Kërko

 Shtegtimi apostolik në Estoni,Letoni e Lituani, 2018 Shtegtimi apostolik në Estoni,Letoni e Lituani, 2018 

Papa në Talin. Imzot Jourdan: t’ia besojmë vizitën Marisë

Në mesazhin drejtuar katolikëve të Estonisë, Administratori Apostolik i vendit baltik u përsërit ftesën të marrin pjesë sa më masivisht në vizitën e Papës, në shtator, të thonë Rruzaren e të agjërojnë një ditë, për suksesin e kësaj ngajrjeje të madhe.

R. SH. - Vatikan

Me rastin e shtegtimit apostolik të Papës Françesku në Lituani, Letoni e Estoni, nga 22 deri më 25 shtatori i ardhshëm, imzot Philippe Jourdan, Administrator Apostolik i Estonisë, u drejtoi një mesazh katolikëve të vendit baltik, për t’i falënderuar ata, që po impenjohen për suksesin e ngjarjes dhe për t’u kërkuar të luten, që të sjellë fryte të begata.

Çdo përgatitje të bëhet me shumë dashuri

“Çdo ngjarje e madhe përbëhet nga mijëra  hollësira e, në të vërtetë, çdo hollësi, sado e vogël, ka një domethënie të madhe. “Ta bëjmë me dashuri” - kështu shkruan imzot Jourdan e shton: “Nëse ka pak dashuri, edhe detyra më e rëndësishme e humbet kuptimin, ndërsa aty ku ka dashuri, edhe veprimi më i rëndomtë bëhet tejet i rëndësishëm”. Admnistratori Apostolik i Estonisë nënvizon rëndësinë e përgatitjes materiale, por shumë më tepër, atë të përgatitjes shpirtërore. “Në rrjedhë të historisë - shkruan - të krishterët u përgatitën për ngjarjet e mëdha, duke u lutur e duke agjëruar. Vizita papnore është, sigurisht, ngjarje tepër e rëndësishme për Kishën katolike në Estoni e për çdo katolik, personalisht. Të dashur vëllezër e motra, tani që vizita po afrohet, dëshiroj t’ju kërkoj  të gjithëve të përgatiteni çdo ditë më shumë e më mirë”.

Agjërim e lutje

Në muajin gusht, kur kremtohen disa festa të mëdha, kushtuar Zojës, imzot Philippe Jourdan u kërkon, në veçanti besimtarëve katolikë, ta thonë Rruzaren pikërisht për suksesin e vizitës papnore e të respektojnë një datë agjërimi, me të njëjtin ndjet. Kjo ditë - kujton - mund të jetë e shtuna, 1 shtator.

Deklarata e imzot Philippe Jourdan përfundon me inkurajimin e besimtarëve për t’u shkruar sa më shpejt si pjesëmarrës në Meshën e Papës, që do të kremtohet në Sheshin  e Lirisë, si dhe në takimin e Atit të Shenjtë me të rinjtë, në Kishën e Shën Karlit, në Talin, përmes faqes së internetit https://paavsteestis.ee/ ku mund të gjinden të gjitha informacionet e nevojshme.   

17 gusht 2018, 16:40