Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Papa priti sot paradite në Vatikan, rreth 60 pjesëmarrës të Plenares së Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve. Papa priti sot paradite në Vatikan, rreth 60 pjesëmarrës të Plenares së Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve  (Vatican Media)

Papa: të krijojmë lidhje të vërteta vëllazërore me pentekostalët

Papa priti sot paradite në Vatikan, rreth 60 pjesëmarrës të Plenares së Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve. Tema e reflektimit: “Pentekostalët, karizmatikët dhe ungjillorët: ndikimi mbi konceptin e unitetit”.

R.SH. - Vatikan

Të krijojmë lidhje vëllazërimi të vërtetë me bashkësitë pentekostale, karizmatike dhe ungjillore. Kjo është këshilla e Papës, në fjalën për rreth 60 pjesëmarrës të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve, të cilët i priti në audiencë në Vatikan. Papa nënvizon impenjimin e Kishës Katolike që të gjithë të krishterët të jenë një gjë e vetme e nxit për lidhje të qëndrueshme.

         Së pari, e kemi për detyrë ta shqyrtojmë dhe ta njohim praninë e Shpirtit Shenjt në këto bashkësi, duke u përpjekur të krijojmë lidhje vëllazërie të vërtetë me to. Kjo do të jetë e mundur duke shtuar rastet e takimit e duke kapërcyer dyshimet për njëri-tjetrin, të cilat, shpesh, motivohen nga injoranca, ose nga moskuptimi.

         Nganjëherë, nënvizon Françesku, është e nevojshme të bëhet një copë udhë së bashku. Bergoglio përmend përvojën e tij, kur ishte epror i jezuitëve. U pati ndaluar atyre të hynin në lidhje me Rinovimin katolik, sepse, kujton, “më shumë se takim lutjeje, më dukej ‘shkollë sambe’”. Por, më vonë, kur i njohu më mirë, u kërkoi falje dhe krijoi lidhje të frytshme me ta.

Të takohemi me njëri-tjetrin

         Duhet, pra, ta frekuentojmë njëri-tjetrin, thekson Papa, të lutemi së bashku, ta kumtojmë Ungjillin e t’u shërbejmë së bashku nevojtarëve. Në këtë mënyrë, të krishterët mund të njihen më mirë e të kapërcejnë paragjykimet, duke parë dikimin e Shpirtit Shenjt ndër vëllezërit e tjerë. Marrëdhëniet e katolikëve me pentekostalët, karizmatikët e ungjillorët, pranon Ati i Shenjtë, nuk kanë qenë gjithnjë të lehta. “Dukja e papritur e këtyre bashkësive, të lidhura me personalitetin e disa predikatorëve, bie fortësisht në kundërshtim me parimet dhe me përvojën ekleziologjike të Kishave historike”, nënvizon Bergoglio. Kjo shkakton fërkime, edhe emocionale e të çastit. Pastaj, jo pak besimtarë katolikë tërhiqen nga këto bashkësi, duke i bërë të shihen me sy të keq nga Kisha Katolike. Por Papa bën thirrje që ky fakt të kthehet në shtysë për “shqyrtimin personal e për risimin baritor” të vetë Kishës Katolike.

Jo, qëndrimeve të pandryshueshme. Shpirti Shenjt krijon risi

         Vërtet, janë të shumta bashkësitë, që, të frymëzuara nga këto lëvizje, përjetojnë përvoja të vërteta të krishtera e katolikët mund ta pranojnë këtë pasuri:

         Kisha zhvillohet në besnikërinë ndaj Shpirtit Shenjt kur mëson të mos e “zbusë” Atë, por ta pranojë pa frikë e njëkohësisht, me shoshitje serioze, risinë e Tij të freskët. Shpirti Shenjt është gjithnjë risi. E duhet të mësohemi me këtë. Është risi, që na bën t’i kuptojmë gjërat më thellë, hedh mbi to më shumë dritë e na bën të ndryshojmë shumë zakone – apo jo?... Por Ai është Zoti i risive.

Etapat e fundit

         Në vend që të ngulim këmbë në qëndrimet e prandryshueshme, duhet ta lejojmë Shpirtin e Zotit të na udhëheqë drejt bashkimit të vërtetë, që nuk është uniformitet, thekson Papa Françesku. Ati i Shenjtë kujton edhe etapat e fundit të udhës ekumenike: nga lutja në Bari së bashku me krerët e Kishave ortodokse e ortodokse lindore, për të kujtuar vuajtjet e të krishterëve në Lindjen e Mesme, në udhëtimin e tij apostolik në Gjenevë, qershorin e kaluar, për 70-vjetorin e Këshillit Ekumenik të Kishave e, edhe më parë, në Circo Massimo të Romës, për 50-vjetorin e Rinovimit Karizmatik Katolik.

28 shtator 2018, 14:31