Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Papa në Engjëllin e Tënzot: nga Korpi e Gjaku i Krishtit mësojmë jetën e pasosur

Papa Françesku komentoi fjalimin e Krishtit në sinagogën e Kafaranaos: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani korpin tim e nuk e pini gjakun e tim, nuk do të keni jetë në vetvete!”. Jezusi na fton të hyjmë në bashkim me Të, të jetojmë për Zotin e për vëllezërit. Nëse heqim dorë, këtë e bëjmë sepse “e kemi vështirë të veprojmë sipas kritereve të Tij, e jo sipas atyre të botës”.

R. SH. - Vatikan

Jezusi na fton, sot, ashtu si dymijë vjet më parë, në sinagogën e Kafarnaos, pas shumëzimit të bukëve, të hamë Korpin e Tij  e të pimë Gjakun e Tij, “për të pasur jetë”. Po ne vijojmë t’i kundërvihemi kësaj ftese, ashtu si dëgjuesit e sinagogës, “kur ngurrojmë ta modelojmë jetën tonë sipas asaj të Krishtit, të veprojmë sipas kritereve të Tij, e jo sipas atyre të botës”.

Buka është korpi im për jetën e botës

Kështu u shpreh Papa, para lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar, si zakonisht, nga dritarja e Pallatit Apostolik, mbi Sheshin e Shën Pjetrit, duke komentuar fragmentin e Ungjillit të kësaj së dieleje dhe pjesën e dytë të fjalës, mbajtur nga Jezusi në Kafarnao, shkëputur nga Ungjilli i Shën Gjonit. Krishti na paraqitet si bukë e gjallë, e zbritur nga qielli, bukë që jep jetën e pasosur. E vijon të na kujtojë: “Buka  që do t’ju jap, është korpi im për jetën e botës”.

Buka e thyer, dhurim i vetvetes, deri në flijim

Menjëherë dëgjuesit pyesin plot dyshim: “E si mundka ky të na japë korpin e vet për ta ngrënë?”, sepse nuk arrijnë ta kuptojnë domethënien e vërtetë të simbolit të bukës së thyer, që është “dhurim i vetvetes deri në flijim”. Kështu arrihet tek mospranimi “i Atij, që pak më parë do të çohej në kulmin e ngadhënjimit”. Kur Jezusi vijon: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani korpin tim e nuk e pini gjakun e tim, nuk do të keni jetë në vetvete!”, njerëzit dhe dishepujt e marrin me mend se “Jezusi po i fton për të hyrë në bashkim me Të, ‘për ta ngrënë’ Atë, natyrën e tij njerëzore, për të ndarë me Të dhuratën e jetës, për botën”. E jo për ngadhënjime e mirazhe suksesi.

Eukaristia, përshpejtim i qiellit mbi tokë

Kjo bukë e jetës - sqaroi Papa - “sakrament i Korpit e i Gjakut të Krishtit, na dhurohet falas në sofrën e Eukaristisë”. E na shuan urinë dhe etjen shpirtërore, sot e në amshim.

Sa herë marrim pjesë në Meshën Shenjte, në një farë mënyre, e zbresim qiellin mbi tokë, sepse nga shujta eukaristike, Korpi e Gjaku i Krishtit, mësojmë ç’ është jeta e pasosur. Është të jetosh për Zotin: “Kush më ha mua, do të jetojë për mua!”. Eukaristia na formon, që të mos jetojmë më vetëm për vetvete, por për Zotin e për vëllezërit. Lumturia dhe jeta e amshuar varen nga aftësia jonë për ta bërë të frytshme dashurinë ungjillore, që e marrim në Eukaristi.

Vështirësia për ta modeluar jetën tonë, sipas asaj të Krishtit

Jezusi na fton edhe sot të hamë Korpin e Tij e të pimë Gjakun e Tij, për të pasur jetë - vijoi Françesku. - “Nuk është fjala për ushqim material - sqaroi - por për bukën e gjallë e gjallëruese, që të jep vetë jetën e Zotit. Për ta pasur këtë jetë, duhet të ushqehemi me Ungjillin e me dashurinë për vëllezërit”. E nëse përballë ftesës së Krishtit ndjejmë nevojën të diskutojmë e të kundërshtojmë, ashtu si dëgjuesit e sinagogës, kjo ndodh sepse e kemi vështirë ta modelojmë jetën tonë sipas asaj të Krishtit, të veprojmë sipas kritereve të Tij, e jo sipas atyre të botës.

Krishti i gjallë, që e marrim në kungim, na përgatit për qiell

Kur e marrim këtë shujtë - përfundoi Papa - mund të hyjmë në përkim të plotë me Krishtin, me ndjenjat e Tij, me sjelljet e Tij. Prandaj ka shumë rëndësi të kungohemi, “për ta marrë Krishtin e gjallë, që na përgatit për qiell”. Maria na ndihmoftë ta marrim Jezusin në zemër, duke u ushqyer me Eukaristinë e Tij, “për t’u bërë, pastaj, edhe ne, bukë e thyer për vëllezërit”.

 

19 gusht 2018, 15:50