.SH. - Vatikan

“Përtej kufizimeve tona, përtej ndarjeve, Jezu Krishti vazhdon të jetë arsye për të qenë këtu”. Në fjalën e Papës Françesku në katedralen luterane të Talinit, në Estoni, ndërthuren sfida, që kanë të bëjnë me ekumenizmin e me brezin e ri. Pasi dëgjon përfaqësuesit e besimeve të ndryshme të krishtera, të pranishme në vend, dhe dëshmitë e disa të rinjve, Papa nënvizon sa bukur është të rrimë bashkë.

         Nëse  bëjmë përpjekje për ta parë veten si shtegtarë, që ecin së bashku, do të mësojmë ta hapim zemrën me besim para shokut të udhës, pa dyshime, pa probleme, duke parë vetëm atë, që kërkojmë me të vërtetë, paqen para fytyrës së Zotit të vetëm.

Ku është Krishti, ka gjithnjë rinovim

         Papa i fton të rinjtë të jetojnë në gjurmët e Krishtit, pa bërë prozelitizëm. E këshillon Kishën t’i dëgjojë, t’i shoqërojë, të mos krijojë gjendje, që i nxisin të rinjtë të largohen prej saj.

         E dimë – nënvizon Bergoglio – se shumë të rinj nuk na kërkojnë asgjë, sepse nuk na konsiderojnë bashkëbisedues të rëndësishëm për jetën e tyre. Madje, disa kërkojnë shprehimisht t’i lëmë të qetë, sepse e ndjejnë praninë e Kishës si të bezdisshme e deri irrituese. I indinjojnë shkandullet seksuale dhe ekonomike, para të cilave nuk shohin dënime të qarta; zemërohen kur nuk dimë ta interpretojmë si duhet jetën dhe ndjeshmërinë e tyre, për shkak të mungesës së përgatitjes; ose thjesht, nuk duan që t’u japim role pasive.

         Pavarësisht se nuk japim dëshminë e duhur, flet Papa për klerin, duke përfshirë edhe vetveten, vazhdoni ta zbuloni Jezusin brenda bashkësive tona, u bën thirrje të rinjve.

         Sepse e dimë se ku është Jezusi, ka gjithnjë rinovim, ka gjithnjë mundësi për ndryshim, për të lënë pas shpine gjithçka na ndan prej Tij e prej vëllezërve. Ku është Jezusi, jeta ka gjithnjë shijen e Shpirtit Shenjt. Ju, sot, këtu, jeni aktualizimi i kësaj mrekullie të Krishtit.

Dashuria nuk ka vdekur

         Duke komentuar fjalët e një këngëtareje të famshme estone, që thotë se dashuria nuk jeton më këtu, e duke folur pa letër, Papa Françesku vëren se “Dashuria nuk ka vdekur, na thërret e na dërgon” për të kumtuar Ungjillin. Por, na kërkon ta hapim zemrën. Shumë të rinj shohin si shuhet dashuria e prindërve, si tretet dashuria e çifteve të sapomartuara; provojnë dhimbje të thellë, kur shohin se askujt nuk u intereson nëse detyrohen të emigrojnë për punë, ose kur i ndjekin me dyshim, sepse janë të huaj.

         Duket sikur dashuria ka vdekur, siç thoshte Kerli Kõiv, por e dimë se nuk është kështu, e, se kemi një fjalë për të thënë, diçka për të kumtuar, me pak fjalime e me shumë gjeste. …Sepse ju – u drejtohet Papa të rinjve – jeni brezi i imazhit dhe i veprimit përtej spekulimeve, përtej teorive. E kështu i pëlqen Jezusit; sepse Ai kaloi, duke bërë mirë e, kur vdiq, në vend të fjalëve, preferoi gjestin e fuqishëm të kryqit”.

“Jeta e krishterë është jetë, është e ardhme, është shpresë, nuk është muze! – përfundon Papa, duke ftuar ta lejojmë Shpirtin Shenjt të na dikojë mënyrën më të mirë për ta jetuar historinë nga perspektiva e Krishtit të Ringjallur.

25 shtator 2018, 12:00