Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Manifestime në Nikaragua Manifestime në Nikaragua  (ANSA)

Papa i shkruan Ortegës: pajtim për Nikaraguan

Në një mesazh për presidentin e Nikaraguas, me rastin e festës kombëtare të 15 shtatorit, Papa lutet për bijtë e bijat e atij kombi të dashur. Kryeipeshkvi i Managuas, kardinali Brenes, nënvizon se ipeshkvijve u intereson zgjerimi i dialogut për paqen.

R.SH. - Vatikan

Jezusi, “Princi i paqes”, u dhashtë të gjithëve “dhuratat e pajtimit vëllazëror e të bashkëjetesës paqësore e solidare”. Kështu shkruan Papa Françesku në një mesazh për presidentin e Nikaraguas, Daniel Ortega, me rastin e festës kombëtare të vendit latinoamerikan, që bie më 15 shtator. Në tekstin, që mban datën e 31 gushtit, Ati i Shenjtë përshëndet përzemërsisht dhe siguron lutje për bijtë e bijat e “këtij kombi të dashur”.

Kriza shoqëroro-politike

         Të shtunën, kremtimi i 197-vjetorit të pavarësisë, mbërrin në mesin e një krize shoqëroro-politike, që e ka mbërthyer Nikaraguan që nga prilli e ka shkaktuar më se 400 viktima, sipas organizatave humanitare. Natyrisht, qeveria e Managuas flet vetëm për 198 të vdekur. Tensioni u rrit, për shkak të reformës mbi sigurimet shoqërore, e cila, pavarësisht se u tërhoq nga Ortega, shkaktoi protesta, që u shtypën me dhunë.

Roli i Kishës

         Konferenca Ipeshkvnore e Nikaraguas mori përsipër, muajt e kaluar, të jetë ndërmjetësuese në dialogun kombëtar të qeverisë me Aleancën Qytetare, që përfaqëson shoqërinë civile. Presidentit Ortega i kërkohet t’i organizojë në mars 2019 zgjedhjet e parashikuara për vitin 2021, por ai e refuzoi propozimin. Kreu i Konferencës Ipeshkvnore, kardinali Leopoldo Brenes, gjatë orëve të fundit, nënvizoi se ipeshkvijve u intereson të zgjerohet dialogu, i cili aktualisht, është pezulluar. Prelati kujtoi pushimin e rreth 300 vetëve nga puna në sektorin shëndetësor, si edhe të shumë profesorëve dhe administratorëve të universitetit kombëtar autonom të vendit, përfshirë përjashtimin e 80 studentëve. Të premten, u zhvillua greva e tretë e përgjithshme kundër Ortegës, por gjendja nuk përmirësohet.

Sulmet kundër Kishës

         Kisha është vënë në shënjestër të pushtetit. Fjalë kundër saj janë shkruar në katedralen e Managuas të shtunën. Vetë kardinali Brenes denoncon shpesh se në kisha të ndryshme të vendit, gjatë meshës, arrijnë njerëz me altoparlante për të krijuar pështjellim, pa pikën e respektit për besimtarët dhe për vendin e kultit. Edhe vetë kardinali Brenes është sulmuar nga përkrahësit e Ortegës, të cilët nuk i shohin me sy të mirë ata meshtarë, që strehojnë në kishë grupe opozitarësh të regjimit.

11 shtator 2018, 15:00