Kërko

Rektori i seminarit të Palermos, don Silvio Sgrò Rektori i seminarit të Palermos, don Silvio Sgrò 

Vizita e Papës Françesku në Palermo është përkëdhelje

Don Silvio Sgrò tregon si e presin seminaristët vizitën baritore të Papës Françesku në Palermo, me rastin e 25-vjetorit të vrasjes mafioze, “in odium fidei”, të të Lumit martir Giuseppe Puglisi.

R.SH. - Vatikan

“Është, pa dyshim, një përkëdhelje, që Papa dëshiron t’ia dhurojë Kishës së Palermos, Kishës së tërë dhe çdo anëtari të saj, si edhe të gjithë atyre, që nuk janë të krishterë, por që sigurisht, e presin me gëzim të madh e me entuziazëm praninë e Papës Françesku. E dimë të gjithë se ai shihet me admirim e me vëmendje të madhe”. Këto janë fjalët e rektorit të Seminarit Kryeipeshkvnor të Palermos, don Silvio Sgrò, pak ditë para mbërritjes së Papës Françesku në kryeqendrën e Sicilisë, me rastin e 25-vjetorit të martirizimit të të Lumit don Giuseppe Puglisi, meshtar i vrarë nga mafia në moshën 56-vjeçare. Shërbente në lagjen Brancaccio, u fliste të rinjve kundër kriminalitetit të organizuar e punonte kundër mafies në Qendrën “Ati ynë”, themeluar prej tij.

         “Unë mendoj se Papa Françesku në Palermo është për ne, pikë së pari, një shenjë e rëndësishme në drejtim të bashkimit – thotë don Sgrò, për Vatican Neës. - Kemi nevojë për nxitje të fuqishme, që të na ndihmojë të ndjehemi Kishë, bashkësi, që të na ndihmojë ta eksperimentojmë përkatësinë në të. E pastaj, pa tjetër, Papa Françesku na tregon drejtimin, që ndërmori edhe don Pino Puglisi: atë të besnikërisë deri në fund. Don Pino nuk u tërhoq. Don Pino i mbeti besnik misionit të vet deri në fund”.

Seminaristët mezi e presin Papën

         Seminaristët e presin Papën me padurim, vijon rektori, pasi u bën përshtypje aftësia e tij për të komunikuar pa doreza e në mënyrë të kuptueshme. “Shumë prej tyre janë impenjuar aktivisht në fazën organizative – nënvizon don Silvio. – Dikush bashkëpunon me sekretarinë, dikush përgatit liturgjinë e do të aktivizohet pastaj, në shërbimin në altar, gjatë kremtimit eukaristik. Ҫdo seminarist e sheh me vëmendje të madhe figurën e Papës Françesku. U bën përshtypje aftësia e Papës për të ndenjur me njerëzit me thjeshtësi të madhe. Mendoj se kjo është e rëndësishme për formimin e tyre meshtarak”.

Don Pino, atë shpirtëror i Seminarit

         Papa vjen në 25-vjetorin e vrasjes së don Pino Puglisi-t, që është model për seminaristët. Kishte kujdes të veçantë për të rinjtë. Prania e tij e heshtur, fliste shumë. “Isha i ri, kur u vra atë Puglisi – tregon don Silvio Sgrò. – Ndodhesha në seminar e ai, për një farë kohe, ka qenë ati ynë shpirtëror. E kujtoj mirë një meditim: i fundit, që bëri me ne, në muajin qershor të vitit, kur u vra. Na nxiti të reflektojmë mbi Ungjillin sipas Gjonit, saktësisht mbi kapitullin e dhjetë të këtij Ungjilli, ku flitet për Bariun e Mirë. Bariu i Mirë jep jetën për delet. Për mua, është një lloj testamenti që na la don Pino. Pa dyshim, ishte i vetëdijshëm se ç’e priste, e dinte se vinte në rrezik jetën, por qëndroi aty, me bashkësinë e tij famullitare, në atë territor e, në një farë mënyre, deshi të na lërë atë farë të çmuar, që në forma të ndryshme, ka sjellë e vazhdon të sjellë fryte në jetën tonë, në shërbimin tonë”.

Bota ndryshohet duke bërë gjëra të vogla, përditë

         Don Pino Puglisi ishte njeri, që mendonte se bota ndryshohet duke bërë gjëra të vogla, përditë. “Duhet të jemi koherent – e shpjegon mendimin e tij don Sgrò. - Jemi të krishterë, jemi dishepuj të Zotit, duhet të jetojmë sipas kësaj përkatësie, duke filluar që nga gjërat e vogla. Kur thoshte ‘nëse secili bën diçka”, don Pino u referohej gjërave të vogla të përditshme e, mendoj se e para është besnikëria ndaj këtyre gjërave, të cilat duhet t’i jetojmë secili sipas përgjegjësive të veta. Pra, jo gjëra të jashtëzakonshme, por gjëra të vogla, ditë për ditë”.

11 shtator 2018, 12:51