Kërko

Audienca e përgjithshme e Papës Françesku Audienca e përgjithshme e Papës Françesku 

Papa Françesku: skllavëria më e keqe është ajo e egoizmit

Në audiencën e përgjithshme, Ati i Shenjtë vijoi katekizmin, kushtuar Urdhërimeve të Tënzot, duke u ndalur në të tretin: “Shenjtëroje ditën e diel e ditën e festës së urdhnueme”.

R.SH. - Vatikan

“Dashuria na bën të lirë edhe në burg, megjithëse jemi të brishtë e të kufizuar”, e vetëm dashuria, që na dhuron Jezusi mund t’i thyejë zinxhirët e skllavërisë së mëkatit, sidomos të “egoizmit personal”. Në audiencën e sotme të përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku thellohet në urdhërimin e tretë të Tënzot, që i kushtohet ditës javore të pushimit e festave.

Dekalogu “i përmendur në Librin e Daljes”, saktëson Ati i Shenjtë, është përsëritur njëlloj në Librin e Ligjit të Përtërirë, me përjashtim të Fjalës së Tretë, që në Librin e Daljes përmendet si pushim për të bekuar gjithësinë e krijuar prej Zotit, ndërsa në Librin e Ligjit të Përtërirë “përkujton fundin e skllavërisë”. Është fjala për një ditë, në të cilën edhe “skllavi duhet të pushojë, ashtu su padroni i tij, për të përkujtuar Pashkët e çlirimit”.

Mozaiku i shumëllojshëm i skllavërive

Në katekizëm, Papa Bergoglio sqaron se ekzistojnë “tipe të ndryshme skllavërish, si të brendshme, ashtu edhe të jashtme”. E përmend disa prej tyre, si për shembull, shtypjet, dhunën e llojet e ndryshme të padrejtësive, që imponohen nga jashtë, por edhe “bllokimi psikologjik, komplekset, kufizimet e karakterit”, që vijnë nga brenda. E megjithatë, historia njeh njerëz, që pavarësisht nga këto forma të shtypjes, kanë arritur të njohin “pushimin e mëshirës”, siç e quan Papa, i cili jep shembullin e shën Maksimilian Kolbes apo të kardinalit Van Thuan.

Mëshira e Zotit na çliron. E kur takohesh me mëshirën e Hyjit, ke një liri të brendshme më të madhe e je edhe i aftë ta transmetosh atë.

Skllevër të vetvetes

Ati i Shenjtë kërkon kujdes për të mos rënë në grackën e “skllavërisë së egoizmit”, “skllavëri, që të lidh me zinxhirë më shumë se burgu, më shumë se një krizë paniku”.

Egoja personale mund të kthehet në persekutues, që e torturon njeriun kudo të ndodhet dhe i shkakton mundimin më të thellë, atë që quhet “mëkat” e që nuk është dhunim banal i ndonjë kodi, por dështim në jetë e skllavërim.

Ziliqari e ka të zvërdhemë shpirtin

 Të panumërta janë mëkatet, që mund ta lidhin me zinxhirë njeriun, e Papa Françesku i kujton: nuk ka shpëtim për të babëziturin, “sepse lakmia është hipokrizia e stomakut, i cili është plot, por na bën të besojmë se është bosh”; “ankthi për të pasur sa më shumë e shkatërron koprracin”; “zjarri i zemërimit dhe tenja e zilisë i prishin marrëdhëniet”.

Shkrimtarët thonë se zilia e bën të zvërdhemë trupin e shpirtin, sikur njeriu të ishte me verdhëz: zvërdhehet. Ziliqarët e kanë shpirtin të zvërdhemë, sepse nuk mund ta kenë kurrë freskinë e shpirtit të shëndetshëm. Zilia shkatërron.

Dashuria e Krishtit të kryqëzuar

Skllavi i vërtetë, sipas Papës Françesku, është njeriu i paaftë të dojë. E Urdhërimi i tretë i Tënzot, për të krishterët, është “profecia e Zotit tonë Jezu Krisht, që i thyen zinxhirët e skllavërisë së brendshme të mëkatit, për ta bërë njeriun të aftë të dojë”.

Dashuria e vërtetë është liri e vërtetë: të largon nga pasja, rikrijon marrëdhëniet, di të presë e ta vlerësojë të afërmin, e shndërron në dhuratë të gëzueshme çdo lodhje dhe aftëson për bashkim. Dashuria të bën të lirë edhe në burg, megjithëse i brishtë e i kufizuar.

Përgjigjja plot dashuri e Marisë

Në përshëndetjet në gjuhën italiane, Papa Françesku kujton, së fundi, festën e sotme liturgjike të Emrit të Zojës.

Të gjithë ne të krishterët jemi të ftuar ta pranojmë, në emër të Marisë, planin e madh, që Zoti ka dashur për këtë krijesë të shkëlqyer e, njëkohësisht, edhe përgjigjjen e dashurisë që, si Nënë, ajo i dha Birit të vet, Jezu Krishtit, duke bashkëpunuar, pa u kursyer, në veprën e Tij të shëlbimit.

12 shtator 2018, 12:13