Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Papa Françesku, në takimin me jezuitët, në Irlandë Papa Françesku, në takimin me jezuitët, në Irlandë 

Papa, jezuitëve të Irlandës: abuzimi seksual, abuzim me pushtet

Në një takim me jezuitët, më 25 gushtin e kaluar, në Dublin, Papa pohoi se klerikalizmi favorizon çdo formë abuzimi e se para abuzimit seksual, ekziston abuzimi me pushtetin e me ndërgjegjen.

R.SH. - Vatikan

Plaga e abuzimeve, në qendër të bisedës së Papës Françesku me një grup jezuitësh, më 25 gushtin e kaluar, gjatë udhëtimit të Atit të Shenjtë në Irlandë, me rastin e Takimit botëror të Familjeve. Drejtori i revistës “La Civiltà Cattolica”, atë Antonio Spadaro, i pranishëm në takim, tregon për këtë në numrin e fundit.

Biseda e Papës me viktimat

         Ati i Shenjtë mbërriti në sallën e nunciaturës – ku ndodheshin 63 jezuitë – e pas përshëndetjes së eprorit provincial, atë Leonard A. Moloney, foli për bisedën private, prej një orë e gjysëm, që pati pak përpara me 8 viktima të abuzimeve seksuale. “Me të vërtetë, nuk arrija t’u besoja historive, që i pashë se ishin dokumentuar mirë” – tha Françesku – “e u mallëngjeva thellësisht”. Papës i kishte bërë përshtypje edhe gjendja e nënave të pamartuara, të cilave u kishin marrë fëmijët. “Dëgjimi i tyre ma preku veçanërisht zemrën”.

Para abuzimit seksual, kemi abuzimin me pushtetin

         Ati i Shenjtë iu drejtua të pranishmëve, duke u kërkuar ta ndihmojnë Kishën në Irlandë ta mbyllë një herë e përgjithmonë kapitullin e abuzimeve. “Nuk është fjala vetëm për ta kthyer faqen – shpjegoi Papa – por për të gjetur një ilaç, një zgjidhje, për të bërë gjithçka duhet që të shërohen plagët e t’u kthehet jeta kaq shumë njerëzve”. E shtoi: “Kuptova qartë një gjë: kjo dramë abuzimesh, sidomos kur ka përmasa të mëdha e bën shkandull të madh – le të mendojmë për rastin e Kilit e pastaj, këtu në Irlandë apo në SHBA – ka pas shpine gjendje kishtare të karakterizuara nga elitizmi e klerikalizmi, nga paaftësia për të qenë afër popullit të Zotit. Elitizmi, klerikalizmi, favorizojnë çdo formë abuzimi. E abuzimi seksual nuk është i pari. I pari është abuzimi me pushtetin e me ndërgjegjen. Ju kërkoj ndihmë për këtë. Guxim! Jini të guximshëm!... Ky është mision i veçantë për ju: spastrojini, ndryshojini ndërgjegjet, mos kini frikë t’i quani gjërat me emrin e vet”.

Të denoncohen abuzimet

         Papa theksoi me forcë: “Duhet t’i denoncojmë rastet, që marrim vesh. E abuzimi seksual, siç po thoja më parë, është rezultat i abuzimit me pushtetin e me ndërgjegjen. Abuzimi me pushtetin ekziston: kush ndër ne nuk njeh një ipeshkëv autoritar? Gjithnjë në Kishë, kanë ekzistuar eprorë rregulltarësh e ipeshkvij autoritarë. E autoritarizmi është klerikalizëm. Nganjëherë, ngatërrohet dërgimi në mision me autoritet e vendosmëri, me autoritarizmin. Por janë dy gjëra të ndryshme. Duhet fituar mbi autoritarizmin e duhet rizbuluar bindja ndaj dërgimit në mision”.

Mëkatarë e të korruptuar

         Këshilla e Papës për jezuitët, në këtë kuadër kaq të vështirë, qe të punojnë “që të kuptohet mirë freskia e Ungjillit dhe gëzimi i tij. Jezusi  erdhi për të sjellë gëzim e jo kazistikën e moralit. Për të sjellë hapje, mëshirë. Jezusi i donte mëkatarët… i donte! Por kishte një neveri të tmerrshme për të korruptuarit! Ungjilli sipas Mateut, në kapitullin 23, është shembull për atë, që u thotë Jezusi të korruptuarve”.

13 shtator 2018, 17:00