Kërko

Papa autoriteteve: familja, emigracioni dhe plaga e shpërdorimeve. Mos e harroni kurrë Ungjillin!

Vizita presidentit Higgins, takimi me autoritetet: aktet e para zyrtare të shtegtimit të 24-t apostolik të Françeskut në Irlandë. Masat efikase për të zhdukur krimin e neveritshëm të abuzimit mbi të miturit, kriza e emigrantëve, mbrojtja e jetës dhe e familjes, paqja e qëndrueshme në vend – këto, temat në qendër të vëmendjes së fjalimit papnor.

R. SH. - Vatikan

Ishin kreu i Shtetit, Michael Higgins me bashkëshorten, Sabine Coyne, që e pritën Papën, 40 vjet pas vizitës së Gjon Palit II. Në orën 11.15 me orën vendase, Françesku arriti në selinë presidenciale, që njihet edhe si Shtëpia e Bardhë e Irlandës. Himnet, nderimet, flamujtë, përshëndetja e piketës së rojeve, fotot e ritit vijuan njëra pas tjetrës në aktin e parë protokollar. Menjëherë pas, në State Appointment Room, takimi privat i Françeskut me Presidentin Higgins, që vijoi me nënshkrimin në Librin e nderit, shkëmbimin e zakonshëm të dhuratave  dhe dorëzimin, nga ana e Papës, e medaljes kushtuar këtij shtegtimi të 24-t apostolik , me stemën papnore në njërën anë, e në tjetrën, figurën e Shën Patrikut ndërsa shtrëngon në dorën e djathtë tërfilin, simbol i Irlandës. Në përfundim të takimit privat, Ati i Shenjtë mbolli në kopshtin e Selisë, një pemë, për kujtim të vizitës,  duke uruar paqe, shpresë e shenja të një stine të re në vend.

Familja, emigracionet, shpërdorimet

Pak minuta më pas, duke përshkuar 5 kilometra rrugë, Françesku arriti në  Kështjellën e Dublinit, një fortesë, që lartohet në zemër të qytetit, mbi bregun jugor të lumit Liffey, për t’u takuar me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik si dhe me një delegacion të Irlandës së Veriut, të cilin Françesku e kujtoi menjëherë, me shumë ngrohtësi, në fjalimin e tij të parë zyrtar. Fjalë të pasionuara kushtuar historisë së vendit, familjes dhe nevojës për ta mbrojtur nga sulmet dhe nga vështirësitë, që i turren nga të katër anët; krizës, emigracionit dhe urgjencës për rrugëzgjidhje të urta. Së fundi, shkandullit të rëndë të shpërdorimeve seksuale mbi të miturit nga ana e njerëzve të Kishës.

Vuajtje e turp!

Dështimi i autoriteteve kishtare - ipeshkvij, eprorë, rregulltarë, meshtarë e të tjerë - në përpjekjen për t’i përballuar si duhet këto krime të urryera, që ngjalli, me të drejtë, indinjatë, mbetet shkak vuajtjeje e turpi për bashkësinë katolike. Këto, edhe ndjenjat e mia – theksoi fort Papa. Parardhësi im, Papa Benedikti - vijoi - nuk i kurseu fjalët, kur foli për  këtë situatë të rëndë e pyeti nëse ishin marrë masat e nevojshme e ungjillore, të drejta e të frytshme”, për t’iu përgjigjur kësaj tradhtie të besimit.  Ndërhyrja e tij e sinqertë dhe e vendosur vijon të shërbejë si nxitje në përpjekjet e autoriteteve kishtare për t’i korrigjuar gabimet e së kaluarës e edhe për të vendosur norma shtrënguese, me synim që  ngjarje të tilla të mos përsëriten kurrë më.

Mbrojini të miturit!

Duhet zhdukur me çdo kusht “kjo shuplakë në Kishë”- përsëriti Françesku, duke kujtuar Letrën e tij të fundit drejtuar Popullit të Zotit mbi shkandullin e shpërdorimeve seksuale, kryer  në vende të ndryshme të botës. Çdo fëmijë është dhuratë e çmuar e Zotit, që duhet ruajtur - pohoi, duke ngritur fort zërin. - Ndërsa ripohoi se Kisha në Irlandë luajti, në të kaluarën, e luan edhe në të sotmen, një rol të rëndësishëm, “që nuk mund të mos përfillet”, për të  mirën e të vegjëlve.  Uroj që shkandujt e rëndë të shpërdorimeve, që nxorën në shesh mungesat e shumëkujt, të shërbejnë për të nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes së të miturve si dhe të të rriturve të ligshtë nga ana e mbarë shoqërisë. Në këtë kuptim, jemi të gjithë  të vetëdijshëm se është urgjente t’u sigurojmë të rinjve një shoqërim të urtë e t’i pajisim  me vlera të shëndosha, për t’i bërë ballë udhës së rritjes.

Dëshimi profetike

Pak më parë e quajta Takimin Botëror të Familjeve “dëshmi profetike të trashëgimisë së pasur  të vlerave etike dhe shpirtërore, që duhet t’i mbrojë e t’i ruajë çdo brezni, posaçërisht përballë kërcënimeve të vazhdueshme, që pëson familja në të gjitha nivelet – tha në vijim Papa.

“Familja është zami i shoqërisë; e mira e saj nuk duhet lënë dorë të rastit, por duhet promovuar e ruajtur me çdo mjet të mundshëm. Në familje secili nesh bëri hapat e para në jetë. Atje mësuam të jetojmë në harmoni, t’i kontrollojmë instinktet tona egoiste, të  pranojmë larmitë e, sidomos, të shqyrtojmë vlerat, që i japin kuptim të plotë  jetës”.

Një familje e vetme popujsh

Sa nevojë kemi për ta rifituar, në çdo fushë të jetës politike e shoqërore, ndjenjën  se jemi një familje e vetme popujsh! E për të mos e humbur kurrë shpresën dhe guximin për të qenë gjithnjë veprimtarë të paqes, pajtues e rojtarë të njëri-tjetrit.

Paqe për Irlandën

Një sfidë e tillë - pohoi Françesku - ka jehonë të posaçme në Irlandë - duke pasur parasysh konfliktin, që i ndau vëllezërit e motrat e që përfundoi me nënshkrimin, 20 vjet më parë, të Marrëveshjes të së Premtes së Madhe. Papa e falënderoi Zotin për paqen e arritur,  por shprehu edhe besimin se ajo do ta kapërcejë çdo pengesë,  duke favorizuar kështu, lindjen e një ardhmërie me harmoni e pajtim. Pa paqen, që gurron nga shndërrimi i zemrave “ideali i familjes së kombeve - kujtoi Bergoglio - rrezikon të bëhet një vend i zbrazët, ku sundon kultura e hedhurinës, që të bën indiferent ndaj të varfërve, të pambrojturve “duke pëfshirë edhe të palindurit, të privuar deri nga e drejta për të ardhur në këtë botë”.

Sfida e emigrimit

Për emigracionin, që ngjarjet tregojnë se nuk do të zhduket, Papa kërkoi urti, largpamësi e shqetësim humanitar.

Marrëdhëniet diplomatike

Për diplomacinë, lavdëroi përpjekjet e bëra për krijimin e lidhjeve të forta ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shtetit të lirë të Irlandës, që bazohen mbi historinë mijëravjeçare të mesazhit të krishterë, predikuar nga Paladi, Patriku  e Shenjtorë të tjerë të njohur. Nuk duhet të harrohen meloditë tronditëse të mesazhit të krishterë, që e mbështetën Irlandën e vijojnë ta mbështesin - theksoi Françesku.

Mesazhi i krishterë

Sot, ashtu si në të kaluarën, burrat e gratë, që banojnë në këtë vend, duhet të përpiqen ta pasurojnë jetën e kombit me urtinë e lindur nga feja. Edhe në orët më të errta të Irlandës, ata gjetën tek feja burimin e atij guximi, të atij angazhimi, pa të cilin nuk mund të ketë ardhmëri të lirë e dinjitet, drejtësi e solidaritet. Mesazhi i krishterë ka qenë pjesë përbërëse e kësaj përvoje dhe i ka dhënë formë gjuhës, mendimit e kulturës së njerëzve të këtij ishulli - kujtoi Papa - e në përfundim të takimit, përshëndeti një familje refugjatësh e një tjetër irlandeze, që ua hap portat e shtëpisë emigrantëve, duke i mikpritur e duke i ndihmuar të nisin një jetë të re!

25 gusht 2018, 14:03