Versioni Beta

Cerca

Vatican News
2018.09.15 Visita Pastorale nella Diocesi di Palermo Piazza Politeama Incontro con i giovani 2018.09.15 Visita Pastorale nella Diocesi di Palermo Piazza Politeama Incontro con i giovani  (Vatican Media)

Papa të rinjve: jini tё lirë e denonconi shfrytëzimin dhe veprimet e këqija

Papa e përfundoi vizitën në Palermo me takimin me të rinjtë në Piazza Politeama: I quajti “agime të shpresës” . U tha "mos rrini si tё ishi tё pensionuar, pa shpresё". Më të mirë idealistë sesa dembelë realistë: më mirë të jesh Don Kishot se Sancho Panza!"

"Jam i lumtur t'ju takoj në përfundimin e kësaj dite!" Vizita në Palermo ishte e gjatë, por Papa Françesku u paraqit plot gëzim para mёse njëqind mijë vajzave dhe djemve, tё cilёt i takoi në Piazza Politeama. "Qe një ditë e lodhshme, por e bukur, e bukur, e bukur. Falë palermitanëve! », tha nё fillim Papa. Muzika dhe këngët, duartrokitjet dhe koret, balonat dhe parullat, e përshëndeten ardhjen e Papёs në takimin përfundimtar të vizitës sё tij baritore në kryeqytetin sicilian.

E Papa Bergoglio u foli për një Kishë, që nuk ngre barriera, duke i lënë jashtë ata, që s’janë të vetët; për një Kishë të frymëzuar nga dashuria, që krijon marrëdhënie për të mirën e të gjithëve; për një Kishë që konsideron thesar vetëm Zotin, i cili e çliron; për një Kishë, ku rriten të krishterë e qytetarë shembullorë, të cilët nuk bëjnë allishverishe me të keqen, por e demaskojnë dhe e denoncojnë.

“Jo, mendësisë mafioze – bëri thirrje Papa – jo, ilegalitetit dhe logjikës së krimit, helme, që e brejnë dinjitetin njerëzor. Jo, çdo lloj dhune… Nëse do të bëni bullizëm nuk do të jeni burra, por burracakë. I forti nuk përdor dhunë, as me gojë, as me duar e as me mendime. Më premtoni: kurrë dhunë, kurrë bullizëm!”

Papa i ftoi të rinjtë, të etur për Zotin, të mos e kërkojnë në celularë, në televizion e në muzikën në kupë të qiellit, por në marrëdhëniet me Krishtin e me të tjerët. Ndiqeni Jezusin, i nxiti Ati i Shenjtë, dilni në det të hapur: mos u mjaftoni duke parë horizontin. E s’ka gjë se gaboni. “Më mirë idealistë të mirë, se sa realistë dembelë: më mirë të jeni Don Kishota, se sa Sanço Pança!”.

E akoma: “Mos i shuani ëndrrat, ato të vërtetat, ato të mëdhatë, që i bëni me sy hapur”. Ecni, kërkoni, ëndërroni e shërbeni: kjo receta e Papës për rininë siciliane, të cilën e këshilloi të jetë solidare, ta ndërtojë të ardhmen së bashku me të tjerët, duke refuzuar logjikën e mbylljes në vetvete, për t’ia hapur zemrën shpresës së krishterë, ashtu siç donte don Pino Puglisi, që aq shumë punoi me të rinjtë, sa t’i shtinte frikën edhe vetë mafies, e cila e dënoi me vrasje, si sot, 25 vjet më parë.

16 shtator 2018, 17:13