Kërko

Pagëzimi i një katolikeje kineze Pagëzimi i një katolikeje kineze 

Papa Françesku, katolikëve kinezë: feja e ndryshon historinë

Në një “Mesazh për katolikët kinezë e për Kishën universale”, Papa Françesku shpjegon sot, arsyet e nënshkrimit të Marrëveshjes së Përkohshme me Republikën Popullore të Kinës: kumtimi i Ungjillit dhe arritja e bashkimit të bashkësisë katolike. Ia beson vendin Nënës së Zotit dhe lutjeve e ndihmës së Kishës universale.

R.SH. - Vatikan

Mesazhi i Papës Françesku, njoftuar sot paradite në audiencën e përgjithshme, fillon me inkurajimin për katolikët kinezë, të cilët, siç thotë vetë Ati i Shenjtë, i përmend çdo ditë në lutje. Bergoglio kujton fjalët e Jezusit, që edhe Benedikti XVI i pati cituar në Letrën drejtuar kinezëve më 27 maj 2007: “Mos ki frikë o grigjë e vogël” (Lk 12,32).

Pështjellim opinionesh, që krijuan konfuzion e dyshime

         Papa shpjegon menjëherë gjendjen: “Kohët e fundit, kanë qarkulluar shumë zëra të kundërta mbi të tashmen e, sidomos, mbi të ardhmen e bashkësive katolike në Kinë. Jam i vetëdijshëm se një përshtjellim i tillë opinionesh e konsideratash, ka krijuar jo pak konfuzion, duke zgjuar ndjenja të kundërta në shumë zemra. Disa dyshojnë e hutohen, të tjerëve u duket se janë braktisur nga Selia e Shenjtë e, njëkohësisht, ngrenë pyetjen dramatike mbi vlerën e vuajtjeve të përballuara për t’i qëndruar besnikë Pasardhësit të Shën Pjetrit. Ndërsa, në shumë të tjerë mbizotërojnë aspetativat pozitive dhe reflektimet e frymëzuara nga shpresa për një të ardhme më të qetë në dëshmimin e frytshëm të fesë në tokën kineze”. Këtë synim të fundit ka edhe Marrëveshja e Përkohshme ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Popullore Kineze, për emërimin e ipeshkvijve.

Admirim për katolikët kinezë, dëshmitarë të Ungjillit

         Papa Françesku shpreh admirimin e tij për Kishën Katolike dhe për besimtarët e saj në Kinë, të cilët, edhe pse të sprovuar vazhdimisht, e kanë ruajtur besnikërinë e tyre ndaj Krishtit. Marrëveshja aktuale, nënvizon, është fryt i një dialogu të gjatë, nisur nga Gjon Pali II e vazhduar nga Benedikti XVI. Udha vijon me këtë etapë themelore, përfaqësuar nga Marrëveshja për emërimin e ipeshkvijve, të cilët, deri tani, ishin të ndarë në ata të pranuar nga shteti e nga qeveria e Pekinit e në ata të katakombeve, të Kishës së heshtimit, gjithnjë të persektuar nga komunistët. Ati i Shenjtë shpjegon qartë se shtatë ipeshkvijtë, që i pranoi sërish në gjirin e bashkësisë universale kishtare, “e patën plagosur bashkimin me Kishën, për shkak të dobësisë e të gabimeve të tyre, por edhe, jo rrallë, për shkak të presioneve të forta të jashtme”. Pasi vërejti dëshirën e sinqertë të tyre për bashkim të plotë me Selinë Apostolike e pasi u lut shumë, Papa Françesku vendosi, siç shkruan vetë, “t’i pranojë shtatë ipeshkvijtë ‘zyrtarë’, emëruar pa mandat papnor, …në bashkimin e plotë kishtar. Njëkohësisht – thekson Ati i Shenjtë në mesazh – u kërkoj atyre të shprehin, përmes gjesteve konkrete e të dukshme, unitetin e rigjetur me Selinë Apostolike e me Kishat nëpër botë, si edhe të qëndrojnë besnikë, pavarësisht nga vështirësitë”.

Mundësitë e reja të Marrëveshjes

         “Marrëveshja e Përkohshme – shpjegon më tej Papa – megjithëse kufizohet në disa aspekte të jetës së Kishës e do të ishte e nevojshme të përmirësohej, mund të kontribuojë – nga ana e saj – për ta shkruar këtë faqe të re në Kishën Katolike në Kinë. Për herë të parë, ajo vendos elemente të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve shtetërore dhe Selisë Apostolike, me shpresën për t’i siguruar bashkësisë katolike barinj të mirë”. Papa u kërkon besimtarëve kinezë ta ndihmojnë Kishën në gjetjen e kandidatëve të përshtatshëm, që të mos jenë funksionarë, por barinj të vërtetë sipas Krishtit.

Roli i katolikëve kinezë në shoqëri

         “Në planin civil e politik – shkruan Papa Françesku – katolikët kinezë të jenë qytetarë të mirë, ta duan plotësisht atdheun e tyre e t’i shërbejnë me impenjim e ndershmëri, sipas aftësive. Në planin etik, të jenë të vetëdijshëm se shumë bashkëqytetarë presin prej tyre një nivel më të lartë në shërbimin për të mirën e përbashkët e për zhvillimin e harmonishëm të krejt shoqërisë. Në veçanti, katolikët të dinë të ofrojnë atë kontribut profetik e konstruktiv, që e marrin nga feja në Mbretërinë e Zotit. Kjo mund të kërkojë impenjim jo të pakët për të thënë një fjalë kritike, jo thjesht për kundërshti të shterpët, por për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më njerëzore, me respekt për dinjitetin e çdo njeriu”.

26 shtator 2018, 14:51